Kërko

Il Natale nella letteratura Il Natale nella letteratura

Krishtlindja, në kryevepra proze, Korrado Alvaro: “Shpella e Betlehemit”(emisionin XV )

Në rubrikën “Krishtlindja, në kryevepra proze”, (emisionin XV ), një rrëfim simbolik që na çon tek një Shpellë Betlehemi krejt e veçantë. I shkruar nga Korrado Alvaro, titullohet “Shpella e Betlehemit”

R.SH. / Vatikan

Në emisionin XV të rubrikës “Krishtlindja, në kryevepra proze”,  një rrëfim simbolik që na çon tek një Shpellë Betlehemi krejt e veçantë. I shkruar nga Korrado Alvaro, titullohet “Shpella e Betlehemit”.

Korrado Alvaro (15.04.1895 - 11.06.1956) shkrimtar, gazetar e politikan italian, njihet si autor i shumë veprave, ndërmjet të cilave, “Njerëzit e Aspromonte”; “Zonja e ishullit”; “Deti”; “Njeriu është i fortë”; “Gati një jetë...”. “Koha jonë, kohë shprese” e shumë të tjera.

Penda e tij u end nëpër botën e artit, të legjendës e të historisë, posaçërisht në trojet kalabreze. Pikërisht atje, ku vijojnë ta kremtojnë Krishtlindjen shumë njerëz “nga gjaku ynë i shprishur”, arbëreshët e Kalabarisë. Për nderim të tyre e zgjodhëm këtë rrëfenjë, ku përshkruhet Shpella e Betlehemit në një katund kalabrez:

“Krishtlindja është festa më e bukur, sepse me lindjen e Jezusit, në botë u kthye pafajnia. Është festë e shpresës, e paqes. E të duket si e bërë enkas për gëzimin e fëmijëve, që janë shpresa e botës.  Në fshatra punohet me javë, për të bërë Shpellën e Betlehemit.

Në sfond shtrihen degë portokallesh, ngarkuar me fryte.

Ndërtohen ura, veshur me myshk; sajohen kodra e male, hapen shtigje, gatiten stane e liqene malore.

Shpella e Betlehemit ka pamjen e një peizazhi kalabrez. Nga luginat rroposen përrenjtë, malet janë të thepisura e të egra.

Mbretëron mbi gjithçka, ngjyra e frytit përrallor, portokallit.

Mjeshtri i shtatoreve e di mirë se fëmijët ndalen e i sodisin një për një figurat e dala nga dora e tij.

Prandaj të gjitha, me përjashtim të mercenarëve të Herodit, u ngjasin ngapak njerëzve të njohur. Mund të soditësh aty, bareshën, me një kupë gjizë si dhuratë,  gjahtarin me çifte në krah; bariun me qengjin mbi supe, duke tymitur duhan me llullë të gjatë. Nuk mungon as lypësari. As njerëzit, që hedhin valle nën ritmin lodrës, të fyellit e të gajdes, përballë Shpellës së Betlehemit. E është edhe gjellëtorja, ku theret derri, e pastaj gratë, që lajnë rrobat në përrua. Në një skaj, karabinierët arrestojnë një hor, që guxoi të vjedhë deri  Natën e madhe!

Natë e madhe! Tre Mbretërit Dijetarë duken në majë të malit. U prijnë shërbëtorët e zeshkët, që tërheqin kuajtë për kapistrash. Kometa ndriçon përmbi Shpellë e edhe engjëjt vallëzojnë përmbi, të lehtë e qiellorë, si mendimet e fëmijëve e të gjithë njerëzve, këto ditë të lume.

15 dhjetor 2023, 11:55