Kërko

 I Santi, vetrate I Santi, vetrate

Shenjtorët e javës 3 - 10 dhjetor

E diel 3 dhjetor, Kisha katolike romake kremton të Dielën e Parë të kohës liturgjike të Ardhjes, ciklit të dytë ‘B’, sipas kalendarit kishtar. Gjithnjë më 3 dhjetor, kalendari kishtar përkujton shën Françesk Saverin, meshtar jezuit, apostull i Indisë, pajtor qiellor i misioneve

R.SH. - Vatikan

E diel 3 dhjetor, Kisha katolike romake kremton të Dielën e Parë të kohës liturgjike të Ardhjes, ciklit të dytë ‘B’, sipas kalendarit kishtar. Gjithnjë më 3 dhjetor, kalendari kishtar përkujton shën Françesk Saverin, meshtar jezuit, apostull i Indisë, pajtor qiellor i misioneve. 

Me këtë të Diele të Parë të Ardhjes, pra, Kisha katolike fillon udhën dhe përgatitjen shpirtërore për besimtarët, drejt takimit me Jezu Krishtin që vjen. E Liturgjia e Fjalës së Zotit e Dielës së I të Ardhjes na thërret t’ia përgatisim rrugën Zotit në shpirtin tonë! Jezusi, për tri herë, i përsërit secilit thirrjen “Rrini zgjuar” e “rrini gati”, si një këshillë, si ftesë, si një urdhër, por edhe si paralajmërim i një ati, që shqetësohet për të gjithë bijtë e vet, që të jenë të kujdesshëm e të mos dorëzohen para lodhjes, para  vështirësive e shqetësimeve të kësaj kohe, që kalon shpejt. Për këtë t’i lirojmë zemrat nga gjithçka i rëndon e pengon për të takuar Zotin në jetën tonë e t’i themi: eja o Zot Jezus.

Të hënën më 4 dhjetor, kalendari përkujton shën Gjon Damashenin, meshtar e dijetar i Kishës e shën Barbarën, martire.  Liturgjia e ditës na paraqet Gjon Pagëzuesin. Ai është një urë ndërmjet Besëlidhjes së Vjetër e të Re. Do të jetë zëdhënës i Mesisë që vjen. Do t’i përgatisë zemrat për t’u hapur ndaj Ungjillit. Dhe kumton kohën e çlirimit me ardhjen e Krishtit, që hyn në historinë tonë për ta shndërruar.

Të martën më 5 dhjetor, kalendari përkujton shën Pelinin, ipeshkëv e martir i shekull VII me origjinë nga Durrësi. Shën Pelini lindi rreth vitit 620, dhe shën Sabën themelues dhe Arkimandrit i bashkësisë murgare të "Laurës së madhe" në Palestinë. Liturgjia e ditës na shtyn drejt veprave të bamirësisë, na shtyn të mos kënaqemi me sa shohim në sipërfaqen e gjërave, por të shkojmë më thellë, pasi Zoti lexon në zemrat tona.

Të mërkurën më 6 dhjetor, kalendari liturgjik përkujton shën Nikollin, ipeshkëv. Shën Nikolla, ipeshkvi i shenjtë i Mirës (Turqia e sotme), jetoi mes shekulli III-IV. U bë i famshëm që në lashtësi, me anë të mrekullive të shumta, me të cilat u erdhi në ndihmë atyre që kërkuan ndërmjetësimin e tij. Është i njohur në të gjithë botën, edhe jashtë Kishës. Ndër shqiptarë devocioni ndaj shën Kollit është më i përhapuri bashkë me atë ndaj Shën Andout. Është shumë popullor edhe në të gjitha kishat e traditës Ortodokse.

Të enjten më 7 dhjetor, kalendari kishtar përkujton shën Ambrozin, ipeshkëv i Milanos e doktor i Kishës. Nga shën Ambrozi mësojmë t’ia besojmë veten vetëm Zotit e ta vlerësojmë jetën ashtu siç është. Njeri i drejtë, që kërkoi me ngulm drejtësinë dhe asaj i shërbeu si jurist, u zgjodh ipeshkëv i Milanos kundër vullnetit të tij, por, pasi e pranoi këtë shërbesë si vullnetin e Zotit, iu përkushtua plotësisht Ungjillit dhe Kishës. Ja si e kujton zgjedhjen e tij ipeshkëvnore: “Çfarë qëndrese bëra për të mos u shuguruar! Në fund, pasi e pashë veten të detyruar, kërkova që, të paktën, të ma shtynin shugurimit. Asgjë nuk vlejti kjo kërkesë për një përjashtim. Fitoi detyrimi, që më ngarkuan”. Predikimet e tij mrekulluan shën Agostinin e Iponës, të cilin e pagëzoi në fenë e krishterë pas një kërkimi të gjatë shpirtëror. Ai e shoi etjen tek burimi i kulluar i fjalës së Hyjit, prandaj na porosit edhe ne: “Pi, pra, nga të dyja kupat, nga ajo e Besëlidhjes së Re dhe të Vjetër, sepse tek të dyja pi Krishtin. Shkrimi hyjnor pihet, Shkrimi hyjnor gëlltitet, kur lëngu i fjalës së amshuar zbret në venat e mendjes dhe në energjitë e shpirtit”.

Të premten më 8 dhjetor, bie solemniteti i Zojës së Papërlyer. Liturgjia e ditës që na fton të bashkojmë zërin në korin e mbarë Kishës, që brohoret: “Kundruam, o Zot, mrekullitë e dashurisë sate”. Në festën e Ngjizjes së Papërlyer të Virgjërës Mari, Kisha ka dashur që, gjatë kohës së Ardhjes, liturgjia të bëjë të pranishme mes popullit të krishterë fuqinë, që e ka ruajtur Virgjërën nga mëkati, për të përgatitur tek ajo mishërimin e Birit të Hyjit. Kremtojmë, në eukaristi, po atë mister të shëlbimit, që na prek të gjithëve, por dobinë e të cilit Maria e ka njohur e para.

Të shtunën më 9 dhjetor, kalendari kishtar përkujton shën Huan Diegon, shën Sirin e shën Valerin. Liturgjia e ditës na kujton se vërtetë i lum është vetëm ai njeri që pret Zotin!

Të dielën e ardhshme më 10 dhjetor, Kisha katolike romake do të kremtojë të Dielën II të kohës së Ardhjes, ciklit të dytë ‘B’, e gjithnjë më 10 dhjetor, kalendari kishtar kremton festën e Zojës së Loretos, përkujton shën Maurin, martir dhe shën Gregorin II, papë. Gjithçka që ne admirojmë në Shën Marinë Virgjër është fryt i fesë së saj dhe i veprës së Shpirtit Shenjtë Zot, që përmes pranimin e adezionit të plotë të Marisë në veprën hyjnore të shpëtimit, ka sjell fryte shëlbimi për mbarë gjininë njerëzore.

03 dhjetor 2023, 09:28