Shenjtorët e javës 31 dhjetor – 7 janar
R.SH. / Vatikan
E Diel 31 dhjetor, Kisha katolike romake kremton festën e Familjes së Shenjtë të Jezusit, Marisë e Jozefit. Po këtë të diele të fundit të këti viti, më 31 dhjetor, kalendari kujton Shën Silvestrin. Jetoi në periudhën ndërmjet fundit të përndjekjes së të krishterëve dhe fillimit të paqes kostandiniane. U bë ipeshkëv i Romës në vitin 314 dhe e drejtoi Kishën për njëzet vjet. Nën papnimin e tij u kremtua Koncili Ekumenik i Nicesë në vitin 325, organizoi jetën e Kishës së Romës dhe mbështeti ndërtimin e bazilikave të para. Vdiq në vitin 335 dhe varrimi bë më 31 dhjetor.
Të hënën më 1 janar, bies festa e Shenjtueshmes Mari Virgjër, Nënës së Zotit. Gjithnjë më 1 janar kalendari kujton edhe shën Vinçencin Strambi, pasionist. Më 1 janar kremtohet Dita Botërore e Paqes. Maria e Shejtnueshme, Mbretëresha e Paqes, është nëna e çdo njeriu që lind në Hyjin dhe Nëna e Kishës. Bashkë me Kishën Lindore Marinë e nderojmë si “përherë Virgjër, të shpallur solemnisht Nënë e shejtnueshme e Hyjit nga Koncili kishtar i Efesit, me qëllim që Krishti të njihej, në kuptimin e vërtetë e të mirëfilltë, Biri i Hyjit dhe Biri i Njeriut”.
Të martën më 2 janar, kalendari përkujton shën Bazilin e Madh e shën Gregorin Nazianzen, ipeshkvij e doktorë të Kishës.
Të mërkurën më 3 janar, bie festa e Emrit të Shenjtë të Jezusit. Po më 3 janar kalendari kujton edhe shën Anterin, papë, shën Gjenovefën, virgjër. Emri i shenjtë i Jezusit u nderua dhe lëvdua nga Kisha qysh në shekujt e parë, por vetëm në shekullin XIV u zhvillua kulti liturgjik. Shën Shën Bernardini, me ndihmën e vëllezërve të vet, e pëprhapi shumë këtë devocion, që më në fund u bë festë liturgjike. Në vitin 1530 Papa Klementi VII e autorizoi urdhërin françeskan të recitonte Shërbesën e Emrit të Shenjtë të Jezusit. Gjon Pali II e vendosi edhe një herë këtë festë më 3 janar në Kalendarin Romak.
Të enjten më 4 janar, kalendari kujton shenjtorët Ermete e Kajo, të Lumen Anxhela nga Folinjo.
Të premten më 5 janar, kalendari përkujton shën Eduardin, mbreti i anglosaksonëve, i njohur me emrin Eduard Rrëfyestar, e shën Gjonin Njuman, ipeshkëv të Filadelfisë.
Të shtunën më 6 janar, Kisha katolike romake do të kremtojë solemnitetin e Dëftimit të Zotit. Dëftimi i Zotit është festë e ngjalljes, sepse përmbushet plotësisht në ngjarjet e Pashkëve. Kështu, dëftimi i Zotit para Mbretërve Dijetarë, duket si akti i parë i vazhdimësisë së dëftimit dhe dukjeve, që përshkojnë gjithë jetën tokësore të Jezusit. Ai, drita e botës, është caku i fundmë i historisë, pikarritja e daljes, fundi i udhës providenciale të shëlbimit, që arrin kulmin me vdekjen, ngjalljen dhe ngjitjen e Tij në qiell. Prandaj, në solemnitetin e Dëftimit të Zotit, liturgjia parashikon edhe Kumtimin e Pashkëve, sepse Viti liturgjik përmbledh gjithë shëmbëlltyrën e historisë së Shëlbimit, në qendër të së cilës është Triditëshi i Zotit të kryqëzuar, të varrosur e të Ngjallur.
Të dielën e ardhshme më 7 janar, Kisha katolike do të kremtojë solemnitetin e Pagëzimit të Jezu Krishtit Zot. Pagëzimi i Krishtit është dëftimi i misionit të tij në botë. Ati Qiellor shpall dashurinë e tij për Të. Shpirti i Shenjtë e shndrit me dritën e vet. Jezusi “i zhytur” në ujë nga shën Gjon Pagëzuesi, me vdekjen dhe ngjalljen e tij, do të na “zhysë” edhe ne në jetën e amshuar.