2023.12.16 scultura di Luciano Caprotti "Presepe del tempo di guerra" 2023.12.16 scultura di Luciano Caprotti "Presepe del tempo di guerra"

Vatikani, dy skena të lindjes kushtuar vuajtjes dhe shpresës së Ukrainës

Në ekspozitën kushtuar mbi 100 Shpellave të Lindjes së Krishtit nën kolonadën e Berninit, soditet edhe puna e një skulptori italian dhe një krijim nga vendi, që vuan për gati dy vjet nga lufta mizore

R.SH. / Vatikan

"Ukraina është pjesë integrale e botës së krishterë, prandaj pjesëmarrja e saj në ekspozitën "100 skenat e lindjes së Krishtit në Vatikan" është shumë e rëndësishme. Përmes skenës së lindjes së Krishtit, populli ukrainas u përpoq gjithmonë të tregojë bindjet e tij të thella të krishtera, dashurinë e tij për Zotin dhe për Kishën” - shprehet ambasadori i Ukrainës pranë Selisë së Shenjtë, Andrii Yurash, që prej dy vjetësh kujdeset për pjesëmarrjen e vendit të tij në ekspozitë.

Sivjet Ukraina përfaqësohet nga dy skena të lindjes së Krishtit, të ndryshme nga njëra-tjetra, por plotësuese në mesazhin që duan të përcjellin. Njëra, krijim i skulptorit italian Luciano Capriotti, është skulpturë terrakote e Familjes së Shenjtë dhe tjetra, e sjellë nga Ukraina, përfaqëson traditën e lashtë artizanale të një rajoni në perëndim të Ukrainës.

Luciano Capriotti e paraqet Familjen Shenjte si familje të arratisurish. “Ne gjithmonë ikim nga diçka e padrejtë, nga lufta, nga dhuna, dhe për këtë arsye doja të përfaqësoja tre personazhet - Shën Jozefi duke përqafuar Zojen dhe Atë, duke mbajtur djalin e saj të fjetur në krahë - në një bllok të vetëm terrakote” - thotë autori - Në këmbët e kësaj skulpture janë kau dhe gomari, për të kujtuar magjinë e Natës së Shenjtë. Kjo magji, siç shpjegon skulptori, është e pranishme “në vështrimin plot dashuri të Marisë që shikon fëmijën e fjetur, ndërsa në vështrimin e Jozefit ka shumë shqetësim, vuajtje, mbasi mendon se duhet të mbrojë familjen nga rreziku i menjëhershëm. Skulptura ka një simbolikë të tërë: në kapuçin e Shën Jozefit është pamja e arratisjes në Egjipt”.

Pjesa e përparme dhe e pasme e skulpturës së Luciano Capriotti-t
Pjesa e përparme dhe e pasme e skulpturës së Luciano Capriotti-t

Edhe në mantelin që ia mbulon shpatullat, ka simbole të ndryshme: është gdhendur një mal, që përfaqëson Kalvarin, brenda të cilit ka një varr masiv me trupa shtresë-shtresë, njëri mbi tjetrin, imazh - siç shprehet Luciano Capriotti - i cili na kujton varret masive në vende të ndryshme të Ukrainës, si ai i Buçës, në rajonin e Kievit. “Në krye ka një kryq, nga i cili rrjedh gjak që hyn në varrin masiv, në fund të të cilit rriten disa kallinj gruri, shenjë e ringjalljes dhe e rilindjes” - vijon artisti. - Pranë kryqit soditen dy fragmente të raketave ruse të lëshuara në bombardimet. Vijnë nga Kharkiv dhe janë një në të djathtë dhe një në të majtë të kryqit, sikur të ishte një sprovë. Dhe nga kjo pamje e fortë e dhimbjes del ideja se këta trupa, të gjallëruar nga gjaku i kryqit, në një farë mënyre mund të rilindin, të ringjallen. Ata gjithashtu mund të kenë Pashkët e tyre. Dhe gruri përfaqëson pikërisht këtë: kokrrën që vdes brenda tokës, për të prodhuar më pas kallirin. Kalliri i grurit është simboli i Ukrainës”.

Skulptori thotë se miqësia e tij me famullinë greko-katolike ukrainase të Santa Sofias në Romë dhe me famullitarin e saj, Don Marco Semehen fillon pikërisht nga simboli i grurit. Vitin e kaluar, me rastin e përvjetorit të parë të luftës, skulptori krijoi atje një ekspozitë të titulluar "Engjëjt e kohës së luftës", "në të cilën çdo Engjëll ekspozohej dhe shoqërohej me një vizatim të një fëmije refugjat lufte, i cili kishte krijuar vizatimin e tij spontanisht, duke përdorur qymyrin dhe hirin e arave me grurë të djegur nga ushtria pushtuese”.

Luciano Capriotti është kardiolog, por në të njëjtën kohë ka qenë gjithmonë artist dhe skulptor. "Gjithnjë kam dëgjuar zemrat e njerëzve," thotë ai, "edhe kur jam skulptor, dëgjoj zemrën time". Për të, procesi i krijimit "është një mënyrë për të nxjerrë një emocion, një ndjenjë nga zemra, me shpresën që në materialin që përdor, në baltë, në skulpturën e krijuar, të mbetet diçka nga ky emocion, që edhe mund të emocionojë sytë, zemrat e atyre që shohin". Zëri i artistit, sipas Capriotti, “është zëri i veprave të tij, që mund të lëvizë, të bindë dhe t'i nxisë njerëzit të mendojnë dhe të marrin anën e drejtësisë. Një vepër mbetet si dëshmi dhimbjeje, si  dëshirë për paqe, si ëndërr për rilindje. Por sigurisht lufta nuk mund të ndalet me art, por as arti nuk mund të heshtë. Arti duhet disi të paktën të bërtasë ose të qajë, të bëjë që zëri i tij të dëgjohet”. Prandaj, arti dhe kultura në përgjithësi nuk mund të jenë asnjanëse, “sepse pas artit është artisti, tek artisti është ndërgjegjja, artisti ka zemër, ka mendje. Si mund të jetë indiferent, të mos mbajë qëndrim, sidomos kur përballet me veprime arrogance? Të dobëtit duhen ndihmuar, të pafajshmit duhet shpëtuar dhe kur kjo nuk është e mundur, nuk na mbetet tjetër, veçse të qajmë dhe të vuajmë me ata që vuajnë. E kjo quhet dhembshuri".

Betlehem i sjellë nga Ukraina, i realizuar sipas traditësme lojra druri
Betlehem i sjellë nga Ukraina, i realizuar sipas traditësme lojra druri

Një tjetër skenë e lindjes së Krishtit, që përfaqëson ukrainasit në ekspozitën "100 skenat e lindjes së Krishtit në Vatikan" u soll nga vendi në luftë. Ndryshe nga skulptura e artistit italian që flet për vuajtjen dhe dhimbjen, kjo skenë e lindjes së Krishtit prej druri me ngjyra më të lehta dhe më të gëzuara përfaqëson, siç shpjegon ambasadori Yurash, "shpresën në rilindjen dhe fitoren e së mirës dhe të dritës, mbi të gjitha forcat e së keqes".

Skena e lindjes së Krishtit u krijua sipas traditës së prodhimit të lodrave prej druri, tipike për lokalitetin Yavoriv në rajonin e Lviv. Kjo traditë e veçantë u përfshi në Listën Kombëtare të Elementeve të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Ukrainës. Dekorimet e lodrave për pemën e Krishtlindjes pranë skenës së lindjes së Krishtit u bënë gjithashtu duke përdorur të njëjtën teknikë.

Detaje të Betlhemit ukrainas
Detaje të Betlhemit ukrainas

Në mes të realitetit të tmerrshëm që përjetojnë ukrainasit, Krishtlindja, me mesazhin e saj qendror, është koha që edhe ata të shuajnë etjen në burimin e shpresës. “Askush nuk mund të jetojë pa shpresë” - nënvizon ambasadori ukrainas në Selinë e Shenjtë. - Nëse nuk ka shpresë, nuk ka dëshirë për të ecur përpara. Feja, Kisha është, natyrshëm, një nga frymëzimet më të fuqishme shpirtërore që mund të marrë një njeri i vetëm ose një bashkësi e tërë. Dhe në këtë kontekst, skenat e lindjes së Krishtit janë një krijim jashtëzakonisht i rëndësishëm, që për shumë shekuj kanë mbartur një ngarkesë emocionale jashtëzakonisht të fuqishme, duke ofruar mesazhin e pohimit të jetës. Skena e lindjes, e sjellë nga Ukraina, tregon se pavarësisht nga të gjitha tmerret e luftës, pavarësisht nga të gjitha tragjeditë që po jeton shoqëria ukrainase, duhet të ketë besim se të gjitha tmerret do të kalojnë, se do të shfaqet një yll, ylli i Betlehemit, ylli i shpresës dhe, sigurisht, ylli i fitores!”.

Stoli Krishtlindjes sipas traditës  së Yavoriv, Ukrainë
Stoli Krishtlindjes sipas traditës së Yavoriv, Ukrainë

Stoli Krishtlindjeje sipas traditës  së Yavoriv, Ukrainë

18 dhjetor 2023, 15:20