Kërko

 Sant' Arcadio di Cesarea di Mauritania Sant' Arcadio di Cesarea di Mauritania

Më 12 janar kalendari kujton Shën Arkadin, martir

Mendohet të ketë vdekur rreth vitit 304, gjatë persekutimit të fundit pagan kundër të krishterëve. Dokumenti më i çmuar i kultit të Shën Arkadit është predikimi që i kushton Shën Xenoni, ipeshkëv i Veronës, i cili ka mundësi të ketë qenë me origjinë afrikane

R.SH. - Vatikan

Më 12 janar, kalendari kishtar përkujton Shën Arkadin nga Cezarea e Mauritanisë, martir. Sipas përshkrimit të martirizimit të tij, Arkadi mbylli sytë në Akajë, por të gjitha dëshmitë tjera, që përkojnë plotësisht me njëra-tjetrën, vërtetojnë se duhet të jetë martirizuar në Çezaré të Mauritanisë, në Afrikë. Në se mund të arrihet në një përfundim të saktë për vendin ku u martirizua, nuk është aq e lehtë të përcaktojmë edhe kohën kur e dëshmoi me gjak fenë në Krishtin. Mendohet të ketë vdekur rreth vitit 304, gjatë persekutimit të fundit pagan.

Tërbimi i persekutuesve ishte ndezur aq, sa mjaftonte vetëm një dyshim për të përligjur vrasjet masive të të dyshuarve. Procesionet dhe flijimet e përditshme idhujtare, shoqëroheshin me martirizimin e të krishterëve, prandaj Arkadi, njeri tepër i njohur, i neveritur nga krimet barbare që kryheshin para syve të tij, iku në Çezare. Por mungesa e tij ra shpejt në sy. Atëherë ushtarët arrestuan një nga pjesëtarët e familjes, duke e përdorur si peng, për ta detyruar të kthehej. Arkadi u kthye menjëherë.

U paraqit para gjykatësit, i cili e ftoi të flijonte për nder të idhujve. Po ai nuk pranoi. Atëherë u dënua me vdekje të ngadalshme, të shkaktuar nga torturat më të tmerrshme që njiheshin në atë kohë. Sipas martiriologëve latinë, festa e Shën Arkadit kremtohet më 12 janar, ndërsa në martiriologët lindorë emri i tij nuk përmendet.

Dokumenti më i çmuar i kultit të Shën Arkadit është predikimi që i kushton Shën Xenoni, ipeshkëv i Veronës, i cili ka mundësi të ketë qenë me origjinë afrikane. Duket qartë se Shën Xenoni pati një devocion të madh për Arkadin e besohet se ishte ai vetë që i solli Aktet e martirizimit të Shenjtit në Veronë, gjë që kujtohet që në fillim të panegjirikut të ipeshkvit kushtuar Shenjtit.

12 janar 2024, 08:56