Kërko

Me 20 janar kalendari kujton Shën Sebastianin, martir

Shën Sebastiani u martirizua nën perandorin Dioklecian dhe u varros në katakombet, që mbajnë emrin e tij. Sipas gojëdhënës qe kalorës dhe kishte miqësi me perandorin. Duke përfituar nga kjo miqësi, ndihmoi të krishterët e burgosur dhe të dënuar me vdekje. Përveç kësaj, u predikonte ushtarëve dhe të burgosurve, disa prej të cilëve u bënë të krishterë

R.SH. / Vatikan

Sebastiani qe oficeri që ndihmoi fshehurazi të krishterët e persekutuar. Ai ishte një kalorës që përdori miqësinë e tij me perandorin Dioklecian për t’u sjellë lehtësim të krishterëve të burgosur dhe kjo e çoi në tortura. Sebastiani do të bënte edhe një punë misionare duke i konvertuar ushtarët dhe të burgosurit në fenë e Krishtit. Pastaj Diokleciani, duke u ndjerë i tradhtuar, kaloi në kërcënime dhe në fund në dënim. Sebastiani u lidh në trungun e një peme në një fshat të hapur dhe u qëllua me shigjeta nga disa shokë ushtarë.

Të dhënat historike mbi Shën Sebastianin, martir, janë vërtetë shumë të pakta, mirëpo përhapja e nderimit të tij, pra e kultit ka qëndruar ndër shekuj deri në ditët tona. Lindi në Milano në vitin 237 e vdiq si martir i Krishtit në Romë në vitin 304. Shën Sebastiani qe varrosur në katakombet e Romës, që më vonë morën edhe emrin e tij. Martirizimi i tij ndodhi gjatë sundimit të perandorit romak, Dioklecianit.

Populli katolik shqiptar e ka fort për zemr këtë shenjtor. Veçanërisht e kremtojnë si festë familjare: NIKAJ dhe THAQ. Kishat e kushtuara këtij shenjtori janë në NIKAJ dhe në IBALLE [Shqipëri], si dhe në PESHTER- Brus [Kosovë].

Sipas jetëshkrimit, Sebastiani qe një kalorës trim milanez, i shpërngulur në Romë i cili, duke shfrytëzuar miqësinë me Perandorin romak, u dh një ndihmë të çmuar të krishterëve të burgosur e sidomos atyre që ishin të dënuar me vdekje. Zhvilloi edhe veprimtari misionare, duke kthyer në fenë e Krishtit si të burgosurit, ashtu edhe ushtarët që i ruanin. Pra në Romë, ai i ngushëlloi të krishterët e persekutuar, duke punuar si oficer në Rojën Pretoriane. Si u zbulua se ishte i krishterë, u dënua me vdekje nga perandori Dioklecian, të cilit i shërbente. 

Martirizimi i tij është përshkruar me devocion e fantazi nga një murg i shekullit V me emrin Arnobi i Ri. Murgu tregon se në Romë zelli i Sebastianit në shërbim të të krishterëve arriti deri atje, sa të kthente në krishterim edhe vetë guvernatorin e Romës, Kromacin së bashku me të birin, Tiburcin, të cilët më pas do ta dëshmonin fenë e re me gjak, njëkohësisht me atë (Sebastianin) që i kishte bërë Bij të Krishtit. 

Një zell i tillë nuk mund të mos binte në sy në oborrin perandorak. Vetë Diokleciani perandor e thirri centurionin dhe i tha, me ton familjar: “Unë t’i kam hapur dyert e pallatit e me to, edhe rrugën e karrierës së shkëlqyer, ndërsa ti vë në rrezik jetën time...Më thuaj, vërtetë je i krishterë?”. Kujtojmë se asokohe të krishterët mbuloheshin me shpifje deri në atë masë, sa të paraqiteshin si persona të rrezikshëm, madje si kriminelë të tmerrshëm. Prej këndej edhe shqetësimi i perandorit romak, që kishte si roje kryesore pikërisht centurionin e pashëm e trim. 

Posa e pa se Sebastiani e dëshmoi pa asnjë ngurrim fenë e tij në Krishtin Zot, perandori romak Diokleciani kaloi menjëherë nga toni ledhatues, në atë kërcënues e në dënimin shembullor. Atëherë Sebastianin e lidhën për një trung në fushë të hapur dhe e mbytën duke e gjuajtur me shigjeta. Kështu edhe paraqitet në ikonat e shumta që i janë kushtuar këtij shenjti të jashtëzakonshëm. 

Po kujtojmë se Shën Sebastiani, martir i krishterë, është një nga personazhet kryesore edhe të romanit të shkruar nga kardinali Weiseman (Vajsman) “Fabiolës” kushtuar pikërisht martirizimit të bashkësive të para të krishtera.

Edhe populli katolik shqiptar e ka fort për zemr këtë shenjtor. Veçanërisht e kremtojnë si festë familjare: NIKAJ dhe THAQ. Kishat e kushtuara këtij shenjtori janë në NIKAJ dhe në IBALLE [Shqipëri], si dhe në PESHTER- Brus [Kosovë].

20 janar 2024, 09:27