Me 21 janar kalendari kujton Shën Anjezen, virgjër e martire
R.SH. - Vatikan
Me 21 janar, kalendari liturgjik romak kujton Shenjtën virgjër e martire romake, Anjezen, kulti i së cilës është shumë i lashtë, gjë që e vërteton prania e emrit të saj në Kanunin Romak, pranë e pranë me emrat e martirëve më të njohur të Kishës si: Luçia, Çeçila, Anastasi, Perpetua e Feliçita e të tjerë. Sipas traditës latine, Anjeza ishte një vajzë e re e martirizuar në Romë në Via Nomentana për dëshminë e saj heroike dhënë për fenë në Krishtin, pas mundimeve të ndryshme. Anjezja u konsiderua si një nga martiret më të shquara të Kishës, që meritonte të shënohej në Kanunin Romak, në lutjen kryesore eukaristike të Kishës.
Romë, 21 janar 305. Stadiumi i Domicianit, Sheshi i ardhshëm Navona. Qyteti i Amshuar përgatitet të derdhë një përrua të ri gjaku. Prej dy vjetësh, perandori Domician ka vendosur t’i zhdukë nga faqja e dheut gjithë të krishterët. Prej këndej, ka nisur një nga persekutimet më mizore kundër tyre. Duke i martirizuar me egërsi të paparë. Më 21 janar është radha e një vashe të mitur, 12-13 vjeçe, që paraqitet para gjykatësve të pamëshirë e ngarkuar me hekura. Fajtore për një faj të vetëm: është e krishterë.
Nuk pranon ta mohojë fenë e vet, e as ta përdhosë pastërtinë, kusht që ia ka bërë Zotit Jezu Krisht. Xhelatët përdorin të gjitha mjetet për ta bërë të heqë dorë, të mohojë. Po kot. Më në fund e humbasin durimin. E therin, pikërisht ashtu si thereshin asokohe qengjat. Shpata ngulet thellë në grykën e Vashës martire. E ky është fundi i Anjezes, sipas burimeve të lashta të krishtera, e, me pak ndryshime, edhe sipas atyre historiografike. Por, në se historia ka ndonjë dyshim, Kisha nuk dyshon kurrë në forcën e fesë së martires së mitur, që vuri kokën nën teh të shpatës, për Krishtin, siç nënvizoi Benedikti XVI më 2012: “Martirizimi për Shën Anjezën kishte kuptimin e pranimit të lirë e të fisëm të flijimit të jetës së saj të re, plotësisht e pa asnjë rezervë, që Ungjilli të kumtohej si vërtetësi e si bukuri, që ndriçon jetën. Në martirizimin e Anjezes, përballuar me guxim të pashoq në stadiumin e Domicianit, shkëlqen përgjithmonë bukuria e njeriut, që i përket Krishtit pa kurrnjë lëkundje, duke ia besuar gjithë vetveten Atij” (Fjalim mbajtur në Kolegjin Kapranika, 20 maj 2012).
Me martirizmin, pati vërejtur Papa Ratzinger, Anjeza vulos edhe një element tjetër të jetës së saj: virgjërinë për Krishtin e për Kishën: “Dhurimi i plotë përmes martirizmit përgatitet nga zgjedhja e lirë, e vetëdijëshme dhe e mirëmenduar e virgjërisë, dëshmi e vullnetit për t’i përkitur plotësisht Krishtit. Në se martirizimi është akt heroik përfundimtar, virgjëria është fryt i miqësisë së përhershme me Jezusin, që fiton pjekurinë në dëgjimin e përhershëm të Fjalës së Tij, në dialogun e lutjes, në takimin eukaristik. Anjeza, ende e re, kishte mësuar se të jesh dishepulle e Zotit do të thotë ta duash, duke vënë në lojë gjithë jetën” (Benedikti XVI, fjalim mbajtur në Kolegjin Kapranika, 20 maj 2012).
Lutja drejtuar Shën Anjezes:
O e bindshmja Shën Anjeze,
sa ngazëllim të madh provove kur,
në moshë të njomë, trembëdhjetë vjeçare,
e dënuar nga Aspasi për t’u djegur e gjallë,
i pe flakët duke u larguar prej teje
pa të prekur fare e duke iu turrur atyre, që dëshironin vdekjen tënde.
Pash gëzimin shpirtëror, me të cilin more goditjen e fundit,
duke e lutur ti vetë xhelatin të ta ngulte në mes të kraharorit
shpatën, që do kryente flijimin tënd,
na e nxjerr edhe ne hirin t’i durojmë, si ti, të gjitha persekutimet
t’i mbartim të gjitha kryqet, me të cilët vihemi në provë,
e ta duam gjithnjë më shumë Zotin,
për të qenë në gjendje ta vulosim me vdekjen e të drejtëve,
një jetë të kaluar me pendesë e flijim. Amen!