Kërko

San Vincenzo Pallotti San Vincenzo Pallotti

Me 22 janar kalendari kujton shën Vinçenc Palotin, meshtar

Shën Vinçenc Paloti meshtar i mirë, i përgatitur, rrëfyes, aktivizohet në shumë vepra bamirësie. Fliste për ‘apostullimin katolik” si detyrë dhe e drejtë e çdo besimtari, sepse Zoti i urdhëron të gjithë të kujdesen për shëndetin e shpirtit të të afërmit. Mbi këtë bazë lindi në vitin 1835 Vepra e Apostullimit Katolik, shoqatë laikësh (që njihen me emrin Palotine). Qëllimi: ta bënte Krishtin të njohur me fjalë, me mësim, me vepra materiale e shpirtërore bamirësie

R.SH. - Vatikan

Shën Vinçenc Palotti, meshtar, qe aktivizuar në shumë vepra bamirësie. Ai diti të interpretonte shenjat e kohës: ndërsa shumë katolikë dhe klerikë u përpoqën të frenonin forcat armiqësore ndaj Kishës me polemika ose duke përdorur taktika mbrojtëse, ai studioi një plan dëshmie e bamirësie që përfshinte të gjithë besimtarët jo vetëm në përhapjen e fesë midis të pafeve dhe jokatolikëve, por edhe në ringjalljen, ruajtjen dhe rindezjen e saj mes vetë katolikëve dhe në ushtrimin e të gjitha veprave shpirtërore e trupore të mëshirës nëpërmjet bamirësisë. Me këtë vepër ai synonte mbi të gjitha t'i bënte të laikët e krishterët të ndjenin mandatin e tyre apostolik dhe t'i vendoste përkrah klerit në një apostullim të organizuar.

Vinçenc Paloti, romak, i lindur në vitin 1795, meshtar që nga viti 1818, u ndesh me mosbesim e pengesa të shumta në botën kishtare kur, ashtu si pak kush, (dom Nikollë Maca në Veronë për shembull) kuptoi ç’kërkonte koha nga katolikët.

Pas stuhisë së Revolucionit francez e të Napoleonit, ipeshkvij, priftërinj, rregulltarë e studiues u vunë me gjithë shpirt në mbrojtje të fesë. E Vinçenci e shikonte këtë dhe e vlerësonte. Por ai mendonte se kjo ishte e pamjaftueshme: problemi i vërtetë nuk ishte të mbrohej gardhi, brënda të cilit ndodheshin besimtarët. Jo, duheshin fituar besimtarë të tjerë, kudo, duke i shembur gjerdhet. E shtonte: kjo është detyrë e të gjithëve; çdo i krishterë e ka për detyrë ta ruajë fenë e ta përhapë atje ku nuk ka arritur akoma ose ku nuk është më. Ky ishte një program sulmi.

Vinçenci respektonte mandatin e veçantë të Papës, të ipeshkvijve, të klerit, por fliste edhe për ‘apostullimin katolik” si detyrë dhe e drejtë e çdo besimtari, sepse Zoti i urdhëron të gjithë të kujdesen për shëndetin e shpirtit të të afërmit. Mbi këtë bazë lindi në vitin 1835 'Vepra e Apostullimit Katolik', shoqatë laikësh, që do të kishte si pjesë të brëndshme e si forcë lëvizëse një bashkësi meshtarësh, e ndjekur nga Kongregata e 'Motrave të Apostullimit katolik' (që njihen me emrin Palotine). Qëllimi: ta bënte Krishtin të njohur me fjalë, me mësim, me vepra materiale e shpirtërore bamirësie Gregori XVI e miratoi veprën, e atëherë në Romë të gjithë nisën ta shikojnë me nderim don Vinçencin.

Por shoqëria e tij e apostullimit, pas fillimit të mbarë, nisi të haste pengesë pas pengese, duke filluar nga shtyrja e vazhdueshme e miratimit të rregullës (deri në vitin 1904). Vinçenci vdiq me famën e njeriut shenjt, por që ama e kishte bërë një gabim. Gjithsesi ai që quhej ‘gabimi i tij’, vijonte të përparonte, duke bërë që, në fund të shekullit XX, palotinët të luanin një rol gjithnjë më të rëndësishëm. E megjithatë ky i ashtuquajtur ‘gabim’, që solli frymë të re në Kishë, e ngadalësoi çështjen e shenjtërimit të Tij, gjithnjë përmes keqkuptimesh e dritëshkurtësie.

U desh Papa Piu XI për t’i dhënë fund mosbesimit e për ta shpallur Vinçencin punëtor të vërtetë’ e ‘bashkëpunëtor të çmuar të misionit katolik’, ndërsa shenjt u shpall nga Gjoni XXIII në vitin 1963. Dy vjet më pas, dekreti Apostolicam actuositatem i Koncilit II të Vatikanit do të shpallte solemnisht: “Laikët kanë të drejtën dhe detyrën e apostullimit, që buron nga bashkimi i tyre me Krishtin, Kryet e Kishës”. Kështu jehuan fjalët e Vinçenc Palotit, 130 vjet pas vdekjes së tij në Kishën universale, me zërin e Papës Pali VI dhe të ipeshkvijve të mbarë botës.

22 janar 2024, 09:38