Kërko

Më 23 janar kalendari kujton Shën Eemerencianën, virgjër e martire

Gjatё salikimeve tё Shёn Anjezёs, një sulm i paganëve i shpërndau të krishterët. Po Emerenciana jo vetëm që nuk iku, por u bënte thirrje sulmuesve të hiqnin dorë nga urrejtja ndaj të krishterëve, pёr kёtё ata e mbytën me gurë. Shën Eemerencian vdiq për mbrojtjen e drejtësisë e duke dëshmuar Zotin., duke hapur udhën doktrinës së Pagëzimit të gjakut

R.SH. - Vatikan

Mё 23 janar kalendarin kishtar përkujton Shën Emerencianën, virgjër e martire katekumene. Një autor i panjohur i shekullit V i shtoi përshkrimit mbi martirizimin e Shën Anjezes, një kapitull të tretë, në të cilin tregon si u kremtuan salikimet e shenjtores, si iu duk prindërve tetë ditë pas vdekjes e si u themelua bazilika për nder të saj nga Kostanca, bija e Kostandinit.

Ndërmjet besimtarëve që morën pjesë në salikimet e Shën Anjezes, kujtohet edhe Emerenciana, virgjër e katekumene. Në sa vijonin salikimet, një sulm i papritur i paganëve fanatikë i shpërndau të krishterët. Po Emerenciana jo vetëm që nuk iku, por nisi t’u bënte thirrje sulmuesve të hiqnin dorë nga urrejtja për të krishterët, duke përfunduar e mbytur me gurë.

Prindërit e shën Anjezes e varrosën trupin  Emerencianës në një nga pronat e tyre, fare pranë trupit të bijës së martirizuar. Kështu shën Eemerenciana, që ende nuk e kishte marrë Pagëzimin e shenjtë, u pagëzua me gjakun e vet, duke hapur kështu udhën doktrinës së Pagëzimit të gjakut, sepse vdiq për mbrojtjen e drejtësisë e duke dëshmuar Zotin.

Në Martirologun Jeronimian shkruhet se Emerenciana u varros në Varrezën e madh të rrugës romake Nomentana, së bashku me një grup martirësh të tjerë, në krye të të cilit ishte Viktori. Duke qenë i lidhur ngushtë me shën Anjezen, emri i saj fitoi popullaritet të madh. Shenjë e qartë e këtij popullariteti është caktimi i datës së përkujtimit të saj liturgjik më 23 janar, dy ditë pas festës e përkujtimit të shën Anjezes. Festa e saj u caktua që në shekullin VIII e u regjistrua menjëherë në Martirologun e Bedës, në kodikët e vonë Jeronimianë e në Sakramentarin e Gjelazios, prej nga kaloi pastaj në Mesharin dhe në Martirologun Romak.

Edhe në ikonografinë e Varrezës së madhe, Eemerenciana paraqitet më shumë në mes të grupit të martirëve, pranë të cilëve ishte varrosur, por nuk mungojnë edhe ikonat e lashta në të cilat paraqitet vetëm ose ndërmjet shën Paolinës e shën Daries, virgjëra. Mbi varrin e martires, menjëherë pas përfundimit të martirizimit të të krishterëve, i ngrit një Kishës, që sipas Liber Pontificalis, u ndërtua nga Adriani rreth viteve 772-795.

Në shekullin IX reliket e shën Emerencianës u bartën në bazilikën e shën Anjezes në Romë. Papa Pali V porositi një arkëz artistike argjendi, në të cilën u mblodhën reliket e të dyja shenjtoreve, për t’u varrosur pastaj në elterin e madh. Por kujtimi i martires është i gjallë edhe në Kisha e Bazilika të tjera, posaçërisht në Romë, duke u nisur nga bazilika e Shën Anjezës në Sheshin romak Nanvona, kur në vitin 1123 iu kushtua një elter, për të kaluar më pas në bazilikën e Shën Pjetrit në Vinkoli, ku ruhet koka e saj, në Kishën e shën Anjezes në Kampitel, ku ruhet një gisht e së fundi, te famullia kishtare e madhe në rrugën Nomentana, me ermin e shën Emerencianës

 

23 janar 2024, 09:38