Kërko

Me 26 janar kalendari kujton shën Timoteun e Titin, dishepuj të shën Palit

Shenjtorët Timoteu e Titi janë fryt i predikimit dhe i veprimtarisë së Apostullit të Popujve. Ishte pikërisht Pali ai që i ndihmoi të ktheheshin në udhën e Krishtit, ai që i ushqeu me dashuri kristiane e atërore e që i bëri dy fanarë të ndritshëm për njerëzimin

R.SH. / Vatikan

Shenjtorët Timoteu e Titi, të dy dishepuj dhe bashkëpunëtorë të ngushtë të shën Palit Apostull, i pari i Kishës së Efezit dhe i dyti, i Kishës së Kretës. Pra, shenjtorët Timoteu e Titi janë fryt i predikimit dhe i veprimtarisë së Apostullit të Popujve. Ishte Pali ai që i ndihmoi të ktheheshin në udhën e Krishtit, që i ushqeu me dashuri kristiane e atërore e që i bëri dy fanarë të ndritshëm për njerëzimin.

Timoteut e Titit, e shoqëruan Palin në shtegtimet e tij misionare nga Azia e Vogël në Maqedoni, duke e çuar fenë e re nё Jezu Krishtin Zot e Shёlbues, në të cilën sapo ishin kthyer, ndër të krishterët e parë të Efezit e të Korintit. Shën Pali e respektonte aq shumë Timoteun sa ta quante publikisht ‘alter ego’, dmth një Pal tjetër. Në një nga letrat drejtuar bashkësive të para të krishtera, Shën Pali shkruan: “Nuk kam asnjë tjetër me të cilin më përkon shpirti, që të kujdeset pa kursim për ju, ashtu si do të kisha bërë unë vetë.

Edhe Titin Shën Pali e quajti “biri im i vërtetë në fenë e përbashkët’. E ai më pas u bë simbol i paqes që sillte me vete feja e re, duke e çuar atë në gjirin e bashkësisë së trazuar të KorintitPali u takua për herë të parë me Timoteun, ende djalosh i ri, në Listri: ai ishte bir i një babai pagan e i një nëne hebreo-kristiane me emër Euriçe, dishepulle e Shenjtit e bashkëpunëtore e tij. I edukuar në frymën e Shkrimit Shenjt, duke dëgjuar fjalët e Apostullit e duke parë veprimtarinë e tij të jashtëzakonshme, u kthye në fe dhe u pagëzua nga vetë Pali, i cili më pas e mori me vete. E gjithë jeta e Timoteut do të lidhej ngushtë me atë të Apostullit, për të cilin do të bëhej bir, bashkëpunëtor, shok udhe, mik, trashëgimtar.

Titi lindi prej prindërve grekë, akoma paganë. U pagëzua nga Apostulli, i cili e përcolli në Koncilin e parë Kishtar të Jerusalemit. Më vonë e gjejmë në Kretë, në Maqedoní, në Romë e Dalmací.

Timoteu e Titi, të dy dishepuj e bashkëpunëtorë të shën Palit, u caktuan prej tij si barinj: i pari i Kishës së Efezit e i dyti, i Kretës. Pas martirizimit të shën Palit, Timoteu vijoi të kryesonte Kishën e Efezit deri në vitin 97 kur, sipas traditës, vdiq në kulmin e veprimtarisë baritore. Njoftimin e fundit për të na e jep shën Pali pak para se të martirizohej: “Titi është në Dalmaci”. Nuk kemi më asnjë njoftim tjetër.

Kujtojmë se këtyre dy dishepujve, shën Pali u drejtoi tri letra apostolike me përmbajtje baritore. Janë të vetmet letra të Shkrimit Shenjt drejtuar një individi, të pasura me hollësi nga jeta e Apostullit që, tashmë i plakur, gëzohet se lë pas dy bij në Krishtin, për të vijuar misionin e ungjillëzimit. Përmes dy shenjtorëve Timoteut e Titit, Pali mundi të mishëronte atë, që është zemra e predikimit të tij: feja në Jezu Krishtin e çliron njeriun nga ligji, ndonëse shëlbimi vjen nga judenjtë, nga fisi i Davidit. Ajo që ka vërtetë rëndësi, është ndërgjegjja e pastër dhe besimi i patundur në Zotin, i mishëruar në jetën e përditshme përmes veprave të mira.

 

26 janar 2024, 10:04