Kërko

Me 30 janar kalendari kishtar kujton Shën Martinën

Sipas traditës, Shën Martina ishte e bija e një fisniku të shekullit të tretë dhe pasi u arrestua, u dërgua në gjykatën e perandorit romak, para të cilit nuk pranoi t'i bënte fli për perëndisë Apollo. Një zgjedhje e vendim që i kushtoi asaj tortura të shumta dhe përfundimisht martirizimin për shkak të fesë në Jezu Krishtin. Kulti për nderim të Shën Martinës është dëshmuar që në shekullin e 6-të, kur asaj iu kushtua një bazilikë në Forin e Romës.

R.SH. - Vatikan

Me 30 janar kalendari Kishtar përkujtoi Shën Martinën, martire. Historia e kësaj vajze të re fillon nga fundi i jetës së saj, nga varri. Mësojmë se 1.440 vjet pas martirizimit, në vitin 1534, i zellshmi Papa Urbani VIII, i impenjuar në frontin shpirtëror në kundëreformën katolike e në atë material, në rindërtimin e kishave romake, zbuloi në një Kishë në Foro Romano sarkofagun me reliket e Shenjtores Martina, gjë që e dëshmonte një epigraf i shkruar mbi kapakun e arkivolit. Ky zbulim ringjalli, kështu, në shpirtin e besimtarëve romakë devocionin për Shën Martinën, duke caktuar 30 janarin si datë të festës së saj, festë që kishte nisur të kremtohej që në shekullin VIII.

Martina një nga Pajtoret e Romës

Historia flet pak për të. Lajmi më i lashtë që kemi për martiren, është se papa Onori I i kushtoi një Kishë në Forin romak. Pesëqind vjet më pas, gjatë gërmimeve në këtë Kishë, u gjetën varret e tre martirëve. Kaq na tregon historia. Për të ditur diçka më shumë, na duhet t’i drejtohemi gojëdhënës. Sipas traditës, Martina qe diakoneshë, bijë e njërit nga konsujt më të shquar romakë të kohës. U martirizua nën Aleksandër Severin (222-235).

Sipas tregimit mbi martirizimin e saj, Martina u zvarrit para një shtatoreje të Apolit, të cilën jo vetëm që nuk pranoi ta adhuronte, por e rrëzoi nga piedestali dhe e bëri copë-copë. Rrëzimi i shtatores – gjithnjë sipas gojëdhënës - shkaktoi një tërmet të fuqishëm që rrënoi krejt tempullin. E nën rrënoja gjetën vdekjen edhe priftërinjtë e perëndisë pagane. Mrekullia u përsërit me shtatoren e Artemidës. Kjo duhet t’i kishte shtyrë persekutorët e saj të reflektonin sadopak; por ata përkundrazi, të tërbuar edhe më keq, vijuan të provonin tortura edhe më mizore mbi gjymtyrët e saj të njoma. Po ajo i përballoi. Atëherë ia prenë kokën me shpatë e gjaku i saj vaditi truallin mbi të cilin do të lulëzonte Kisha romake.

30 janar 2024, 09:25