Kërko

Me 31 janar kalendari kishtar kujton Shën Gjon Boskun

Shën Gjon Bosko, themelues i Salezianëve, atë e mësues i të rinjve. Shenjtorë dëshmojnë se bamirësia dhe shёrbimi duhet të zënë vendin e parë në jetën e të krishterit. Këtë na kujton edhe shembulli frymёzues i Shёn Gjon Bosko-s, i cili nё epokёn moderne, i përflakur nga dashuria e Jezusit, Bariut të Mirë, nis të kujdeset për të rinjtë më të braktisur e bëhet për ta atë e mësues. Dom Domenik Qerimi flet për karizmën e misionit të Salezianëve dhe Salezianeve, posaçërisht për misionin me të rinjtë

R.SH. - Vatikan

Me 31 janar kalendari kishtar kujton Shën Gjon Bosko-n, themelues i Salezianëve, atë dhe mësues i të rinjve. Shenjtorë dëshmojnë se bamirësia dhe shёrbimi duhet të zënë vendin e parë në jetën e të krishterit. Këtë na kujton edhe shembulli frymёzues i Shёn Gjon Bosko-s, i cili nё epokёn moderne, i përflakur nga dashuria e Jezusit, Bariut të Mirë, nis të kujdeset për të rinjtë më të braktisur dhe bëhet për ta atë e mësues.

Gëzimi, studimi, lutja dhe mirësia: "formula", kjo e tij për shenjtëri

Për Shën Gjon Boskon formula e shenjtërisë është e thjeshtë: “së pari: gëzimi. Së dyti: detyra e studimit dhe lutja. Së treti: t’u bësh mirë të tjerëve”. Një formulë që ai vetë e jetoi si dëshmitar me gjithë energjinë e tij, duke ndihmuar në ndërtimin e njërës prej “shkollave më të shquara të shenjtërisë”: atë të familjes rregulltare Saleziane. Një trashëgimi zemra e së cilës është angazhimi për edukimin e brezave të rinj: "Ne synojmë të edukojmë qytetarë të ndershëm dhe të krishterë të mirë", tha Don Bosco, i cili lindi më 1815 në Castelnuovo d'Asti, sot Castelnuovo Don Bosco, në Itali. Pasi u bë meshtar më 1841, në të njëjtin vit filloi të punojë në veprën e cila më vonë u bë Shoqëria Saleziane, e themeluar në 1854. Më 1872, me Shenjtën Maria Domenica Mazzarello (1837-1881), Shën Gjon Bosko themeloi Institutin e Bijave të Marisë Ndihmëtare. Don Bosko vdiq në 1888: i kishte dhuruar botës themelet për një "pedagogji të re të zemrës".

Më 31 janar 1988 Gjon Pali II e shpalli shën Gjon Boskun "atë dhe mësues të rinisë". “Në shkollën e Don Boskos, kemi shembullin e shenjtërisë që dëshmohet në të qenurit shumë të gëzuar dhe në përmbushjen sa më të përsosur të detyrave tona”, pati thënë Shën Dominiku Savio.

Saleziani shqiptar dom Domenik Qerimi flet për karizmën e misionit të Salezianëve dhe Salezianeve, posaçërisht për misionin me të rinjtë në Uratorore, ta dëgjojmë:

dom Domenik Qerimi

Gjon Bosku është shenjt i madh i kohëve moderne, pajtor qiellor i studentëve e i botuesve, meshtar torinez, i lindur në vitin 1841. Shenjti kujtohet si krijues i Oratorëve, vend takimi e dëfrimi për të rinjtë, edukimit të të cilëve Shenjti ia kushtoi gjithë jetën, dhe si themelues i vëllezërve Salezianë dhe i motrave Saleziane. Don Bosku vdiq më 31 janar 1888 dhe u kanonizua nga Papa Piu XI në vitin 1934. Festa e tij liturgjike kremtohet kudo kryejnë misionin familjet saleziane, por kremtimet kryesore mbahen në Torino. 

Kujtojmë se familja rregulltare Saleziane është e pranishme ndër shqiptarë. Në Shqipëri që në vitet ’30 dhe pas ndërprerjes gjatë periudhës komuniste, në vitin 1992 rregulltarët salezianë janë kthyer menjëherë, për të ngritur oratorët dhe qendrat e tyre sociale në Tiranë e në Shkodër, në sa prej vitesh vijojnë misionin në Prishtinë e Gjilan të Kosovës, dhe në Podgoricë të Malit të Zi. 

31 janar 2024, 07:10