Me 8 janar kalendari kujton Shën Severinin, abat

Shën Severinin, abat, me bamirësinë, dashurinë dhe kujdesin e tij të jashtëzakonshëm për nevojtarët, arriti të fitonte përfundimisht zemrat e thjeshta të barbarëve, duke filluar nga krerët e tyre, të cilët nisën ta dëgjonin plot respekt çdo fjalë të Shenjtit e të këshilloheshin me të para çdo ngjarjeje të madhe, si të ishte lajmëtar qiellor

R.SH. - Vatikan

Me 8 janar kalendari kishtar kujton Shën Severinin abat. Evropa veriore, në vitet midis fundit të Perandorisë dhe fillimit të Mesjetës, njohu një nga ungjillëzuesit më të mëdhenj në histori: shën Severin, Abat.

Aftësi diplomatike, por mbi të gjitha një karizëm të madhe: këto janë karakteristikat më të rëndësishme të Shenjtit, kujtimin liturgjik të të cilit e bëjmë sot. Shën Severini, sipas burimeve historike, lindi në Itali në vitin 410 p.K.,. Nuk ishin vite të thjeshta asokohe: Perandoria Perëndimore, pas disa vitesh, do të zhdukej dhe, veçanërisht, vështirësitë vinin pikërisht nga tokat e ungjillëzuara nga shenjti: Evropa Veriore. Ne e dimë se Shën Severini u shpërngul në rajonin e Norikut (përfshinte një pjesë të Austrisë dhe një pjesë të Gjermanisë) rreth vitit 453. Aftësitë e tij të mëdha administrative dhe diplomatike e shtynë atë të arrinte poste të ndryshme në ato vende. Por, kryesisht, shenjti merrej me misionin duke u “kujdesur për shpirtrat” e besimtarëve.

Në shekullin V, pas Krishtit, pas sulmeve të pandërprera të pushtuesve vizigotë, ostrogotë, vandalë, svevë, burgundë, frankë Perandoria Romake e Perëndimit u shemb. Ndërsa mbretëronte atmosfera e shkatërrimit të përgjithshëm, Kisha katolike mbetej e vetmja pikë referimi për mbijetesën e njerëzve të tmerruar. Në këto rrethana historike kreu misionin e tij Shën Severini, Apostull i Norikut.

I lindur në gjirin e një familjeje fisnike romake rreth vitit 410, pasi jetoi në Lindje, rreth vitit 454 Severini u vendos pranë Danubit, në kufirin ndërmjet Norikut e Panonisë, ku ngriti shumë kuvende për të strehuar popullsitë e kërcënuara nga sulmet barbare si dhe për të vijuar rrezatimin e mësimeve të Ungjillit në gjirin e popullsive të reja. Nisi kështu jetën kundruese, eremite dhe misionare duke hyrë në lidhje të drejtpërdrejtë me popullsitë barbare të kohës, në përpjekjen për t’u ndriçuar mendjet e për të përtërirë shoqërinë romake në rënie, përmes shkrirjes së forcave të vjetra me ato të reja.

Me guxim të pashoq, që çuditi deri luftëtarët më të vrazhdë, Severini arriti në Komagjene, që ishte ndër duart e armiqve. E me bamirësinë, dashurinë dhe kujdesin e tij të jashtëzakonshëm për nevojtarët, arriti të fitonte përfundimisht zemrat e thjeshta të barbarëve, duke filluar nga krerët e tyre, të cilët nisën ta dëgjonin plot respekt çdo fjalë të Shenjtit e të këshilloheshin me të para çdo ngjarjeje të madhe, si të ishte lajmëtar qiellor. E nuk munguan edhe shenjat që vinin nga qielli, për të vërtetuar parafoljet e tij.

I nderuar dhe i dashur si nga njerëzit e thjeshtë, ashtu edhe nga mbretërit e nga luftëtarët, Severini abat jetoi varfërisht, në përkim me Ungjillin, pa kërkuar kurrë përfitime materiale. Vishej njëlloj verë-dimër, flinte pak orë i shtrirë përdhe, me ijet e ngjeshura në grathore; në kohën liturgjike të Kreshmëve hante vetëm një herë në javë. Vdiq më 8 janar të viti 482. Reliket e tij nderohen në Fratamagjore, pranë Napolit.

08 janar 2024, 09:53