Bota, gjithnjë e më e pabarabartë
R.SH. – Vatikan
Organizata jo qeveritare Oxfam, me seli në Nairobi të Kenias, paraqiti sot raportin "Pabarazia: pushteti në shërbim të pak vetëve", duke vënë në dukje se bota është gjithnjë e më e pabarabartë dhe se hendeku ndërmjet veriut dhe jugut thellohet vazhdimisht. Që nga marsi 2020 deri në fund të nëntorit 2023, pesë njerëzit më të pasur në botë – Elon Musk, Bernard Arnault, Jeff Bezos, Larry Ellison dhe Warren Buffett – e shtuan pasurinë e tyre me 114%, ndërsa 5 miliardë njerëz më të varfër kanë mbetur të tillë e nuk e kanë ndryshuar aspak gjendjen e tyre.
Siç shkruhet në gazetën vatikanase “L’Osservatore Romano”, e cila publikon lajmin, ka edhe një të dhënë tjetër, që merr kuptim të veçantë në këtë situatë: "1% e njerëzve më të pasur në botë zotëron 59% të të gjitha letrave me vlerë financiare". Një përqendrim i paprecedentë, sipas raportit të Oxfam-it. Nga kjo rrjedh se, me ritmet aktuale, do të duhen mbi 2 shekuj (për të qenë të saktë, 230 vjet) për t'i dhënë fund varfërisë. Por, nga ana tjetër, shpjegon Organizata ndërkombëtare, brenda një dekade mund të kemi “trilionerin” e parë në historinë e njerëzimit. Nuk është ndonjë gjë për t’u mburrur, po të mbahet parasysh, siç nxjerr në pah studimi, se për 791 milionë të punësuar në 52 vende, pagat nuk janë rritur me të njëjtin hap me inflacionin.