Dom Ndoc Nikaj, meshtar e atdhetar, nё përvjetorin e vdekjes
R.SH. - Vatikan
Mё 16 janar kujtojmё pёrvjetorin e vdekjes sё dom Ndoc Nikajt (15.6.186-16.01.1951), meshtar katolik dioqezan, historian, veprimtar atdhetar, është gjithashtu autori i romanit të parë, shkruar në shqip. Dom Ndoc Nikaj, pra, meshtar shqiptar që hyn në radhën e atyre priftërinjve e shkrimtarëve të cilët veprimtarinë meshtarake dhe shkrimin e kuptuan si mision në shërbim të Zotit e të popullit shqiptar, duke mbështetur idenë kombëtare.
Dom Ndoc Nikaj lindi në Shkodër më 15 qershor 1865, ndёrsa ndёrroi jetё në burgun e Shkodrës më 16 janar 1951. Ky meshtar shqiptar hyn në radhën e atyre priftërinjve e shkrimtarëve të cilët veprimtarinë meshtarake dhe shkrimin e kuptuan si mision në shërbim të Zotit e të popullit shqiptar, duke mbështetur të mirën kombëtare.
Dom Ndoc Nikaj qe shkrimtar dhe punëtor i palodhshëm, njeri i zellshëm i cili për mëse 50 vite me radhë punoi duke mos lëshuar pendën prej dorës për të lëvruar gjuhën shqipe dhe për të ringjallë tek populli idenë kombëtare, për të përforcuar identitetin etnik e shpirtëror. Si i tillë, dha kontribut me rëndësi të jashtëzakonshme për historinë e kulturës shqiptare, edhe sa i përket krijimtarisë së tij të madhe e poliedrike, e sidomos duke pasur parasysh kohën kur dom Ndoc Nikaj punoi, kohë kur gjuha shqipe ishte rreptësishtë e ndaluar nga ana e qeverisë turke.
Veprimtarinë letrare e fillon kur ishte ende nxënës në seminarin Papnor në Shkodër, ku po përgatitej për meshtari. Librin e parë e botoi në vitin 1888 e cila mban titullin “Vakinat e Kishës”, vepër e cila u botua në shtypshkronjën e Propaganda Fide-s në Romë. Dom Ndoc Nikaj në këtë vepër pati dy qëllime të larta: të njihet sa më mirë historia e Kishës, e populli të ketë njohuri mbi Kishën dhe krishterimin, dhe e dyta të nxisë e ringjallë tek populli shqiptar dëshirën e shijen për lexim në gjuhën shqipe. Një vit më vonë (1889) boton romanin “Marcja”, titulli në origjinalin e veprës është: “Marzia e ksctenimi n’filles t’vet” (Marcia e krishtënimi në fillesë të vet), i cili së shpejti u përhap pothuaj në të gjitha familjet e Shkodrës e ato shqiptare.
Abati i Mirditës, Imzot Prenkë Doçi një ditë bashkë me disa bashkëpunëtorë shkon në Shkrel ku Dom Ndoci ishte famullitar. Bashkë me Dom Ndocin vendosin të formojnë një shoqëri që do të kishte për qëllim përhapjen e idesë kombëtare dhe çlirimin e tokave shqiptare nga sundimi otoman. Kjo shoqëri thirrej “Lidhja e Mshehtë”.
Lidhja u përhap sidomos duke iu falënderuar punës së palodhshme të Dom Ndoc Nikajt dhe më vonë përgatiti kryengritjen kundër sundimit otoman. Dom Ndoci qe transferuar prej Shkrelit në Dajç të Bregut të Bunës. Ideja për kryengritjen kundër qeverisë turke vinte gjithnjë duke u pjekur, kur dhe pas përgatitjeve të duhura ajo plasi më 25 mars 1910 dhe zgjati deri më 1912 me fitimin e pavarësisë. Prifti shqiptar dom Ndoca Nikaj qe ai që kryengritjen e ndihmoi në çdo mënyrë, madje ai ishte frymëzuesi i saj.
Kur imzot Prenkë Doçi përpiloi programin për formimin e shoqërisë letrare “Bashkimi” (1899), Dom Ndoci qe punëtori më i zellshëm dhe puna e veprimtaria e tij e madhe e këtij krijuesi bëri që shoqëria të përhapej dhe të fitonte rëndësi të madhe. Më 1909 solli në Shkodër një shtypshkronjë në të cilën do të botohen fletore dhe libra në gjuhën shqipe.
Kështu më 1910 boton një ndër të parat fletore politike në Shqipëri. Kjo fletore qe botuar me emra të ndryshëm: numri i parë u quajt “Koha”. Ky titull i bie qeverisë osmane në sy, prandaj e detyroi Dom Ndocin të ia ndryshonte titullin dhe u quajtur “Bashkimi”, pastaj “Besa Shqyptare”, “Zani i Shkodrës”, sipas kushteve të politikës së brendshme që ekzistonin asokohe në Shqipëri. Kjo fletore u botua në vitin 1921.
Në të pati artikuj plot guxim, me frymë kombëtare, për çka edhe Dom Ndoci qe dënuar me burgime, goditje të rënda, kërcënime etj. Më 1897 Faik Konica fillon botimin e përkohshëm “Albania”. Në këtë revistë dom Ndoc Nikaj merr pjesë pothuaj rregullisht me artikuj me përmbajtje politike, shoqërore dhe atdhetare. Këtu kishte pseudonimin “Nakdomonici” ku Atë Gjergj Fishta në poezinë satirike “Nakdomonicipedija” “përqesh” përpjekjet fisnike dhe atdhetare të këtij prifti të madh shqiptar.
Dom Ndoc Nikaj punoi pa u lodhur edhe për ta njohur Evropën me çështjen e lirisë së tokave shqiptare. Për këtë qëllim mbante kontakte të rregullta me të gjitha shoqëritë shqiptare të krijuara nëpër qendra të Evropës. Dom Ndoc Nikaj vdiq në burgun e Shkodrës më 16 janar 1951.
Krijimtaria letrare
Krijimtaria letrare e këtij shkrimtari përfshin më se 30 vepra me përmbajtje të ndryshme. Elementi kryesor i të gjitha veprave pothuaj është i marr nga jeta shqiptare: përshkruhen zakonet e lashta dhe fisnike të shqiptarëve, bëhet fjalë për historinë e kombit, subjektet e tija janë të gjitha nga jeta e njerëzve tanë. Vepra më e rëndësishme është “Historia e Shqypnis”, vepër me 414, botuar në Bruksel më 1902.
“Përshkrimet e luftimevet të Shqyptarëvet kundra Turkut, nën kryesin e fatosit Skenderbeg, deri në ramjen e Shkodrës në vjetin 1478, janë të gjalla e të shkrueme me nji entuziazëm kombtar, prej të cilit shihet zemra e ndezun e shkrimtarit për fisin e vet”. (Shkrimtarët Shqiptarë, Tiranë, pjesa II, fq. 93.) Bashkë me Dom Kolecin, i cili është autor kryesor i fjalorit të njohur “Bashkimi” (1908) edhe Dom Ndoc Nikaj punoi në përmbledhjen e fjalëve dhe të thesarit popullor nëpër famullina kishtare ku veproi si prift famullitar.
Ja disa nga veprat e shumta botuar prej autorit në fjalë:
“Vakinat e Kishës” (1888), “Marcja e Turkis” (1902), “Historija e Turkis” (1902), “Bleta ndër lule të Parrizit” (1907), fletorja “Koha”, Bashkimi, “Besa Shqiptare” etj. (1910 – 1921), “Kalendari me diftime gjithfarësh” (1910), “Diftime të natyrshme” (1912), “Bleta e re” (1912), “Shkodra e rrethueme” (Pjesa I, 1913), “Shkodra e rrethueme” (Pjesa II, 1913), “Abetari i vogël për Msojtore” (1914), “Të ndollmet e Kishës” (1914 – botim i dytë), “Abetari i madh” (1914), “Libri i Blertë i Italis” (1915), “Kndime të Para” (1915), “Diftime të Natyrshme të unjishme” (1915), “Tivari i marrun” (1915), “Bisedime Shqyp – tedeshk” (1915), “Abetari” (dorë e dytë 1916), ”Histori e Shcypnis” - “Përmbledhje e historis së Shqypnis për shkolla” (pjesa e parë, botuar në Bruksel me 1902 dhe e dyta, botuar në Shkodër, më 1917), "Bukurusha” – roman historik (1918), “Ulqini i marrun” – roman historik (1918), "Burbuqja” – roman historik (1920), “Motra për vllan” (1924), “Kalendari”, “Shqyptari” (1906, 1914, 1915) etj.
I mbeten të pabotuara edhe shumë dorëshkrime, ndër të cilat janë edhe shtatë romane: katër historik të vendit dhe tre në përkthim të lirë. Këta janë: “Lulja e Veshkun”, “Dashuni e Mshehët”, “Për mik”, “Ç’pat thanë gjyshja”, “Han Islandi”, “Nji Testament”, “Te Shpella e Murosun”.
Apostull i kulturës shqiptare
Dom Ndoc Nikaj qe vërtetë një apostull i kulturës shqiptare, apostull dhe luftëtar i palodhshëm e i patrembur i idesë kombëtare. Tërë jetën e vet e shkriu në shërbim të ngritjes shpirtërore dhe kulturore të popullit të vet shqiptar. Puna e palodhshme e këtij shkrimtari duhet çmuar edhe më tepër, kur dihet se tërë jetën, talentin dhe pasurinë e shkrini në botimin dhe përhapjen e librave të kulturës shqiptare.