Kërko

 - PATRIARCA MARONITA CARDINALE BECHARA BOUTROS RAI - 17 AGOSTO 2020- - PATRIARCA MARONITA CARDINALE BECHARA BOUTROS RAI - 17 AGOSTO 2020-

Gaza, patriarku maronit Raï : libanezët kundër luftës me Izraelin

Për kardinalin Beshara Raï popullsia nuk dëshiron një përshkallëzim në kufirin jugor, në vazhdën e konfliktit që vazhdon në Rrip. Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara dhe Evropa po intensifikojnë përpjekjet diplomatike për të shmangur një “metastazë” të dhunës. "Paralajmërimet" e Blinken dhe Borrell. Sulm haker-ave në aeroportin e Bejrutit, në display shkrime kundër nënshtrimit ndaj Hezbollahut dhe Iranit.

R.SH. / Vatikan

Në këto orë, po zhvillohen negociata të ethshme diplomatike në plan të parë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Evropën, së bashku me disa aleatë në botën arabe dhe në Gjirin Persik, përfshirë Katarin e Jordaninë, në përpjekje për të shmangur një zgjerim të konfliktit të Izraelit në Rripin e Gazës me përfshirjen e Libanit. Në të njëjtën kohë, në Tokën e Kedrave, zërat armiqësorë kundër "frontit të mbështetjes" në Gaza po bëhen gjithnjë e më të zhurmshëm dhe më të shumtë me ndërhyrjen e Hezbollahut në jug dhe sulmet e përsëritura me raketa, ndërsa konfirmohet solidariteti me popullsinë palestineze nën sulm të Izraelit.

Konflikti midis Izraelit dhe Hamasit në Rripin e Gazës, i cili vazhdon prej tre muajsh, mund të "metastazojë" rajonin, siç theksoi dje Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i cili aktualisht është në një turne të ri në vendet arabe dhe Izrael. Në një vizitë në Liban, kreu i diplomacisë së Bashkimit Evropian Josep Borrell deklaroi: "Unë besoj se lufta mund të shmanget, se duhet shmangur dhe se diplomacia mund të mbizotërojë [...]" dhe më pas përfundoi duke nënvizuar se si " lufta është alternativa më e keqe”. Duke mbërritur në Liban pas vrasjes së numrit dy të Hamasit nga Izraeli, Saleh el-Arouri në një bastion të Hezbollahut, Borrell u informua nga Komandanti i Përgjithshëm i Unifil, gjenerali Arnoldo Lazaro, për “rreziqet pasuese të përshkallëzimit përgjatë Vijës Blu”.

08 janar 2024, 12:49