Kërko

Gjergj Kastrioti Skënderbeu nё përvjetorin e vdekjes

Gjergj Kastrioti një nga gjeneralët më të mëdhenj të kohës, strateg i shquar i luftimeve mbrojtëse, që me një ushtri të vogël mundi të përballonte dhe të shkatërronte taborret e ushtrisë osmane, më të organizuarat dhe më modernet e kohës së vet, me Kuvendin e Lezhës vuri edhe themelet e një Shteti Arbër të organizuar – as para tij as pas tij princat shqiptarë nuk mundën të gjenin rrugën e bashkimit

R.SH. – Vatikan

Si çdo vjet, më datën 17 janar,  populli shqiptar, kudo, e përkujton heroin kombëtar, Gjergj Kastriotin, Skënderbeun (6 maj 1405 - 17 janar 1468), në ditën e kalimit të tij në amshim. Atleti i Krishtit, siç e quajti bota e krishterë, Gjergj Kastrioti ndërroi jetë në Lezhë, më 17 janar 1468, në moshën 63-vjeçare. Eshtë figura më e shquar në historinë e shqiptarëve, heroi kombëtar i popullit shqiptar, arbënori e i krishterit të flaktë, sikur e quajtën Papët e Romës.

Gjergj Kastrioti ka hyrë në histori si një nga gjeneralët më të mëdhenj të kohës, si një strateg i shquar i luftimeve mbrojtëse, sepse me një ushtri të vogël mundi të përballonte dhe të shkatërronte taborët e ushtrisë osmane, më të organizuarat dhe më modernet e asaj kohe. Kështu, për 25 vjet me radhë, Gjergj Kastrioti e ndaloi Perandorinë Osmane të depërtonte në zemër të Evropës, duke ruajtur e mbrojtur shqiptarët dhe vendlindjen nga sundimi i huaj.

Gjergj Kastrioti jo vetëm që e mbrojti dhe shpëtoi popullin e vendlindjen, po me luftën e tij e pengoi, madje e ndaloi edhe ekspansionin osman drejt Evropës, për çka fitoi mirënjohjen e Shteteve Evropiane dhe të Papatit të Romës, që kur qe gjallë dhe shumë më tepër pas vdekjes. Pastaj, duhet përmendur se, me Kuvendin e Lezhës, Gjergj Kastrioti vuri edhe themelet e një Shteti Arbër të organizuar – as para tij, as pas tij princat shqiptarë nuk mundën të gjenin rrugën e bashkimit.

Në përvjetorin e vdekjes së Gjergj Kastritotit, po kujtojmë fjalët kuptimore që Papa Shën Gjon Palit II i shqiptoi në aeroportin e Tiranës më 25 prill 1993 gjatë vizitës së tij papnore historike në Shqipëri, e para vizitë e një Pape në trevat shqiptare: Është detyrë të kujtojmë në këtë rrethanë heroin kombëtar e të krishterin e flaktë, Gjergj Kastriotin Skënderbeun, “mbrojtësin e Jezu Krishtit”....,“Sa herë në të kaluarën ju është dashur të mbroni me forcë identitetin tuaj. Me një angazhim të tillë, u shqua figura e lartë e të krishterit Gjergj Kastrioti Skënderbeut, i respektuar nga Papët e Romës dhe përjetësisht i gjallë në kujtimin e popullit shqiptar” (Gjon Pali II 25 prill 1993 Tiranë).

Pra, në qiellin shqiptar emri i Gjergj Kastriotit ka qenë dhe është një yll polar për gjithë brezat pasardhës, burim frymëzimi për rilindasit, shembull i ndritur për t’u pasur në betejat e ndryshimeve, për mbrojtjen e lirisë së popullit, për bashkimin dhe respektimin e dinjitetit të çdo qytetari, ,për kultivimin e vlerave që i hapin rrugën përparimit të mirëfilltë. Në figurën e pavdekshme të Gjergj Kastriotit, Skënderbeut, populli shqiptar kurdoherë ka shembullin dhe simbolin e bashkimit, të vëllazërimit, të lirisë, atdhedashurisë, harmonisë e demokracisë.

17 janar 2024, 09:26