Haiti: në Port-au-Prince rrëmbehen gjashtë murgesha. Ipeshkvi Dumas: “Akt barbar"
R. SH. - Vatikan
Në kryeqytetin haitian jetohet atmosfera e shtimit të incidenteve të dhunës deri në atë pikë, sa ditët e fundit disa lagje janë izoluar plotësisht. Sipas burimeve vendase, 6 murgesha nga kongregata Motrat e Shën Anës u rrëmbyen së bashku me njerëz të tjerë, duke përfshirë edhe shoferin, ndërsa po udhëtonin me autobusin, që shkonte drejt universitetit në kryeqytetin Port-au-Prince. Automjeti u ndalua nga burra të armatosur, të cilët hipën në autobus dhe i mbajtën peng të gjithë shtegtarët. Rrëmbimi ndodhi më 19 janar, në mes të ditës e në qendër të kryeqytetit.
Indinjata e Kishës Haitiane
Përdhunimi, i konfirmuar përmes një komunikate shtypi nga Konferenca Haitiane e rregulltarëve dhe rregulltareve, u denoncua me forcë nga Imzot Pierre-André Dumas, ipeshkëv i Anse-à-Veau dhe Miragoâne, i cili e dënoi "vendosmërisht këtë akt të ri të urryer e barbar, që nuk di të respektojë as dinjitetin e këtyre grave të përkushtuara, që i dhurohen me gjithë zemër Zotit për të edukuar dhe për të formuar të rinjtë, të varfërit dhe të pambrojturit në shoqërinë tonë”.
Në notë, Ipeshkvi bën thirrje për t’i liruar pengjet dhe për t'i dhënë fund "këtyre praktikave të neveritshme kriminale". Më pas fton: "E gjithë shoqëria haitiane të bashkohet për të formuar një zinxhir të vërtetë solidariteti rreth të gjithë njerëzve të rrëmbyer në vend, për lirimin dhe kthimin e tyre të shpejtë e të sigurt në gjirin e familjeve dhe të të dashurve të tyre!". Ipeshkvi Dumas shpreh edhe gatishmërinë të zërë, si peng, vendin të tyre.
Dhimbjet e Haitit në kryq, dhuratë për Papën
Që nga e diela e kaluar, bandat e armatosura i shpeshuan veprimet e tyre vrasëse, ndërsa në vend po organizohen demonstrata kundër pasigurisë. Të enjten, lagjja Solino, në jug të Port-au-Prince, ishte skena e përleshjeve të dhunshme ndërmjet bandave rivale e, në veçanti, një grupi të armatosur nga lagjja e afërt e Bel-Air. Përleshjet, sipas kreut lokal të një organizate humanitare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, shkaktuan rreth njëzet të vdekur. Edhe lagje të tjera në kryeqytet, si Carrefour Péan dhe Delmas 24, janë në pritje të sulmeve nga bandat. Në rrugët e Port-au-Prince, banorët ngritën barrikada për t'u mbrojtur. Për më tepër, gjatë javëve të fundit, në Port-au-Prince po shtohen rrëmbimet. Javën e kaluar, një mjek dhe një gjyqtar i paqes u rrëmbyen, për t’u liruar vetëm pasi u pagua një shpërblim.
Demonstrata kundër pasigurisë
Në të njëjtën kohë, manifestimet antiqeveritare po trondisin prej disa ditësh vendin, pas thirrjes së Guy Philippe, ish-shef policie dhe politikan, gjatë kthimit në Haiti pas përfundimit të një dënimi me burg në Shtetet e Bashkuara për pastrim parash lidhur me trafikimin e drogës. Protestuesit bëjnë thirrje për dorëheqjen e kryeministrit Ariel Henry, në pushtet pas vrasjes së presidentit Jovenel Moïse në vitin 2021, duke e fajësuar për paaftësi në udhëheqje të vendit si në planin ekonomik, ashtu edhe në atë të sigurisë.