Mons Mark Sopi, vescovo del Kosovo Mons Mark Sopi, vescovo del Kosovo

Imzot Mark Sopi, në 18-vjetorin e vdekjes

Në veprimtarinë e tij apostolike, imzot Mark Sopi ndoqi gjurmët e traditës së Kishës katolike ndër shqiptarë, duke mos e ndarë asnjëherë çështjen shpirtërore nga ajo atdhetare: “Për Fe e Atdhe” qe motua edhe e veprimtarisë së tij, që u këput në mënyrë aq të papritur më 11 janar 2006. Vdiq në punë, gjatë një takimi të rastit rreth Katedrales të Shёn Nenë Terezës në Prishtinë, qё do tё ndёrtohej.

R.SH. - Vatikan

Duke shfletuar kalendarinmë 11 janar, kujtojmë ipeshkvin e Kosovës, imzot Mark Sopin, në 18 përvjetorin e kalimit në amshim. Ipeshkvi i Kosovës imzot Mark Sopi (1938-2006), lindi në fshatin Binçë, komunë të Vitisë së Kosovës, më 26 shkurt 1938 në një familje të mirë, të madhe, fetare e bujare, pasardhëse e “Martirëve të Karadakut (1848-18480), e cila Markun qysh nga fëmijëria dhe rinia e pati edukuar e frymëzuar në dritën e fesë së krishterë.

Pas shkollimit fillestar në Viti, gjimnazin klasik e kreu në Pazin të Kroacisë, pastaj studimet filozofike e teologjike në Zagreb dhe në Romë. Shugurohet meshtar më 29 qershor 1968 në Romë dhe Meshën e parë e kremtoi në vendlindje në Binçë. Don Dedë Ramaj, famullitari i Stubllës e Binçës, në fjalën e rastit gjatë drekës kremtore pat thënë: “Mos harro biri i kujt je, së pari i Zotit, pastaj i Kishës sonë martire, pasardhës i tyre, pastaj i bashkësisë famullitare dhe i familjes… Ndero të parët e ndero vetveten, sepse ke gjurma për të ndjekur nga lashtësia e historia…”. Don Mark Sopi për pesë vjet shërbeu si famullitar në Ferizaj dhe si sekretari i ipeshkvit ndihmës të Shkup-Prizrenit imzot Nikë Prelës. Në vitin 1974 qe emëruar famullitar i fshatit Zllakuqan afër Klinës.

Prej vitit 1974 deri në vitin 1991 në Zllakuqan e në rrethinë bëri shërbime të shumëfishta, ndër të cilat duhet theksuar organizimin e jetës baritore, ndërtimin e Kishave, kapelave, meremetimin e Kishës amë në Zllakuqan, përgatitjen për themelimin e dy famullive kishtare të reje, të Klinës dhe të Budisalcit.
Ishte pjesëmarrës e prijës shpirtëror edhe në pajtimet e gjaqeve gjatë viteve 1990, bamirës dhe babë për të mjerë dhe të varfër, këshilltar për të pasigurt, ngushëllues për të pikëlluar, udhëheqës për të pavendosur, me një fjalë vëlla, atë, gjithçka.

Përpos këtyre punëve tejet të rëndësishme dhe mjaft të vështira, me plotë sfida dhe rreziqe, ai kurrë nuk ishte ndarë nga shkrimi e leximi, si bashkëpunëtor i zellshëm i revistës fetaro-kulturore “Drita”, pastaj në Durrës i revistës “Vegim Drite”. Botoi edhe këto vëllime: Baca Kolë dhe famullitari (1995), Martirët e Karadakut (1996), Koncilët ekumenike (2000), Shën Luçia (2001).

Imzot Mark Sopi fill pas rënies së diktaturës në Shqipëri, së bashku me don Damjan Kurtin, shkoi në Durrës e Milot si misionar për ta ndihmuar dhe shërbyer këtë Kishë e Popull martir, duke dëshmuar kështu dashurinë vëllazërore e përkushtimin ndaj misionin të tij meshtarak.

Më 23 nëntor 1995 qe emëruar ipeshkëv i Kosovës, shugurimin ipeshkёvnor e merr nga Papa Shёn Gjon Pali II më 6 janar 1996 në Vatikan, së bashku me 13 të tjerë nga mbarë bota. Imzot Mark Sopi e mori udhëheqjen e Kishës katolike në Kosovë me seli në Prizren më 18 shkurt 1996 dhe atë e udhëhoqi deri në kalimin e tij në shtëpinë e Atit Qiellor më 11 janar 2006. Prelati ndërroi jetë në një periudhë të veçantë historike për Kosovën e për Kishën katolike në këto troje, kur ndjehej fort nevoja e përkushtimit të tij për zgjidhjen e problemeve më të mprehta aktuale.

Në veprimtarinë e tij apostolike, imzot Sopi ndoqi gjithnjë gjurmët e traditës së Kishës katolike ndër shqiptarë, duke mos e ndarë asnjëherë çështjen fetare nga ajo atdhetare: “Për Fe e Atdhe” qe motua e veprimtarisë së tij gjatë gjithë jetës, që u këput në mënyrë aq të papritur.  Vdiq në punë, gjatë një takimi të rastit rreth Katedrales të Shёn Nenë Terezës në Prishtinë, qё do tё ndёrtohej.

11 janar 2024, 17:22