Kërko

 Ushtarët izraelitë në aksion në Rripin e Gazës Ushtarët izraelitë në aksion në Rripin e Gazës 

Lindja e Mesme, Netanyahu kundër sovranitetit të mundshëm palestinez në Gaza

Kryeministri izraelit përgënjeshtron Biden në lidhje me lëshimet e mundshme të sovranitetit mbi Rripin, Autoritetit Kombëtar Palestinez. Ndërkohë në Khan Yunis luftohet ndër tunelet e hapura nga Hamasi, ku u gjetën gjurmët e pengjeve izraelite. Viktimat palestineze arrijnë në 25 mijë vetë.

R. SH. - Vatikan

Kryeministri izraelit përgënjeshtron Biden në lidhje me lëshimet e mundshme të sovranitetit mbi Rripin, Autoritetit Kombëtar Palestinez. Ndërkohë në Khan Yunis luftohet ndër tunelet e hapura nga Hamasi, ku u gjetën gjurmët e pengjeve izraelite. Viktimat palestineze arrijnë në 25 mijë vetë.

Lindja e Mesme, Netanyahu kundër sovranitetit të mundshëm palestinez në Gaza

Kryeministri Benjamin Netanyahu e mohon qëndrimin izraelit ndaj sovranitetit palestinez në Gaza, njoftuar dje nga presidenti amerikan Joe Biden. “Izraeli duhet të ketë kontrollin e plotë të sigurisë së Rripit, që Gaza të mos jetë kurrë më kërcënim për izraelitët”. Ky, qëndrimi i ripërsëritur në bisedën e djeshme, më 20 janar, me kreun e Shtëpisë së Bardhë.

Zhgënjim në diplomaci

Kundërshtimi ndaj krijimit të një shteti palestinez shikohet si zhgënjim nga disa diplomaci perëndimore. Ministri i Mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar, Grant Shapps, flet për një qëndrim "zhgënjyes". "Unë nuk mendoj se do të arrijmë tek zgjidhja e problemit, nëse nuk kemi dy shtete" - kujtoi ai në një intervistë me Sky News sot në mëngjes, duke shtuar se Mbretëria e Bashkuar vazhdon të mbështesë zgjidhjen me dy shtete dhe se "nuk ka asnjë zgjidhje tjetër". Palestinezët "kanë të drejtën e sovranitetit dhe të një shteti", theksoi edhe ministri i jashtëm francez, Stéphane Séjourné.  

Zbulohen tunele të tjera të Hamasit

Ndërkohë, në terren, operacioni i gjerë i ushtrisë izraelite vazhdon në zonën e Khan Yunis, qyteti kryesor në jug të Rripit të Gazës, ku dje "u vranë disa terroristë, me ndihmën e forcave ajrore" - njoftoi zëdhënësi i ushtrisë, sipas të cilit ushtria zbuloi "sasi të mëdha armësh" të ruajtura në një objekt të Hamasit. Në Khan Yunis ushtria po vepron si mbi tokë, ashtu edhe nën tokë, brenda një rrjeti të gjerë tunelesh dhe bunkerësh, ku, ndër të tjera, u mbyllën të burgosur disa nga pengjet e mbajtura në Gaza. Sipas forcave izraelite, në tunele u gjet një dhomë e madhe, ku mbaheshin rob rreth 20 pengje, disa prej të cilëve më vonë u liruan.

Mbi 25 mijë viktima në Gaza

Hyrja në tunele ndodhi pas luftimeve të dhunshme, që çuan në vrasjen e disa militantëve të Hamasit. Luftimet vazhdojnë edhe në veri të Rripit, ku humbën jetën 15 militantë palestinezë. Sipas vlerësimeve të inteligjencës amerikane, izraelitët kanë eliminuar 20% deri në 30% të forcave luftarake të Hamasit në Rrip. Edhe Izraeli ka humbje të reja: 195 ushtarë të vrarë në luftime. Më në fund, Ministria e Shëndetësisë, e kontrolluar nga Hamasi raporton se numri i të vdekurve në Gaza që nga fillimi i luftës ka tejkaluar 25,000 vetë.

Bombardohen pozicionet kufitare në Libanin jugor

Së fundi, mbetet shumë i lartë edhe tensioni ndërmjet Izraelit dhe Hezbollahut libanez. Sot në mëngjes, Forcat izraelite të Sigurisë raportuan se kishin goditur pozicionet e Hezbollahut në Libanin jugor, si përgjigje e sulmeve në Izraelin verior. Lajmin e jep Times of Israel, duke specifikuar se vendet e goditura nga avionët luftarakë në Odaisseh dhe Houla, në Libanin jugor, ishin edhe vende të lëshimit të raketave dhe infrastruktura  të tjera të përdorura nga grupi terrorist.

21 janar 2024, 14:07