Nikaragua, nxirren jashtë ligjit 16 OJQ
R.SH. – Vatikan
Dje, më 16 janar, qeveria e Nikaraguas anuloi statusin juridik të gjashtëmbëdhjetë OJQ-ve, dhjetë prej të cilave ishin katolike, ose ungjillore. Lajmi publikohet në gazetën vatikanase “L’Osservatore Romano”. Sipas njoftimeve të Ministrisë së Brendshme, nëntë OJQ janë nxjerrë jashtë ligjit për mosrespektimin e normave që rregullojnë veprimtarinë e tyre, duke penguar operacionet e kontrollit dhe të mbikëqyrjes, parashikuar nga autoritetet. Pasuritë e tyre të luajtshme dhe të paluajtshme do t'i kalojnë shtetit.
Shtatë OJQ të tjera, sigurisht, duke parë gjendjen aktuale, kanë paraqitur vullnetarisht kërkesë për shpërbërje. Qeveria e Managuas ua ka pezulluar, ose ua ka ndaluar veprimtarinë më se 3.500 organizatave joqeveritare, duke filluar nga viti 2018, vit në të cilin shpërthyen protestat popullore kundër reformës së sigurimeve shoqërore.