"Rrethimi i Shkodrës" vepra e dom Marin Barletit botuar më 10 janar 1504

"Rrethimi i Shkodrës" është një libër i shkruar nga meshtari i Shkodrës, dom Marin Barleti (Marino Barlezio), për rrethimin osman të Shkodrës në vitin 1478, të udhëhequr personalisht nga Mehmeti II, dhe rezistencën e përbashkët të shqiptarëve dhe venecianëve. Libri tregon gjithashtu edhe rrethimin osman të Shkodrës në vitin 1474. Vepra u botua fillimisht më 10 janar 1504, në latinisht, si De obsidione Scodrensi. Barleti ishte dëshmitar okular i ngjarjeve.

R.SH. / Vatikan

Me 10 janar të Vitit 1504 në Venedik u botua, latinisht, vepra e dom Marin Barletit, “De obsidione Scodrensi”- "Rrethimi i Shkodrës", një nga veprat më të njohura historike që bëri të njohur luftën e shqiptarëve kundër perandorisë osmane në mesjetë. I mbështetur në kujtimet e veta si dhe të pjesëmarrësve të tjerë në ngjarjet që rrëfen, meshtari shkodran dom Marin Barleti ia kushton librin e tij jetës e ngjarjeve politike dhe ushtarake gjatë rrethimit të Shkodrës.

Data e parë e sigurt për Marin Barletin është viti 1474, kur turqit tentuan për herë të parë të rrethojnë Shkodrën: ai ishte dëshmitar okular i ngjarjeve siç mund të shihet nga veprat e tij (De obsidione... Scodrensi; Historia... de vita et gestis Scanderbergi, IV). Gjatë rrethimit të dytë dhe të fundit të qytetit (1478) ai vetë mori pjesë në mbrojtjen e kundërshtuar nga bashkëqytetarët e tij (shih Historia..., VI).

Libri

 "Rrethimi i Shkodrës" është një libër i shkruar ngameshtari i Shkodrës, dom Marin Barleti (Marino Barlezio), për rrethimin osman të Shkodrës në vitin 1478, të udhëhequr personalisht nga Mehmeti II, dhe rezistencën e përbashkët të shqiptarëve dhe venecianëve. Libri diskuton gjithashtu rrethimin osman të Shkodrës në 1474. Libri u botua fillimisht në 1504, në latinisht, si De obsidione Scodrensi. Barleti ishte dëshmitar okular i ngjarjeve.

Vepra fillon me një parathënie për Dozhin e Venecias, Leonardo Loredan, me Barletin që përshkruan arsyet e tij për të shkruarkëtë vepër. Pra, vepra është e organizuar në tre kapituj të mëdhenj të quajtur "libra".  Në librin e parë kemi parathënien, kushtuar dukës së Venedikut Leonard Loredano, ndërsa më pas bën fjalë për prejardhjen e turqve, deri me pushtimin e Konstantinopojës me 1453 dhe mbaron me shënimet historike rreth Shkodrës dhe përshkrimin e pozitës së saj. Libri dytë është më voluminozi apo më mirë të themi pjesa qendrore, ku bëhet fjalë për rrethimin e Shkodrës në vitin 1474 dhe 1478, ku përshkruhen operacionet e rrethimit, sulmet, dhe mbrojtja heroike e Kalasë nga shqiptarët. Ndërsa në fund në librin e tretë, prezantohen në formë të sintezës ngjarjet e rrethimit të Shkodrës si dhe dorëzimin e saj nga ana e Venedikasve përfaqësuesve të Perandorisë Osmane.

"Rrethimi i Shkodrës" u botua fillimisht në latinisht (në 1504 dhe më pas në 1576) dhe u përkthye dhe u botua në italisht (1565 me ribotimet e mëvonshme), polonisht (në Brest-Litovsk, 1569) dhe frëngjisht (në Paris, 1576). Në vitin 1962 u botua në shqip dhe u ribotua në vitet 1967, 1980, 1988 dhe 2012. Në vitin 2012 u botua për herë të parë edhe në anglisht.

Duke lexuar veprën  “De obsidione Scodrensi” - “Rrethimi i Shkodrës", del qartë se autori ka marrë shënime në formë ditari, edhe pse si i tillë nuk na paraqitet në libër. Por, nëse në rrethimin e parë ishte dëshmitarë okular, në ate të dytin merr pjesë aktive si bashkëluftëtar në mbrojtjen e saj. Si e tillë kjo vepër është përgatitur për një kohë të gjatë, si vëzhgues okular, por edhe në saje të kujtimeve të bashkëvendasve të tij pasi u vendosen në Venedik, ku përfundimisht u botua në vitin 1504.

Edhe pse autori ishte meshtar, ai na rrëfen ngjarjet e rrethimit të Shkodrës si rrallë kush deri më tash. Madje ky botim është informacioni i vetëm dhe autentik i këtyre ngjarjeve deri më tash. Në libër prezantohen të dhëna të mjaftueshme për rrethimin e këtij qyteti nga Perandoria Osmane, municionet e përdorura, luftimet, vrasjet, krimet dhe heroizmin e shkodraneve në mbrojtje të Kalasë së Rozafatit. Ajo u mbrojt me dinjitet, sakrificë e ndjenjë fetare dhe kombëtare. Ajo ishte kështjellë e pamposhtuar e krenarisë kombëtare, ku nuk mundi ta pushtojë as sulltani ma famëkeq i kohës më ushtrinë dhe artilerinë ma të madhe të kohës. Ajo iu dorëzua Perandorisë nga ana e Venedikut në sajë të marrëveshjes së arritur në janar të vitit 1479.

Pasojat e dorëzimit të Shkodrës, janë të njohura për opinionin, sepse me dorëzimin e saj së bashku me venedikasit u largua edhe paria e Shkodrës, ku llogaritet se në drejtim të Venedikut shkoj edhe pjesa dërrmuese e popullsisë së qytetit. Me heroizmin e treguar Shkodra mbeti lavdia e shqiptarëve dhe pengesa e osmanlinjëve në drejtim të Perëndimit. Lufta që zhvilluan shkodranet nuk ishte vetëm një luftë e shqiptarëve kundër pushtuesve të huaj, por kishte përmasat më të gjëra sepse ajo njëherit ishte një luftë e krishterëve kundër turqve myslimanë.

Mbi autorin

Dom Marin Barleti (rreth 1450 – 1512), i njohur edhe si dom Marinus Barletius, çmohet si historian, shkrimtar e patriot shqiptar i kohës së humanizmit.  Vepra tij është më vlerë të jashtëzakonshme për historinë e popullit shqiptar në njërën prej kohëve më të vështira e të errëta të historisë që ka përjetuar. Së bashku me kujtimin e luftës heroike në mbrojtje të Shkodrës, vepra e Barletit është dëshmi autentike e luftës heroike të popullit shqiptar për liri dhe si e tillë është vepër tejet e rëndësishme e historiografisë shqiptare në shek. XV.

Meshtar katolik dhe qytetar i Shkodrës, dom Marin Barleti qe dëshmitar e luftëtar në dy rrethime osmane të këtij qyteti. Kur Venediku, së fundmi, ua dorëzoi Shkodrën osmanëve, si shumë bashkatdhetarë të tjerë,  ai emigroi në Itali. U vendos në Padova, e në këtë dioqezë kishtare dom Marin Barleti apo Barleci shërbeu i prift famullitarë e më vonë si rektor i Kishës së Shën Shtjefnit. Megjithëse "Rrethimi i Shkodrës" ishte vepra e tij e parë, ai njihet më shumë për veprën e tij të dytë "Historia e Skënderbeut". Barleti tërhoqi vëmendjen e lexuesit evropian të shekullit XVI, i cili me turqit në portat e Vjenës më 1529, po shqetësohej gjithnjë e më shumë për mundësinë e pushtimit të të gjithë Evropës Perëndimore nga osmanët.

10 janar 2024, 10:44