Shën Pali na mëson se kthimi te Zoti është fryt i takimit personal me Krishtin
R.SH. / Vatikan
Më 25 janar kalendarik kishtar kremton festën e Kthimit të Shën Palit Apostull, që na kujton vegimin, thirrjen dhe misionin, nga të cilat buron mrekullia e atij hiri Hyjnor që pati në rrugën e Damaskut, ku Krishti e bëri të kapitullojë pa kushte dhe i dha hirin të bëhet Apostull i Tij.
Pra, Shën Pali njihet si Apostull për vullnet të Hyjit, nga i cili mësoi ta donte e t’i shërbente atij Krishti, që më vonë e njofti si Birin e Hyjit. E pastaj njihet edhe si Apostulli me zemrën e gjërë, që zë gjithë botën, që nuk bën dallime etnie, sepse zbulon se Hyji që e ka zgjedhur, është Hyji i të gjithëve. Në historinë e Kishës e jo vetëm të Kishës së zanafillës, Pali shndrit si ylli më i madh.
Kështu festa e sotme i kushtohet përvojës që jetoi Shën Pali në rrugën e Damaskut e, prej këndej, ngjarjes, e cila zakonisht njihet si kthimi i tij. Pikërisht në udhën drejt Damaskut, në 30 vjetët e para të shekullit I, e pas një periudhe në të cilën e kishte përndjekur Kishën, në jetën e Palit ndodhi një ngjarje vendimtare. Shumë është shkruar për të e, natyrisht, në disa këndvështrime. Është e qartë se atje ndodhi një kthesë, madje një përmbysje e perspektivës. Atëherë ai, krejt papritmas, nisi ta shikojë si ‘humbje’ e ‘pleh’ gjithçka që më parë ishte për të kulmi i idealit, gati –gati, arsyeja e jetës së tij (cfr Fil 3,7-8). Ç’kishte ngjarë?
Lidhur me këtë, kemi dy lloj burimesh. I pari, më i njohuri, janë rrëfimet që dolën nga penda e Lukës, i cili e tregon tri herë me radhë këtë ngjarje në Veprat e Apostujve (cfr 9,1-19;22,3-21;26,4-23). Lexuesi mesatar ndoshta tundohet të ndalet tepër tek disa hollësira, siç është drita nga qielli, rrëzimi i Saulit përdhe, zëri që thërret, verbimi, shërimi pasi i bie perdja nga sytë e agjërimi. Por të gjitha këto hollësira na çojnë në qendër të ngjarjes: Krishti i ngjallur duket si dritë verbuese e i flet Saulit, ia shndërron mendimin e tij e vetë jetën. Shkëlqimi i Jezuti të Ngjallur e verbon: duket kështu, edhe nga jashtë, ajo që po ndodhte në shpirtin e tij, verbëria, që e pengonte për të parë të vërtetën, dritën e Krishtit. E pastaj, ‘po-ja’ përfundimtare, të cilën ia tha Krishtit në pagëzim, ia hap rishtas sytë e tij, e bën të shohë.
Në Kishën e lashtë 'pagëzimi' quhej edhe ‘ndriçim’, sepse ky sakrament jep dritë, të bën të shikosh vërtetë. Kjo, që shprehet kështu teologjikisht, për Palin realizohet edhe fizikisht: i shëruar nga verbëria e tij shpirtërore, nis të shikojë qartë. Shën Pali, pra, u shndërrua jo nga një mendim, por nga një ngjarje, nga prania e papërballueshme e të Ngjallurit, për të cilën nuk do të mund të dyshonte kurrë më, sepse ishte tepër e fortë qartësia e kësaj ngjarjeje, e këtij takimi. E shndërroi thellësisht jetën e Palit; në këtë kuptim mund e duhet folur për kthim. Ky takim është në qendër të rrëfimit të Shën Lukës, i cili ka shumë mundësi të ketë përdorur një tregim, që mbase ishte krijuar në bashkësinë e Damaskut. Për këtë na bind ngjyrimi lokal, që jepet përmes pranisë së Ananisë dhe emrave, si emrit të rrugës, ashtu edhe të pronarit të shtëpisë, ku banoi Pali (cfr Vap 9-11).
Tipin e dytë të burimeve mbi kthimin, e gjejmë tek vetë Letrat e Shën Palit. Ai nuk flet kurrë me hollësira për këtë ngjarje, e unë besoj se e bën këtë nga që mendon se të gjithë i njihnin çastet kryesore të kësaj historie, të gjithë e dinin se nga persekutues, ai u shndërrua në Apostull të zellshëm të Krishtit. E kjo nuk ishte pasojë e një reflektimi, por e një ngjarjeje të jashtëzakonshme, e takimit me të Ngjallurin. Ndonëse nuk tregon hollësira, Pali e cek disa herë këtë fakt tepër të rëndësishëm, duke theksuar se edhe ai është dëshmitar i ngjalljes së Jezusit e se, njëlloj si Apostujt e tjerë, edhe ai mori nga Jezusi zbulesën, së bashku me misionin e apostullit. Teksti më i qartë mbi këtë pikë, gjendet në tregimin e tij mbi atë që përbën qendrën e historisë së shëlbimit: vdekjen e ngjalljen e Jezusit dhe dukjet para dëshmitarëve (cfr 1 Kor 15).
Duke përdorur fjalë të traditës tepër të lashtë, të cilat edhe ai i mori nga Kisha e Jerusalemit, thotë se Jezusi i vdekur në kryq, i varrosur e i ngjallur, i duket, pas ngjalljes, më parë Çefës, dot të thotë Pjetrit, më pas të Dymbëdhjetëve, pastaj pesëqind vëllezërve, shumë nga të cilët në atë kohë jetonin akoma. Pastaj Jakut e pastaj të gjithë Apostujve. E pas këtij rrëfimi, të marrë nga tradita, shton “Më së fundi m’u dëftua edhe mua” (1 Kor 15,8). Kështu lë të kuptohet se kjo është baza e apostullimit të tij dhe e jetës së tij të re. Ka edhe tekste të tjera, të cilat tregojnë të njëjtën gjë: “Nëpër Jezu Krishtin ne morëm hirin të jemi apostuj” (cfr Rom 1,5); e akoma “Po a nuk e pashë unë Jezusin, Zotin tonë?” (1 Kor, 9,1), fjalë me të cilat nënkupton një gjë, që e dinë të gjithë. E së fundi, teksti më i përhapur lexohet në Gal 1,15-17: “Po kur Atij, që më zgjodhi qysh në kraharorin e nënës dhe më thirri me hirin e tij, i pëlqeu të ma zbulojë Birin e vet për ta shpallur ndër paganë, menjëherë, pa u këshilluar me asnjë njeri e pa u ngjitur aspak në Jerusalem te ata që ishin apostuj para meje, shkova në Arabi e pastaj u ktheva në Damask”. Në këtë ‘vetëmbrojtje’ nënvizon me forcë se edhe ai është dëshmitar i vërtetë i të Ngjallurit, ka misionin e vet, të marrë drejtpërdrejtë nga Jezusi Ngjallur.
Mund të shikojmë, kështu, se dy burimet, Veprat e Apostujve dhe Letrat e Shën Palit, përkojnë e përputhen në pikën themelore: i Ngjalluri i foli Palit, e thirri në misionin e apostullit, e bëri apostull të vërtetë, dëshmitar të ngjalljes, me detyrën e veçantë t’ua kumtonte Ungjillin paganëve të botës greko-romake. E njëkohësisht Pali mësoi se, ndonëse në marrëdhënie të drejtpërdrejtë me të Ngjallurin, ai duhet të hynte në bashkimin e Kishës, duhet të pagëzohej, duhet të jetonte në përkim me apostujt e tjerë. Vetëm në këtë bashkim me të gjithë, mund të ishte apostull i vërtetë, siç shkruan ai vetë në Letrën e parë drejtuar Korintianëve: “Si unë, ashtu edhe ata, kështu predikojmë e kështu edhe ju besuat” (15, 11). Kumtimi i të Ngjallurit është një i vetëm, sepse edhe Krishti është një i vetëm.
Siç shihet, në të gjitha këto fragmente, Pali nuk e shpjegon kurrë këtë çast si kthim. Pse? Ka shumë hamendje, por për mua shkaku është i qartë. Kjo kthesë e jetës së tij, ky shndërrim i gjithë qenies së tij, nuk qe fryt i një procesi psikologjik, i një pjekurie ose evolucioni intelektual e moral, por erdhi nga jashtë: nuk qe fryt i mendimit të tij, por i takimit me Krishtin Jezus. Në këtë kuptim, nuk ishte thjeshtë kthim, pjekuri e ‘unit’ të tij, por vdekje e ringjallje për atë vetë: vdiq një ekzistencë e tij e një tjetër, e re, lindi me Krishtin e Ngjallur. Në asnjë mënyrë tjetër nuk mund të shpjegohet kjo përtëritje e Palit. Të gjitha analizat psikologjike nuk mund ta sqarojnë e as ta zgjidhin problemin. Vetëm ngjarja, takimi i madh me Krishtin, është kyçi që na ndihmon të kuptojmë ç’kishte ngjarë: vdekje e ringjallje, përtëritje nga ana e Atij, që iu duk e foli me të. Në këtë kuptim më të thellë mund e duhet të flasim për kthim. Ky takim është përtëritje e vërtetë, që ia ndryshoi gjithë rrjedhën e jetës së tij. Tani mund të thuhet se gjithçka, që më parë për të ishte thelbësore e themelore, bëhet ‘pleh’; nuk është më ‘fitim’, por humbje, sepse tashmë vlen vetëm jeta në Krishtin.
Gjithsesi nuk duhet të mendojmë se Pali hyri në një shteg të verbër. Përkundrazi, sepse Krishti i Ngjallur është drita e së vërtetës, është drita e vetë Hyjit. Kjo ia zgjëroi zemrën, që në të të kishte vend për të gjithë. Në këtë çast ai nuk e humbi çka ishte e bukur dhe e vërtetë në jetën e tij, në trashëgiminë e tij, por e kuptoi në mënyrë të re urtinë, vërtetësinë, thellësinë e ligjit e të profetëve, të cilët i përvetësoi në një mënyrë të re. Njëkohësisht arsyeja e tij kuptoi në mënyrë të re edhe urtinë e paganëve: duke ia pasë hapur gjithë zemrën e vet Krishtit, fitoi zotësinë të dialogonte me të gjithë, u aftësua të bëhej gjithçka për të gjithë. Kështu mund të ishte vërtetë apostull i paganëve.
Duke parë tani veten tonë, nuk mund të mos pyesim ç’do të thotë gjithë kjo për ne? Do të thotë se edhe për ne, krishterimi nuk është filozofi e re, e as moral i ri. Jemi të krishterë, vetëm në se takojmë Krishtin. Natyrisht Ai nuk na duket në këtë mënyrë të pakundërshtueshme, të ndritshme, siç bëri me Palin, për ta kthyer në Apostull të të gjithë popujve. Por edhe ne mund ta takojmë Krishtin në leximin e Shkrimit Shenjt, në lutje, në jetën liturgjike të Kishës. Mund ta prekim zemrën e Krishtit e të ndjejmë se edhe Ai e prek zemrën tonë. Vetëm në këtë marrëdhënie personale me Krishtin, vetëm në këtë takim me të Ngjallurin, bëhemi vërtetë të krishterë. E kështu hapet arsyeja jonë, na hapet parasysh gjithë urtia e Krishtit e gjithë pasuria e së vërtetës. Prandaj t’i lutemi Zotit të na ndriçojë, t’i dhurojë botës sonë takimin me praninë e Tij: e kështu, të na japë një fe të gjallë, një zemër të hapur, një dashuri të madhe për të gjithë, të aftë për t’ia ndryshuar faqen botës.