Kërko

 Pamje nga Auschwitz Pamje nga Auschwitz 

Shoah, "kufijtë e urrejtjes" ku njerëzimi u asgjësua

Me rastin e Ditës së Përkujtimit, në 79-vjetorin e çlirimit të Auschwitz-Birkenau, bota kujtoi rishtas tmerrin e kampeve të përqendrimit e të shfarosjes, krijuar nga ideologjia e mbinjeriut dhe fuqia e brishtë e të burgosurve, për të mos u konsideruar nënnjerëzore.

“Kujtimi dhe dënimi i shfarosjes së tmerrshme të miliona hebrenjve dhe njerëzve të besimeve të tjera, që ndodhi në gjysmën e parë të shekullit të kaluar, i ndihmoftë të gjithë të mos harrojnë se logjika e urrejtjes dhe e dhunës nuk mund të justifikohet kurrë, sepse kështu mohojnë vetë natyrën njerëzore". Fjalët e shqiptuara nga Papa Françesku më 24 janarin e kaluar gjatë audiencës së përgjithshme mund të mbivendosen mbi ato të shkrimtarit Primo Levi, i mbijetuar i Holokaustit, që i bëri ballë ferrit të Aushvicit. Shkrimet më të famshme të tij kanë një kuptim domethënës. Në radhë të parë titulli: "Nëse ky është njeri?". Levi pyet veten me çfarë të drejte një vrasës mund ta quante veten "njeri", ndërsa e kishte humbur krejtësisht natyrën e tij njerëzore! Për këtë arsye të burgosurit - siç nënvizon Levi - pavarësisht se ishin të privuar nga  të gjitha të drejtat, të fyer në të gjitha mënyrat dhe të dënuar me vdekje të sigurt, ishin ende njerëz, që duhej ta mbronin veten me të gjitha forcat: në radhë të parë, me fuqinë për të mos e pranuar atë që po ndodhte. Të burgosurit refuzuan të pranojnë poshtërimin, shpërdorimin dhe vdekjen. Ky refuzim për të pranuar ideologjinë e imagjinuar të “mbinjerëzve” dhe “nënjerëzve” ishte shenjë dalluese e  pranisë së njeriut, në një vend çnjerëzor.

Vende çnjerëzore në tokë

Gjermanët ngritën kampet e përqendrimit Auschwitz-Birkenau, Treblinka, Belzec, Sobibor, Majdanek, Stutthof dhe Kulmhof në territorin polak për arsye praktike të frikshme. Numri më i madh i hebrenjve në botë jetonte pikërisht në tokën polake, e cila ishte tërësisht nën administrimin gjerman. Sipas statistikave, në vitin 1931 në Poloni 3.1 milionë qytetarë ishin me origjinë hebreje. Një grup kaq i madh nuk kishte nevojë të dëbohej larg.

Pak i njohur "Operacioni Reinhardt"

Më 20 janar 1942, në Wannsee, afër Berlinit, u mbajt një konferencë e zyrtarëve më të lartë të Rajhut të Tretë, e kryesuar nga Reinhard Heydrich. Me atë rast u mor vendimi për të "zgjidhur përfundimisht çështjen hebraike" (Endlösung der Judenfrage). Në praktikë, kjo nënkuptonte gjenocidin e hebrenjve në të gjithë Evropën. Natën ndërmjet 16 dhe 17 marsit 1942, nazistët, duke likuiduar geton e Lublinit, filluan operacionin "Reinhardt". Qëllimi i tij ishte të shfaroste afro 2 milionë hebrenj nën Qeverinë e Përgjithshme (pjesë e territoreve polake të pushtuara nga nazistët). Operacioni, selia e të cilit ishte në Lublin, drejtohej nga Odilo Globocnik, një nga xhelatët më mizorë nazistë. Si pjesë e operacionit "Reinhardt", u krijuan ose u zgjeruan tre kampe përqendrimi në Bełżec, Sobibór dhe Treblinka. Të tre ishin "fabrika të vdekjes". Arritjet e para të hebrenjve në kampet e shfarosjes si pjesë e Operacionit "Reinhardt" filluan nga getoja e Lublinit - në kampin e shfarosjes Belżec, më 17 mars 1942. Kampi i shfarosjes Sobibór filloi operacionet në maj 1942. Deportimi i parë i hebrenjve në Treblinka, Kampi II i shfarosjes, filloi më 22 korrik 1942. Ata ishin hebrenj nga getoja e Varshavës. Hebrenjtë jo vetëm nga getot në të gjithë Poloninë e pushtuar, por edhe nga pjesë të tjera të Evropës, përfshirë Italinë, u mbartën në kampet e shfarosjes. Operacioni Reinhardt zgjati zyrtarisht deri më 3-4 nëntor 1943. Gjatë rrjedhës së tij, nazistët gjermanë shfarosën rreth 2 milionë hebrenj.

Papët në Auschwitz

Tre Papë vizituan Auschwitz-Birkenau-n. Gjon Pali II e vizitoi si Papë këtë vend më 7 qershor 1979, edhe pse kishte qenë atje shumë herë më parë. Në Aushvic, nënvizoi "se duhet të mendojmë me frikë për atë që ishte një nga kufijtë e urrejtjes". "Ndodhemi - kujtoi - në një vend ku dëshirojmë të mendojmë për çdo popull dhe çdo njeri si për një vëlla". Benedikti XVI shkoi atje në vitin 2006 dhe rrëfeu se kjo vizitë ishte "veçanërisht e vështirë dhe shtypëse për një të krishterë, e sidomos, për një Papë që vjen nga Gjermania". Duke u kujtuar shkrimet shumëgjuhëshe mbi gurët e varreve në përkujtim të viktimave, theksoi: "Nën këta gurë varresh u flak fati i njerëzve të panumërt. Ata na trondisin kujtesën, na trandin zemrën".

Papa Françesku e vizitoi Aushvic-Birkenaun më 29 korrik 2016, po nuk tha asnjë fjalë. Na mbeti si kujtim i dëshmisë së tij, heshtja dhe lutja. Në librin e kujtimeve të Aushvicit, Papa shkroi fjalët, që mund të jenë lutja jonë në Ditën e Përkujtimit: "O Zot, ki mëshirë për popullin tënd! Fale, o Zot, gjithë këtë mizori".

27 janar 2024, 17:06