Turqi: sulm në Kishë, pas vrasësve, edhe 49 arrestime
R.SH. / Vatikan
Hetimi, me synim zhdukjen e celulës së ISIS-it, që depërtoi dje në Kishën katolike të Shën Mërisë, në një lagje në veri të Stambollit, duke vrarë një nacionalist turk, po zgjerohet. Dy vrasësit e mundshëm, një taxhik dhe një rus me origjinë të dyshuar çeçene, përfunduan mbrëmë vonë në pranga, ndërsa sot në mëngjes forcat kundër terrorizmit kryen disa bastisje dhe arrestuan 49 persona të tjerë.
Për 23 prej të arrestuarve sot, u lëshua tashmë urdhri i riatdhesimit, për 28 të tjerët vijon procedura gjyqësore, pyetjet dhe synohet zbardhja e lidhjeve si me sulmin, ashtu edhe me Shtetin Islamik. Nuk u bë e ditur kombësia e të arrestuarve, por vetëm e vrasësve: një taxhik dhe një rus, me sa duket me origjinë çeçene. Siç njoftoi ministri i Brendshëm, Ali Yerlikaya, hetimet tani synojnë të sqarojnë lidhjen ndërmjet atentatorëve dhe ISIS-it.
Hetimi mori rrugë të re mbrëmë, pasi vrasësi i parë i dyshuar përfundoi në pranga dhe Shteti Islamik mori përgjegjësinë për sulmin në Meshë. Lajmi erdhi përmes agjencisë Amaq, e cila ka qenë gjithmonë zëri i ISIS. Shkruhej: “Dy luftëtarë të Shtetit Islamik sulmuan një kishë të krishterë ndërsa të pafetë po kryenin ritet e tyre”. Ky është sulmi i parë i ISIS-it në Turqi që nga nata e Vitit të Ri 2016/2017, veprim kriminal, që shkaktoi shqetësim në Turqi dhe po pasqyrohet shumë, jo vetëm në mediat lokale.