2024.01.03 direttrice della Biennale Musica di Venezia, Lucia Ronchetti. 2024.01.03 direttrice della Biennale Musica di Venezia, Lucia Ronchetti.

Venezia, Bienale Musica, në kërkim të talenteve të reja

Drejtoresha artistike e ngjarjes së madhe muzikore, Lucia Ronchetti, nisi një fushatë ndërkombëtare, që do të zgjedhë pesë kompozitorë dhe gjashtë interpretues nën 30 vjeç, për një program në kërkimin dhe prodhimin e krijimeve dhe shfaqjeve të reja

R.SH. / Vatikan

Ndonjëherë në sallat e koncerteve ka nga ata që e konsiderojnë si telash të lexojnë programin letrar të një poezie simfonike të Franz Liszt-it ose Richard Strauss-it, përpara se dirigjenti të ngjitet në podium për të filluar lojën mahnitëse të tingujve. Të tjerë duan që në sallë të fiken dritat, në mënyrë që të mund të përqendrohen, edhe pse janë gati të dëgjojnë një cikël me Lieder në një gjuhë të panjohur, për të cilin organizatorët kanë nxjerrë një përkthim të autorit, që nuk mund ta lexojë askush në errësirë. Pastaj ka edhe nga ata, që shkojnë në opera pa e ditur përmbajtjen e Traviatës dhe pastaj ankohen se nuk i kuptojnë fjalët. Këta dëgjues mund të konsiderohen si dembelë të pashërueshëm, por në realitet, pavarësisht nëse e dinë apo jo, bëjnë një zgjedhje shumë të rëndësishme estetike. Në praktikë ata i përgjigjen njërës nga pyetjet mbi të cilat kanë punuar "filozofët dhe poetët" (shih Vecchia Zimarra nga Bohème e Giacomo Puccini).

Fjalët e tepruara janë të kota

Siç e shpjegon shumë më mirë dhe me saktësi më të madhe Carl Dahlhaus,   muzikolog i madh gjerman, i cili “na mungon” që nga viti 1989, ata, të cilëve nuk u intereson teksti, praktikisht thonë se tingulli flet vetë. Ose më mirë nuk flet, por diçka e thotë. Në një farë mënyre ai është tërheqës për atë që Wagner fillimisht, në 1846, e përkufizoi si "muzikë absolute", pjesë të shkruara pavarësisht nga çdo përdorim i mundshëm ekstra-muzikor. Nëse nuk e kemi parasysh kuptimin e fjalëve, sepse nuk i kuptojmë, atëherë përqendrohemi në kuptimin që gjen në vetvete muzika, pa u “mbështetur” në ndonjë gjuhë të kuptueshme. Ndonëse, nëse teksti është atje, e ka një arsye. Ta injorosh do të thotë të humbasësh diçka nga argëtimi. E megjithatë, pyetja mbetet e hapur.

Muzika absolute

Ndoshta kjo është edhe arsyeja pse Bienalja e ardhshme e Venecias do të merret me muzikë të mirëfilltë, absolute. Por drejtoresha artistike, Lucia Ronchetti, nuk ka ndërmend të kufizohet vetëm në propozimin e mendimit të shëndoshë të mjeshtrave të mëdhenj të njohur ndërkombëtarisht. Ajo dëshiron që edhe të rinjtë nga e gjithë bota ta trajtojnë këtë temë. Vërtet nga e gjithë bota, jo vetëm ata, që vijnë nga vende me mundësi të menjëhershme për informacion e, si rrjedhojë, edhe për pjesëmarrje. Për këtë arsye nisi një fushatë, që të bëjë të ditur kudo se pesë kompozitorë dhe gjashtë interpretues nën 30 vjeç do të përzgjidhen për një program rezidencial kërkimi dhe prodhimi të krijimeve dhe shfaqjeve të reja. Veprat do të paraqiten paraprakisht si pjesë të Festivalit të 68-të Ndërkombëtar të Muzikës Bashkëkohore të Bienales së Venecias,  titulluar Muzika Absolute, planifikuar nga 26 shtatori deri më 10 tetor 2024. Konteksti është ai i Bienales College Musica, i cili mbështetë autorët e projekteve të përzgjedhura për tutorë të njohur ndërkombëtarisht. Mundësia për të rinjtë është e rëndësishme. Të gjithë mund të marrin pjesë duke klikuar në këtë lidhje:

https://www.labiennale.org/en/news/biennale-college-musica-2024-call-applications-composers-or-performers

05 janar 2024, 13:21