Më 10 shkurt kalendari kujton Shën Skolastikën
R.SH. - Vatikan
Skolastika. Të qenit vëllezër dhe motra dëshmon për dashurinë e Zotit. Të qenit vëllezër e motra nuk është një përvojë e thjeshtë që lind nga të dhënat gjenealogjike, por një dimension i zemrës, një qëndrim që duhet kultivuar dhe ushqyer. Kur marrëdhënia midis vëllezërve mbështetet edhe nga një afinitet shpirtëror, atëherë ajo bëhet një dëshmi autentike e dashurisë së Zotit dhe ndryshon historinë.
Kështu ndodhi mes Shën Skolastikës dhe Shën Benediktit: shenjtëria e tyre, padyshim, është një rezultat personal, por së bashku, si motër e vëlla, na ofrojnë imazhin e një dashurie që tejkalon kohën dhe hapësirën. Benedikti e Skolastika janë binjakë në gjak e në shpirt. Që të vegjël kishin të njëjtat prirje, të njëjtën ëmbëlsi, të njëjtin durim e të njëjtën dëshirë për t’iu afruar Zotit.
Shën Gregori i Madh në "Dialogjet" e tij përshkruan bisedën e fundit prekëse, në vitin 547 pas K., mes dy vëllezërve, të cilët çdo vit gjendeshin në gjysmë të rrugës midis manastireve të tyre për të folur "për gëzimet e jetës qiellore". Kur u përshëndeten, Scholastica shprehu dëshirën që ajo bisedë të vazhdonte dhe kështu ndodhi falë një stuhie të papritur. Kur Benedikti shkroi Rregullën e vet të njohur murgare, Skolastika e përshtati menjëherë për kuvendin ku jetonte me simotrat e veta murgesha, që ia kishin kushtuar gjithë jetën Hyjit. Skolastika është rregulltarja e parë benediktine.
Duke ndjekur gjurmët e vëllait të saj, Benediktit, Skolastika kishte vënë në rend të parë si rregull për manastirin e saj heshtjen: fjala duhej përdorur vetëm për të folur për Zotin. Në fakt, ajo ishte themeluesja e degës femërore të Urdhrit Benediktin.
E lindur në Norcia, sot Itali, rreth vitit 480, Skolastika u dërgua me të vëllanë në Romë për të studiuar, por jeta e pakënaqur e qytetit i shtyu të dy drejt ermitazhit. Skolastika ndoqi vëllanë e saj Benediktin fillimisht në Subiaco dhe më pas pranë Montecassino, duke themeluar manastirin e Piumarola, ku vdiq në vitin 547.