Kërko

Me 11 shkurt kalendari kremton festën e Virgjërës Mari të Lurdë

Misteri i Kryqit, flijimi i Krishtit për shëlbimin e botës, është mesazhi që Zoja e Bekuar ua besoi njerëzve; e ky mesazh vjen përsëri nga Shpella e Lurdës, duke i ftuar të gjithë të pendohen, të kthehen e të shpresojnë Të kërkojmë buzëqeshjen e Marisë, pasqyrim i vërtetë i dhembshurisë së Zotit, burim i shpresës së pathyeshme

R.SH. - Vatikan

Sot t më 11 shkurt Kisha katolike kremton festën e Virgjër Mari të Lurdës. Kjo festë e Zojës së Lurdë bazohet në 18 shfaqjet e vegimet, të cilat i pati 14-vjeçarja Bernadete Soubirous, në hapësirën e kohës prej 11 shkurt deri më 18 korrik të vitit 1858.  Bernadete Soubirous, kishte parë në një shpellë shkrepi pranë qytezës Lurdë, në jugun e Francës. Ajo kishte parë një “grua të zënë pa mëkat”, e cila, sipas Bernardette kishte pasur tesha të bardha, lule të verdha tek të të dyja këmbët, ashtu siç ishte edhe rruzarja e saj.

Sipas Bernardetes, Zoja e Lurdit kërkonte t’i ndërtohej një kishëz, të bëheshin procesione, pendime dhe lutje për kthimin e mëkatarëve. Për një kohë të shkurtër, Lurdi u bë njëri ndër vendet më të mëdha të shtegtimit (çdo vit shko mblidhen atje më se rreth 2 milion shtegtarë dhe vizitorë) ku ndodhin mrekulli të ndryshme. Papa Piu X (1903 –1914) më 13 dhjetor të 1907, e zgjeroi këtë festë për tërë Kishën, e cila në fillim vlente vetëm për Kishën vendore, si përkujtim në shfaqjen e parë nënës së Zotit në Lurd.

Thirrej edhe Festa e Shfaqjes së Zojës së Papërlyer, Dita e Gruas sonë të dashur nga Lurdi. Reforma e re e vitit 1969 e mori për festë të tërë Kishës si festë të paurdhëruar. Dëftimet apo shfaqje private nuk i përkasin detyrimisht përmbajtjes së fesë apo të besimit, por përkundrazi “ato në Kishë lënë përshtypjen e e dhuntisë së mëtutjeshme dhe të karizmave. Këto dhunti dhe karizma, në Kishë, në situata të caktuara ndërmjetësojnë frymëzime të vendosura, impulse dhe ndihmë për njëmendësimet në kohën e duhur të zbulesave të pashtershme dhe kohë pas kohë edhe të pambërrishme të Krishtit” (Leo Scheffczyk).

Kjo festë nuk ka përmbajtje historike, por Maria vetë është përmbajtja e kësaj feste. Mesazhi i Zojës së Lurdës është ftesa për pendesë e për shëlbim. Misteri i Kryqit, flijimi i Krishtit për shëlbimin e botës, është mesazhi që Zoja e Bekuar ua besoi njerëzve; e ky mesazh vjen përsëri ende sot nga Shpella e Lurdës, duke i ftuar të gjithë të pendohen, të kthehen n udhën e jetës dhe të shpresojnë në Hyjin. Nga Lurda Virgjëra Mari vijon t’u dëftojë njerëzve shenjën e Kryqit të Krishtit, sintezë feje, që na siguron se pushteti i dashurisë është më i fortë se çdo e keqe, që mund të na kërcënojë. Zoja e Bekuar i fton të gjithë njerëzit vullnetmirë dhe të gjithë ata që vuajnë në shpirt e në trup, t’i sjellin sytë drejt Krishtit mbi Kryq , për të gjetur aty burimin e jetës e të shëlbimit”.

Virgjëra Mari zgjodhi Bernardetën për të transmetuar mesazhin e saj të kthimit në rrugën e Zotit, të lutjes, të pendesës. Maria na zbulon, në Lurdë, bukurinë e shndërruar, figurën e njerëzimit të ri, ajo shpreh sjelljen e lirisë sonë  të plotë para planit e vullnetit të Zotit, bazuar mbi njohjen e plotë të dinjitetit të vet. Ky privilegj u përket të gjithëve, sepse zbulon dinjitetin e njerëzve të dënuar nga mëkati, por të shpëtuar në shpresën e Hirit të Zotit, gjë që ndihmon në përballimin e jetës së përditshme. 

Maria në Lurdë na kujton rolin qendror që ka lutja në jetën e të krishterëve e na kërkon të mos e humbasin guximin përballë vështirësive. Kisha në këtë festë na nxit të marrin shembull nga Maria përballë Kumtimit të Engjëllit të Tënzot, e na fton, t’u përgjigjemi thirrjeve të Zotit, sepse Ai mund të na i plotësojë dëshirat më të thella të zemrave tona.

Maria na fton të jetojmë si ajo, plot me shpresë të pamposhtur në Zotin e duke mos ua vënë veshin atyre, që pretendojnë se ne jemi të burgosurit e fatit.  E para Marisë, na përkujton Kisha, njeriu nuk duhet të ngurron të shfaqet me të gjithë ligështinë e tij, të bëjë pyetje, të paraqesë dyshimet dhe dëshirat më të fshehta. Dashuria për Marinë çarmatos çdo formë të mburrjes e, falë Asaj, zbulojmë se feja e krishterë nuk është barrë e rëndë, udhë drejt jetës së vërtetë, drejt lumturisë së përjetshme në Hyjin e me Hyjin.

T’i lutemi Zotit nëpërmjet Zojës së Lurdë:

Mari, Nënë e Papërlyer e Lurdit,
Ti nëpër thjeshtësinë e Bernardetes
na thirre të bëjmë pendesë
dhe të lutemi për mëkatarë,
bëj që të heqim dorë nga krenaria,
e cila është shkaku kryesor i të gjitha mëkateve.
Ti, duke iu zbuluar rishtas botës sonë,
dëshiron t’u afrohemi sa më shumë
të vërtetave të Birit tënd
dhe t’i njëmendësojmë ato në jetë.
Prandaj, nxjerri hire të qenurit tonë,
që të bëhemi sa më tepër
dashamirë të Birit tënd. Amen!

11 shkurt 2024, 09:58