Më 12 shkurt kalendari kujton Shenjtorët martirë të Abitenёs
R.SH. - Vatikan
Shenjtorët martirë të Abitenёs, në Tunizi, të komunitetit të krishterë të Afrikës Prokonsullore (Kartagjenë), në vitin 304 p.K. na kujtojnë rëndësinë e kremtimit të së Dielës, Ditës së Zotit, pa të cilën, siç na mësojnë pikërisht martirët e Abitenes, nuk mund të jetojmë. Dita e Diel i jep kuptim punës dhe pushimit, aktualizon domethënien e krijimit e të shëlbimit, ditë që shpreh vlerën e lirisë dhe të shërbimit ndaj të afërmit.... e Diela është e gjithë kjo, pra është shumë më tepër se një urdhër!
Ndërmjet një numri të madh martirësh, që u mbytën për shkak të urrejtjes kundër fesë së krishterë, shquhen martirët e Abitenës, a të Abitinës, në Tunizi. Abitene ishte një qytet në provincën romake të quajtur Africa proconsularis, në Tunizinë e sotme, i vendosur, sipas një pohimi të Shën Agustinit, në jugperëndim të Mambressa-s antike, sot Medjez el-Bab, në lumin Medjerda.
Martirë e Abitenes e flijuan jetën për Krishtin gjatë persekutimit të perandorit Diokleciani. Duke qenë të mbledhur, si zakonisht, edhe pse në kundërshtim me vendimin perandorak, për të kremtuar Meshën e së Dielës,ditën e Ngjalljes së Krishtit, u arrestuan nga gjykatësit e kolonisë, u nisën për Kartagjenë e u nxorën para prokonsullit Anulino.
Nuk pranuan ta mohojnë fenë. Përkundrazi, pohuan një zëri se ishim mbledhur për të kremtuar Eukaristinë, nga e cila nuk mundnin e as nuk donin të hiqnin dorë. Asnjë premtim nuk i theu. Atëherë premtimeve ua zu vendin martirizimi, gjaku. Ishte gjak i pafajshëm, i derdhur për Krishtin, 1700 vjet më parë, nga 49 afrikanë, ndërmjet të cilëve, 19 gra. Nga Aktet që përshkruajnë fundin e tyre, hartuar prej autorësh jo aq të besueshëm, mësojmë se në kohën e Dioklecianit (243-313), që dekretoi një nga persekutimet më të egra kundër të krishterëve, ipeshkvi Fundano, i bashkësisë së Abitenës, ua dorëzoi autoriteteve lokale të gjithë librat e kishës, duke iu bindur urdhrit të perandorit. Atëherë besimtarët u larguan prej bariut frikacak e nisën të mblidhen rreth priftit Saturnini, që vijonte të kremtonte Meshën Shenjte, edhe pse ishte e ndaluar.
Meshët kremtoheshin në shtëpinë e një të krishteri, që quhej Feliks, ose në atë të lexuesit Emeritit, ku nisën të mblidheshin edhe shumë besimtarë të ikur nga Kartagjena. Një të diele, ndërsa ishin shtrënguar rreth Eukaristisë, i zbuluan e, të ngarkuar me zinxhirë, i zvarritën në gjykatën e qytetit. Pohuan se ishin të krishterë, u fajësuan për mbledhje në kundërshtim me ligjet e u nisën për në Kartagjenë. Do të rigjykoheshin para prokonsullit Anulino, sepse gjykata e Abitenës nuk kishte kompetenca për të gjykuar një krim kaq të rëndë. Kujtojmë se asokohe të krishterët konsideroheshin armiq të perandorisë.
Ishte data 12 shkurt e vitit 304. Gjykatësi perandorak i ftoi të hiqnin dorë nga Mesha e së dielës, por ata u përgjigjen se nuk mund të jetonin, pa kremtimin e Ditës së Zotit. Kështu e quanin të krishterët e Abitenës të Dielën. Disa nga Aktet tregojnë se në përfundim të gjykimit, u mbyllën në burg, por nuk tregojnë si përfunduan. Me sa duket disa u ekzekutuan, të tjerët vdiqën në burg, nga uria e nga torturat. Gjithsesi, nuk u mbytën menjëherë. Edhe pse derdhen gjakun në kohë të ndryshme, kremtohen të gjithë së bashku, më 12 shkurt.
Kisha Martirët e Abitenës i paraqet si shembull për gjithë të krishterët, në mёnyrё tejet tё veçantë lidhur me vleraёn e pallogaritshme tё Eukaristisë, duke nënvizuar se ‘pa Eukaristinë nuk do të kishte më Kishë’. Është Eukaristia ajo, që e bën bashkësinë njerëzore, mister bashkimi, të aftë për t’ia çuar Zotin botës e botën Zoti. Të krishterët e parë, në Jeruzalem, ishin shenjë e dukshme e këtij stili të ri të jetës. Jetonin në vëllazëri e i përdornin bashkërisht pasuritë e tyre, në mënyrë që asnjë të mos ishte nevojtar. E ky stil jete e ka burimin e vet pikërisht tek Eukaristia.
Edhe në breznitë e mëpasshme, në rrjedhë shekujsh, Kisha, pavarësisht nga kufizimet dhe gabimet njerëzore, vijoi të ishte në botë forcë e gjallë bashkimi. Mjafton të kujtojmë rolin e saj në vendet e diktaturave komuniste, ku besimtarët mbetën të lidhur në mënyrë të pazgjidhshme me Krishtin në Eukaristi, pa marrë parasysh asnjë rrezik. Prej këndej kalendari kishtar sot ripohon, me fjalët e martirëve të lashtë të Abitenës, se i krishteri pa Eukaristinë, nuk mund të jetojë.