Kërko

Sante Fosca e Maura Martiri Sante Fosca e Maura Martiri

Më 13 shkurt kalendari kujton shenjtoret Foska e Maura, martire

Në historinë e martirizimit të tyre nuk ka të dhëna kronologjike, por hagjiografët e mëvonshëm, mendimi i të cilëve pasqyrohet edhe nga Martiriologu Romak, shkruajnë se shenjtoret u martirizuan gjatë persekutimit decian, duke hamendësuar se prefekti Kuinciani është konsulli i provincës së Sicilisë, nga i cili u martirizua edhe Shën Agia.

R.SH. - Vatikan

Më 13 shkurt, kalendari kishtar përkujton shenjtoret Foska e Maura, martire. Nga historia e martirizimit të këtyre dy shenjtoreve, mësojmë se Foska, e lindur në një familje pagane në Ravenë të italisë, kur mbushi 15 vjeç ndjeu thirrjen  e Zotit për t’u kthyer në fenë e krishterë. Bisedoi për këtë me mëndeshën e saj, Maurën dhe shkuan së bashku tek prifti Ermolao, që e përgatiti vajzën dhe e pagëzoi.

I jati, Siroi, u mundua më kot ta rikthente në fenë e të parëve. Foska u padit menjëherë tek prefekti Kuinziani, por ushtarët që shkuan ta kapnin, nuk ia dolën manesh, sepse mbrohej nga një engjëll. Atëherë Foska dhe Maura u paraqiten vullnetarisht para Kuincianit, që urdhëroi t’i nxirrnin para gjyqit, t’i torturonin mizorisht e pastaj, më 13 shkurt, t’ua prisnin kokat.

Kokat e prera, të flakura në det, u rrëmbyen nga detarët dhe u mbartën në Tripolitani, ku u varrosën në shpellat pranë Sabrathës (Sakratha e sotme). Shumë vjet më vonë, pasi zona u pushtua nga arabët, një i krishterë me emrin Vitale, i shtyrë nga frymëzimi hyjnor, i solli përsëri reliket e shenjtoreve Foska e Maura në Itali, në ishullin Torçelo të lagunës venete, ku për nder të dy martireve u ndërtua një kishë.

Në historinë e martirizimit të tyre nuk ka të dhëna kronologjike, por hagjiografët e mëvonshëm, mendimi i të cilëve pasqyrohet edhe nga Martiriologu Romak, shkruajnë se shenjtoret u martirizuan gjatë persekutimit decian, duke hamendësuar se prefekti Kuinciani është konsulli i provincës së Sicilisë, nga i cili u martirizua edhe Shën Agia. Fakti se reliket erdhën në Torçelo nga Afrika konfirmohet edhe nga dy emrat, Foska e Maura, emra vajzash afrikane.

13 shkurt 2024, 15:10