Kërko

Më 14 shkurtit kalendari kujton Shën Çirilin dhe Shën Metodin

Me përkthimin Shkrimit t Shenjtë dhe liturgjisë në gjuhën sllave, dy vëllezërit Krili e Metodi fituan një simpati të madhe në popull. Por ishte pikërisht kjo simpati, që u bë shkak edhe për lindjen e armiqësisë nga ana e klerit frank, që kishte arritur para tyre në Moravi dhe i konsideronte këto vise, si troje të misionit të tij kishtar. Për t’u përligjur, në vitin 867, dy vëllezërit u nisën për në Romë. Çirili e Metodi janë fytyra profetike të dy shpirtrave që kanë mbështetur gjithmonë Evropën

R.SH. - Vatikan

Kisha katolike romake kujton sot më 14 shkurt Shën Çirilin a Krilin, murg dhe Shën Metodin, ipeshkëv – vëllezër, bashkëpajtorë qiellor të Evropës, fytyra profetike të dy shpirtrave që kanë mbështetur gjithmonë Evropën dhe apostuj të popujve sllavë, përpiluan dy alfabete për ta: çirilicen e gllagolicen, për ta bërë Fjalën e Zotit të kuptueshme nga popujt e përmendur, dhe për t’i mishëruar vlerat ungjillore në jetën e tyre.  Shenjtorët Cirili e Metodi. siç i ka quajtur shën Gjon Pali II, janë “pararendës të vërtetë të ekumenizmit”.

Çirili e Metodi vëllezër të një gjaku dhe të një feje në Jezu Krishtin, lindën në Thesalonia ( Selanikun e sotëm në Greqi) në fillim të shekullit IX-të. Me kulturë bizantine, hyjnë në marrëdhënie të ngushta me Kishën e Kostandinopojës, u bënë misionarë, së pari ndër Katarët e Krimesë e më vonë ndër popujt e Panonisë e të Moravisë së Madhe. Krijuan alfabetin sllavë e përkthyen në këtë gjuhë Shkrimin Shenjt ( Biblën) dhe tekstet e liturgjisë latine, për t’ia hapur popujve të ri thesaret e Fjalës së Zotit dhe të Sakramenteve.

Për këtë mision apostolik, pësuan mundime e vuajtje të çdo natyre, por i përballuan të gjitha vështirësitë me besnikëri e dashuri të patundur duke predikuar Ungjillin e Krishtit e duke përhapur Mbretërinë e Zotit. Papa Adriani II e pranoi veprën e tyre duke miratuar gjuhën sllave për shërbime liturgjike. Me fjalë tjera, Papa Adriani II lejoi që gjuha e re sllave të përdorët në kremtime të Liturgjisë Hyjnore ndër popujt sllavë.

Shën Çirili vdiq në Romë më 14 shkurt të vitit 869, në moshën 42 vjeçare dhe është varrosur në Bazilikën e Shën Klementit gjithnjë në Romë. Shën Metodi, i shuguruar ipeshkëv i Sirmios ( Sremska Mitrovicës së sotme) qe emëruar legat i Papës pranë Sllavëve, ndërsa vdiq në Velehrad ( Cekinë e sotme) më 6 prill 885.

Këtyre dy shenjtorëve të mëdhenj, misionarëve të palodhur, që tërë jetën ia kushtuan përhapjes së Ungjillit ndër popujt sllavë, e që përpiluan dy alfabete për ta: çirilicen dhe gllagolicen, për ta bërë Fjalën e Zotit të kuptueshme nga popujt e përmendur, dhe për t’i mishëruar vlerat ungjillore në jetën e tyre, Papa Shën Gjon Pali II më 2 qershor të vitit 1985 ua kushtoi njërën prej Enciklikave të tij: “Sllavorum Apostoli”.  Me të drejtë Shën Çirili e Shën Metodi konsiderohen Etër të krishterimit e të kulturës së popujve sllavë, urëlidhëse për bashkimin e plotë ndërmjet Kishave më të lashta me Kisha e reja. 

14 shkurt 2024, 10:25