Kërko

Palestinezët ikin nga Rafahu Palestinezët ikin nga Rafahu

15 organizata ndërkombëtare kërkojnë që uria të mos përdoret si armë lufte në Gazë

Organizatat nënshkruese të kësaj deklarate - Action Against Hunger, ActionAid, Danish Refugee Council, Humanity and Inclusion / Handicap International (HI), Insecurity Insight, INTERSOS, Islamic Relief USA, Mercy Corps, Norwegian Refugee Council, Plan International, Project Hope, Save the Children, Solidarités International, Tarjimly, War Child Alliance - bëjnë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm dhe të përhershëm dhe për shtimin masiv të ndihmës humanitare

R.SH. – Vatikan

Nuk resht shqetësimi botëror për ofensivën e mundshme të Izraelit kundër Rafahut. Egjipti po ndërton në shkretëtirën e Sinait, një enklavë të kufizuar me mure të larta deri në 7 metra, ku do të stehohen refugjatët palestinezë, në rast se presioni uhhtarak izraelit shkakton një eksod masiv nga Rripi i Gazës. Nga ana tjetër, bashkësia ndërkombëtare po i shumëfishon thirrjet për ta detyruar kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, të heqë dorë nga ofensiva në shkallë të gjerë kundër Rafahut, ndërsa dje, ushtria hyri në spitalin e Khan Younes. Benjamin Netanayhu hedh poshtë çdo hipotezë për njohjen e një shteti palestinez.

Në këtë kuadër, 15 organizata ndërkombëtare, ndër më të njohurat, si Action Aid e Save the Children, kërkojnë të mos përdoret uria si armë për luftën në vijim. Në një notë të përbashkët, ato bëjnë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm dhe të përhershëm dhe për shtimin masiv të ndihmës humanitare për të shmangur urinë në Gazë, e vetmja mënyrë për të respektuar Rezolutën 2417 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Hyrja e ndihmës humanitare për popullsinë civile, vënë në dukje ato, është detyrim i së Drejtës Ndërkombëtare Humanitare, e cila e dënon përdorimin e urisë si metodë lufte.

Më se gjysmë milioni njerëz, dëshmojnë të dhënat e fundvitit 2023, jetojnë në gjendje katastrofike. Është përqindja më e lartë në një popullsi, në krizë për ushqim. Disa nga familjet e Gazës kalojnë ditë të tëra pa ngrënë, denoncojnë organizatat. Sipas vlerësimit të OKB-së, gjatë muajve të ardhshëm, problemi i kequshqyerjes së fëmijëve do të shtohet me 27%. Foshnjat, fëmijët e vegjël, gratë shtatzëna, si edhe ato me fëmijë në gji janë më të ekspozuara nga shkallëzimi i konfliktit, më vështirësi për t’u furnizuar me ushqim, ujë dhe ilaçe. Për rrjedhojë, paralajmërojnë organizatat ndërkombëtare, mund të shtohen sëmundjet e të rritet vdekshmëria.

Para konfliktit aktual, më se 2/3 e popullsisë merrte ndihma ushqimore. Tani, ndërsa nevojat rriten dhe situata përkeqësohet, ndihmat humanitare janë ulur, për shkak të dhunës, pasigurisë dhe kufizimeve për hyrjen në territor. Taktikat e rrethimit të Izraelit në Rripin e Gazës janë një nga faktorët kryesorë, që pengojnë dërgimin e ndihmave. Masat e përkohshme, marrë kohët e fundit nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, kërkojnë që Izraeli të mundësojë shërbimet bazë dhe ndihmën humanitare. Shtetet e treta kanë detyrimin ligjor për të garantuar që të gjitha palët të lejojnë ndihmën e mjaftueshme në Gazë dhe të heqin çdo kufizim për këtë, përfundojnë 15 organizatat ndërkombëtare.

16 shkurt 2024, 14:14