Kërko

Më 21 shkurt kalendari kujton Shën Pier Damianin, ipeshkëv e dijetar i Kishës

Shën Pier Damiani është ndër shenjtorët që takojmë në Parajsën e Dantes. Reformator i shenjtë dhe doktor i Kishës, e luftoi simoninë dhe korrupsionin që u përhap në klerin e kohës së tij. Pier Damiani na kujton se jeta e oshënarit është kulmi i jetës së krishterë, e lirë nga lidhjet me botën, fiton “paradhënien e Shpirtit Shenjt e shpirti i tij bashkohet, i lumtur, me Dhëndrin Hyjnor / Jezu Krishtin".

R.SH. - Vatikan

Më 21 shkurt kalendari kishtar përkujton Shën Pier Damianin, ipeshkëv e dijetar i Kishës, personalitet i pasur dhe i ndërlikuar të Kishës së Mesjetës, gjeni  i teologjisë, mjeshtër i jashtëzakonshëm i pendës, njeri që shkroi faqe të paharrueshme e aktuale për bukurinë e Zotit, për dashurinë e Krishtit në Kryq, për vlerën e heshtjes së shpirtit. Reformator i shenjtë dhe doktor i Kishës, e luftoi simoninë dhe korrupsionin që u përhap në klerin e kohës së tij, Shën Pier Damiani është ndër shenjtorët që takojmë në Parajsën e Dantes. 

Piero u lind në Ravenna në vitin 2007. Fëmija i fundit i një familjeje të madhe, jetim nga i ati, u edukua nga vëllai i madh, Damiani. Pas studimeve në disa qytete të Italisë dhe pas mësimdhënie në universitetin e Parmës, hyri në manastir. Në vitin 1057 Papa e thirri në Romë, për ta ndihmuar në një kohë të vështirë ndasish , kur Kisha ishte e goditur nga simonia. U emërua ipeshkëv i Ostia-s e pastaj kardinal dhe ndihmoi gjashtë papë, njërin pas tjetrit, për të ndrequr moralin e Kishës.

Figurën e oshënarit e të teologut të madh, shën Pier Damiani, i cili jetoi ndërmjet viteve 1007 e 1072, në Itali, po e përshkruajmë me fjalët e Papës nderit Benediktit XVI, sipas audiencës së përgjithshme të 9 shtatorit 2009, kushtuar Shenjtit.  Joseph Ratzinger e përshkruan atë, që e quante veten “shërbëtori i fundmë i murgjërve”, si personalitet të pasur dhe të ndërlikuar të Kishës së Mesjetës, gjeni  të teologjisë, mjeshtër të jashtëzakonshëm të pendës, njeri që shkroi faqe të paharrueshme e aktuale për bukurinë e Zotit, për dashurinë e Krishtit në Kryq, për vlerën e heshtjes së shpirtit.

Por jeta e shën Pier Damianit nuk u flet vetëm rregulltarëve e personave të shuguruar. Jeta e oshënarit është kulmi i jetës së krishterë, pasi murgu, i lirë nga lidhjet me botën, fiton “paradhënien e Shpirtit Shenjt e shpirti i tij bashkohet, i lumtur, me Dhëndrin Hyjnor”. Kjo është e rëndësishme edhe për ne sot, megjithëse nuk jemi murgjër: të dimë të heshtim brenda nesh pèr të dëgjuar zërin e Zotit, të kërkojmë, si të thuash, një vend ku Zoti të flasë me ne. Mësimi i Fjalës së Zotit në lutje e meditim është rruga e jetës.

Të njohura, shkrimet e shën Pier Damianit mbi Kryqin e Krishtit e mbi jetën e oshënarit, reflektime që kthehen në Rregull, për të formuar bashkëvëllezërit e tij kamaldolezë në shekuj, deri në ditët tona. Bashkimi intim me Krishtin impenjon jo vetëm murgjërit, por të gjithë të pagëzuarit. Gjejmë këtu një thirrje të fortë edhe për ne, që të mos e lëmë veten krejtësisht në dorën e trazirave, problemeve e shqetësimeve të përditshme, duke harruar se në qendër të jetës sonë duhet të jetë gjithnjë Jezusi.

Shën Pier Damiani punoi shumë për të përmirësuar ambientin kishtar të kohës së vet e dha një kontribut të çmuar, që Kisha të luante rolin e saj të natyrshëm për kujdesin e shpirtrave. Ai i dënoi ipeshkvijtë e abatët, që e kryenin detyrën, si të ishin diktatorë, e jo barinj të Kishës. Murgu, i cili më vonë u bë kardinal e ipeshkëv i Ostia-s veç për t’iu bindur Papës, na la kështu një mësim të madh: na mësoi se Kisha duhet të jetë e bashkuar, se universaliteti i saj duhet të jetë i pranishëm në secilin prej nesh, në mënyrë që edhe shërbimi i një personi të vetëm, të jetë shprehje e këtij universaliteti.

21 shkurt 2024, 10:19