Më 23 shkurt kalendari kujton Shën Polikarpin e Izmirit, ipeshkëv e martir
R.SH. - Vatikan
Më 23 shkurt, kalendari kishtar përkujton Shën Polikarpin e Izmirit, ipeshkëv e martir, dishepul i Shën Gjonit Apostull e Ungjilltar dhe mik i Shën Ignacit të Antiokisë. U bë ipeshkëv i Smirnës a Izmirit gjatë mbretërimit të Trajanit. Si teolog gëzonte autoritet të madh dhe ishte një nga barinjtë shpirtëror të Kishës më të vlerësuar të kohës. Ai nderohet si shenjtor nga shumë Kisha të krishtera dhe kujtimi i tij liturgjik kremtohet më 23 shkurt ose 26 janar (për koptët, 8 mars).
Polikarpi, pra, njohu nga afër Shën Gjonin Apostull dhe të tjerët apostuj që e kishin parë Zotin Jezus. Prandaj na paraqitet si dëshmitar i jetës apostolike dhe njeri i traditës së gjallë, siç shkruan ai vetë në letrat drejtuar filipianëve e maqedonëve të krishterë. Polikarpi jetoi në heshtje e fshehtësi, duke mos pasur besim në forcat e veta, sepse tepër plak dhe i lodhur. Por kur i erdhi koha të dilte haptas e publikisht, diti ta mbrojë dhe kumtojë me një guxim të jashtëzakonshëm fenë e vet në Krishtin.
Fundin e tij e njohim nga një dokument, që mban datën e 23 shkurtit të vitit 155. Është një tregim me vlerë të madhe historike, agjiografike e liturgjike. I zvarritur para Prokonsullit Stacio Kuadratit- rrëfehet në dokument – Polikarpi u ftua ta mohonte Krishtin, por ai u përgjigj me këto fjalë duke tundur kokën:
“Që prej 86 vjetësh i shërbej e nuk më ka bërë kurrnjë të keqe: e si të blasfemoj kundër Mbretit tim që më shëlboi?
- A e di se mund të të djeg përsëgjalli? – i tha Prokonsulli.
- Zjarri me të cilin më kërcënoni – përgjigji Shën Polikarpi – të djeg për një çast, por pastaj kalon; unë ia kam frikë n zjarrit të amshuar të dënimit!”
E ndërsa digjej i gjallë në mesin e amfiteatrit të Smirnës (Izmirit të sotëmnë Turqi)), Polikarpi i lartonte Zotit një uratë të shkurtër, por nga zemra: “O Zot, qoftë lavdëruar emri yt i adhuruar në shekuj të shekujve, nga Jezu Krishti, meshtar i amshuar e i gjithëpushtetshëm – e qoftë i nderuar emri yt së bashku me Jezusin e Shpirtin Shenjt sot e përgjithmonë e jetës!”.
E sakaq, trupi i pjekur nga zjarri u shndërrua në një grusht hi. Mbetën, siç vijon të tregojë dokumenti i përmendur- vetëm pak eshtra, që u ruajtën si gurë të çmuar dëshmie për Krishtin e Gjallë.
U shpëtuat falas
(Nga Letra e Shën Polikarpit martir drejtuar Filipianëve)
Polikarpi emeshtarët që janë me të, Kishës së Hyjit, që banon si shtegtare në qytetin Filipi: mëshira dhe paqja e Hyjit të gjithëpushtetshëm dhe e Jezu Krishtit shpëtimtarit tonë u dikofshin begatisht mbi ju!
Marr pjesë plotësisht në gëzimin tuaj në Zotin tonë Jezu Krishtin, sepse keni zbatuar dashurinë më të vërtetë. Keni ndihmuar në udhën e tyre shenjtërit e lidhur me vargonj, me vargonjtë që janë byzylykë e margaritarë të mirëfilltë për ata që u zgjodhën nga Hyji e nga Zoti ynë. Gëzohem, sepse rrënja e fortë e fesë suaj, që u kumtua para jush që në fillim, qëndron deri më sot dhe mbart fryte në Jezu Krishtin Zotin tonë. Ai, për mëkatet tona pranoi të shkojë deri në vdekje, por “Hyji e ringjalli, duke e zgjidhur nga ankthi i vdekjes” (Vap 2,24) e ju besoni në të, pa e parë, me gëzim të madh e të lavdishëm, gëzim që shumë vetë e dëshirojnë. Ju e dini mirë se u shpëtuat falë hirit, jo falë veprave tuaja, por për vullnet të Hyjit, me anë të Jezu Krishtit (Ef 2,8-9).
“Prandaj, pasi të jeni përgatitur me mend për të vepruar”, (1Pj 1,13), “shërbejini Hyjit me frikë” (Ps 2,11) e me vërtetësi, duke i lënë mënjanë thashethemet e kota dhe gabimet trashanike dhe “duke besuar në atë që e ngjalli Zotin tonë Krishtin nga të vdekurit dhe i dha lavdi” (1Pj1,21), sepse e uli në të djathtën e vet. Atij i nënshtrohen të gjitha gjërat në qiell e në tokë, atij i bindet cdo qenie e gjallë. Ai do të vijë për t’i gjykuar të gjallët e të vdekurit e Hyji do t’u kërkojë llogari për gjakun e tij atyre që nuk besuan në të.
Ai që e ringjalli nga të vdekurit, do të na ringjallë edhe ne, nëse do të kryejmë vullnetin e tij, nëse do të jetojmë sipas urdhërimeve të tij e nëse do të duam çfarë deshi ai, duke e larguar çdo padrejtësi, mashtrim, shpifje, dëshmi të rreme, “duke mos e kthyer të keqen me të keqe, as dëmin me dëm” (1 Pj 3,9), goditjen me goditje, mallkimin me mallkim, por duke mbajtur parasysh mësimin e Zotit, i cili tha: Mos gjykoni e nuk do të gjykoheni; falni e do t’u falet; jini të mëshirshëm e do të gjeni mëshirë; me atë masë me të cilën do të matni, do t’u matet edhe juve (khs Mt 7,1) dhe: lum të varfërit e të përndjekurit për shkak të drejtësisë, sepse e tyre është mbretëria e qiejve (khs Mt 5,3.10).