Më 27 shkurt kalendari kujton Shën Gabrielin e Zojës së Dhimbshme, rregulltar
R.SH. - Vatikan
Kalendari kishtar më 27 shkurt përkujton Shën Gabrielin e Zojës së Dhimbshme, rregulltar. Që në moshën 18 vjeçare Francesco Possenti ia kushtoi jetën Zotit në familjen rregulltare të pasionistëve. U bë, kështu, Gabrieli i Zojës së Dhimbshme, që zu, në zemrën e tij, vendin e nënës, humbur në moshë të mitur. E Virgjëra Mari i priu drejt shenjtërisë.
Shenjti pajtor i krahinës Italiane të Abrucit, Francesco Possenti, lindi në Asizi më 1 mars 183. Kur ishte katër vjeç, i vdiq e ëma. Më vonë ndoqi vëllezërit dhe babain, guvernator i Shtetit papnor, nëpër vende të ndryshme. Pastaj u vendos në Spoleto, ku frekuentoi Vëllezërit e shkollave kristiane dhe Jezuitët.
Në moshën 18 vjeçare filloi rishtarinë pranë rregulltarëve Pasionistë në Morrovale ( Maçeratë), duke marrë emrin Gabrieli i Zojës së Dhimbshme. U quajt Gabrieli i Zojës së Dhimbshme, sepse pati vegime të vazhdueshme mistike, në të cilat i dukej pikërisht Zoja e Dhimbshme. Vdiq në vitin 1862, 24 vjeç, në Izola del Gran Saso, kur kishte marrë vetëm urdhrat e vegjël të jetës rregulltare, pra pa u bërë rregulltar me kushte të përjetshme, as meshtar.
Në Gran Saso, Itali, nderohet shumë, në shenjtëroren që mban emrin e tij, cak shtegtimesh, sidomos të të rinjve. Është shpallur shenjt në vitin 1920. Shën Gabrieli u dallua për një jetë të përkushtuar plotësisht Mundimeve të Jezu Krishtit, dhurimit të plotë të vetes pa rezerva, të shpirtit të uratës e të pendesës, në mënyrë të posaçme kishte një përshpirtëri ndaj të Shenjtënueshmes Zojë të Dhimbshme.
Dëshmia e krishterë e Shën Gabrielit të Zojës së Dhimbshme ishte aq e jashtëzakonshme, sa të shërbejë si model për mbarë Kishën, posaçërisht për breznitë e reja. Shën Gabrieli jetoi pak, por jetoi me fund sipas Ungjillit. Ndaj la gjurmë të thella kudo shkeli, kudo foli, kudo u lut. Për ditët tona figura e Shën Gabrielit, “shenjtit të buzëqeshjes” është shembull i përshpirtërisë së sinqertë kristiane, mësim i rëndësishëm për të gjithë se si të jetojmë në përkim me Ungjillin e në lutje të vazhdueshme me Mësuesin e Jetës, Krishtin.
Kisha e paraqet Shenjtin Djalosh, Gabrielin e Zojës së Dhimbshme, rregulltar si shembull edhe në këtë kohë, që kërkon afërsi, dashuri e përkushtim e i ftom të gjithë, të ecin mbi gjurmët e a Shën Gabrielit, i cili la gjithçka, e gjeti lumturinë e vërtetë në Krishtin!
Gabrieli vdiq më 27 shkurt 1862, në moshën 24 vjeçare. U shpall shenjt më 13 maj 1920, nga Benedikti XV. Shenjti e dëshmoi në mënyrë shembullore Ungjillin e tani ndërmjetëson për ne të gjithë, e posaçërisht për të rinjtë, pranë Zotit!
Shën Gabrieli la gjithçka dhe gjeti lumturinë e vërtetë në Krishtin! Vdiq më 27 shkurt 1862, në moshën 24 vjeçare. U shpall shenjt më 13 maj 1920, nga Benedikti XV. Shenjti e dëshmoi në mënyrë shembullore Ungjillin e tani ndërmjetëson për ne të gjithë, e posaçërisht për të rinjtë, pranë Zotit!