Me 3 shkurt kalendari kujton Shëna Vlashin, ipeshkëv e martir
R.SH. - Vatikan
Mё 3 shkurt kalendari kishtar përkujton Shëna Vlashin, mrekullibërës, ipeshkëv i Sebastes së Armenisë, (Sibusi i sotëm në Turqi), Pajtor qiellor i Raguzës, që kremtohet edhe në Sicili me Festën e bukëve, e jo më pak në krahinën e Kurbinit të Shqipërisë, sidomos në Laç ku, pikërisht nën Shenjtoren e Shëna Ndout të Padovës, ruhet edhe sot e kësaj dite shpella në të cilën thuhet se qe fshehur Shëna Vlashi, gjatë persekutimeve fetare kundër të krishterëve nën Dioklecianin perandor, apo, sipas gjasave, nën Julianin Apostata, në fillim të shekullit IV.
Nё atё kohё edhe u kap e iu dorëzua gjyqit, si bari i të krishterëve e kundërshtar i Perandorit. Pas shumë mundimesh që iu bënë, me qëllim që ta shtrëngonin të mohonte fenë në Jezu Krishtin, iu pre koka, me urdhër të Agrikolaut, sundimtar i Capadocies, më 3 shkurt të vitit 316 pas Krishtit
Besimtarët i luten Zotit nërmjet ndërmjetësimit të Shëna Vlashit, posaçërisht për shërimin nga sëmundjet e grykës, sepse, sipas traditës, ndërmjet shumë mrekullive që bëri, shëroi edhe një fëmijë të vogël, të cilit i kishte ngecur një halë në fyt, që po i merrte frymën.Prandaj gjatë meshëve të sotme, të gjithë të pranishmit ndër kremtime, bënë edhe kryqin nën fyt, me dy qirinj të lidhur në formë iksi e të bekuar për këtë rast, shoqëruar me lutjen: "Me ndërmjetësinë e Shëna Vlashit, Ipeshkëv e Martir, Zoti të ruajtët nga sëmundjet e grykës e nga çdo ligështi trupore e shpirtërore".
Është shkruar shumë për Shëna Vlashin e për vendlindjen e tij. At Shtjefën Gjeçovi e, pas tij, edhe studiues të tjerë, si At Vinçenc Malaj, kanë sjellë argumente për të vërtetuar se Shenjti nuk ka lindur në Armeni - siç besohet, por në Arbëni e se emri i vendlindjes është i shkruar gabim. Shumë të dhëna vërtetojnë se Shëna Vlashi, në mos ka lindur, sigurisht ka jetuar në trevat e Shqipërisë së sotme.
Për nder të Shëna Vlashit janë ngritur një sërë Kishash kudo në botë, e edhe në Romë, ku në Kishën e Shenjtit në Campo di Marzo sot u kremtua festa liturgjike e tij. Kisha e toponime me emrin e Shëna Vlashit gjejmë edhe sot e kësaj dite në vise të ndryshme të Shqipërisë, duke filluar nga shpella e Shëna Vlashit në Laç tek kisha e Sh’na Vlashit në Durrës, e emërtime të tjera. Shenjti është shumë i nderuar edhe në Kosovë, në Mal të Zi e vise tjera.