Me 5 shkurt kalendari kishtar përkujton Shën Agen
R.SH. - Vatikan
Shën Agia, apo Agata, virgjër e martire, lindi në Katania të Italisë në dhjetëvjeçarët e parë të shekullit III. Agata, që do të thotë "e mirë", u martirizua kur ishte vetëm 13 vjeç, në vitin 250 nga Kosulli Kuinciano, sepse nuk pranoi të bëhej gruaja e tij.
Bijë e një familjeje fisnike, me një bukuri të rrallë fizike e shpirtërore, ajo nuk u tremb nga torturat e shërbëtorëve të Kuincianit, që arritën deri atje, sa t'ia copëtonin trupin, duke i prerë edhe gjirin, siç paraqitet në ikonografi. Ashtu, të copëtuar, e sollën para Kuincianit i cili, si e pa se vijonte të përflakej vetëm nga dashuria hyjnore, e hodhi mbi thëngjij të ndezur, ku buzët e saj të shkrumbuara, pëshpëriten lutjen e fundit, para se t'ia dorëzonte shpirtin Zotit. Prandaj Shenjtorja paraqitet kështu edhe në ikonografi. Në vitin 250, kur u martirizua, ishte vetëm 13 vjeçe.
Shën Agia kujtohet nga Kanuni i lashtë i Meshës si shembull virtyti heroik, e është Pajtore e Katanies, ku banorët vijojnë t’i drejtohen për ndërmjetësim sa herë rrezikohen nga shpërthimi i vullkanit Etna. Shenjta është shumë e nderuar ndër shqiptarët. Emrin e saj e mbajnë shumë vajza e gra shqiptare në trajtën Age, Agetinë, Tinë, Agi. Age quhej edhe motra e Shën Nënë Terezës.