Kërko

Martiri cristiani di Nagasaki, sec. XVII Martiri cristiani di Nagasaki, sec. XVII 

Me 6 shkurt kalendari kujton Shën Pal Mikin dhe shokët martirë

Pal Miki qe katekist jezuit shumë i zellshëm. Punoi me gjithë shpirt për ta përhapur më tej lajmin e mirë të Ungjillit ndërmjet vëllezërve japonezë. E në sa kryente këtë veprimtari, në Japoni të krishterët nisën të akuzoheshin se kërcënonin unitetin kombëtar, të arrestoheshin dhe të martirizoheshin. Pal Miki u vra pranë Nagasakit së bashku me 25 shokë të tjerë: 2 jezuitë, 6 françeskanë dhe 17 bashkatdhetarë terciarë të rendit françeskan. Kisha i kujton sot në kalendarin liturgjik

R.SH. - Vatikan

Kisha kujton sot, 6 shkurt, Pal Mikin dhe martirët tjerë, japonezët e kryqëzuar për shkak të  fesë së tyre në Jezu Krishtin. Pali Miki u vra afër Nagasakit së bashku me 25 shokë të tjerë: 2 jezuitë, 6 françeskanë dhe 17 anëtarë të tjerë të urdhrit françeskan.

Pajtor  qiellor i bashkësisë katolike japoneze, Pal Miki lindi në Kioto të Japonisë rreth vitit 1564. Është japonezi i parë që u pranua në një urdhër rregulltar katolik, pra jezuiti i parë japonez. I lindur në një familje të kamur e i pagëzuar në moshën 5 vjeçe, Pal Miki hyri më pas në një kolegj të Shoqërisë së Jezuitëve. 22 vjeç ishte novic. 

Arriti rezultate të shkëlqyera në të gjitha lëndët. E mundoi pakëz vetëm latinishtja, shumë larg nga mënyra e tij e të folurit dhe e të menduarit. Ndërkaq u bë specialist i përshpirtërisë lindore aq, sa u caktua të predikojë e të dialogojë me budistët. E kreu me sukses detyrën e ia doli mbanësh t’i kthejë shumë prej tyre në fenë e krishterë, e cila kishte nisur të depërtonte në Japoni që në vitin 1549, me Shën Françesk Saverin, që kaloi atje dy vjet, duke ia hapur rrugën misionarëve të tjerë, të mirëpritur nga popullata. 

Pal Miki qe katekist jezuit shumë i zellshëm. Punoi me gjithë shpirt për ta përhapur më tej lajmin e mirë të Ungjillit ndërmjet vëllezërve japonezë. E në sa kryente këtë veprimtari, në Japoni të krishterët nisën të akuzoheshin se kërcënonin unitetin kombëtar, të arrestoheshin dhe të martirizoheshin.

Pali u arrestua në dhjetor të vitit 1596 në Osaka. Në burg gjeti tre jezuitë e gjashtë françeskanë misionarë si dhe 17 terciarë japonezë të Shën Françeskut. Më 5 shkurt 1597 i gjithë grupi i etërve misionarë u dënua me vdekje. Pal Miki i priu drejt kryqave, që qenë ngritur për ta në njërën nga kodrinat e Nagasakit. Aty edhe i kryqëzuan, si Mësuesin Hyjnor. E në sa jepte shpirt i kryqëzuar, bëri predikimin e fundit, duke përsëritur fjalët e Krishtit në kryq: “In manus tuas, Domine, comendo spiritum meum”, në atë latinishte që e pat munduar aq shumë kur qe i ri.

Ishte koha e persekutimit të rreptë që shpërtheu kundër të krishterëve japonezë nën Perandorin Toitomi Hideioshi.265 vjet më pas e pikërisht në vitin 1862, i Kryqëzuari i Nagasakit do të shpallej shenjt nga Papa Piu IX, ndërsa në vitin 1846, në Veronë të Italisë, një seminarist pesëmbëdhjetë vjeçar, si pati lexuar tregimin mbi këtë kryqëzim, ndjeu fuqimisht shtytjen për jetë misionare: ishte Daniel Komboni, apostulli i ardhshëm i Nigricisë, apo Afrikës, së cilës do t’i kushtonte jetën e vdekjen, tre shekuj pas Shën Pal Mikit

06 shkurt 2024, 07:23