Kërko

Më 8 shkurt kalendari kujton shën Gjyzepina Bakita, afrikane

Shën Jozefina Bakhitën, virgjër, rritur nën një skllavëri të tmerrshme, tani pajtore qiellore e viktimave të trafikut dhe Shën Jeronim Emilianin, themelues i Etërve Somaskë, pajtor qiellor i jetimëve dhe i të rinjve të braktisur

R.SH. - Vatikan

Me 8 shkurt kalendari kishtar përkujton Shën Jozefina Bakhitën, virgjër, skllave sudaneze e liruar e, më pas, murgeshë kanosiane, shpallur Shenjte në vitin 2000. Jozefina Bakhita (Olgossa, 1869 – Schio, 8 shkurt 1947), tani pajtore qiellore e viktimave të trafikut njerëzor, i provoi personalisht vuajtjet e skllavërisë. "Tregtia e njerëzve“, krim kundër njerëzimit, është një nga skllavëritë më të turpshme të shekullit XXI, viktimë të së cilës janë miliona njerëz, shumica, gra e fëmijë.

Gjyzepina Bakita lindi në Sudan në vitin 1869. Iu desh të provonte ankthin e rrëmbimit e të skllavërisë. Si u shit disa herë në tregjet e skllevërve në El Obeid e në Kartum, u blé, më në fund, nga konsulli italian. Me të shkoi në Venedik, ku u njoh me motrat kanoziane. Gjyzepina iu lut atyre ta ndihmonin për të njohur atë Zot, të cilin e kishte ndjerë në zemër pa e ditur akoma se kush ishte. E u tregonte motrave rregulltare: “Duke parë diellin, hënën e yjet, thosha me vete: “Kush do të jetë zotëria i këtyre sendeve?  E ndjeja një dëshirë të zjarrtë për ta parë, për ta njohur e për ta nderuar”.

Jetoi pesëdhjetë vjet me radhë duke shërbyer në shtëpinë e simotrave, të cilat e nderonin për ëmbëlsinë e saj të përhershme, për mirësinë e saj e për dëshirën që të njihte Zotin.  U la trashëgim fjalët: “Të jeni të mira, duajeni Zotin, lutuni për ata që nuk e njohin! Sikur ta dinin ç’hir i madh është ta njohësh Zotin!”. Në pleqëri kaloi një sëmundje të rëndë e të dhimbshme. Dha shpirt më 8 shkurt të vitit 1947 rrethuar nga simotrat dhe nga një turmë e madhe njerëzish, që u mblodh për t’i dhënë lamtumirën e fundit “Nënës së shenjtë zeshkane” e për t’i kërkuar ndërmjetësim nga qielli.

Kisha katolike i lutet pajtores qiellore të viktimave të trafikut, shën Jozefina Bakitës, skllavëruar që e vogël, shitur e blerë, por pastaj, liruar e ‘lulëzuar’ plotësisht si bijë e Zotit, dhe sot kujton e denoncon 'viktimat e pafajshme të trafikut', që kthehen në mall, dhe inkurajon të gjithe ata që ndihmojnë viktimat e trafikut ta vijojnë misionin e tyre, shpesh të rrezikshëm e anonim, por të nevojshëm për t’i dhënë fund kësaj plage të tmerrshme.

08 shkurt 2024, 10:11