Sant'Apollonia, BAV Vat. lat. 3768, f. 153v Sant'Apollonia, BAV Vat. lat. 3768, f. 153v

Me 9 shkurt kalendari kujton Shën Apolloninë, virgjër

Shën Apollonia u martirizua në vitin 249 pas Krishtit në Aleksandri të Egjiptit, gjatë persekutimit barbar që shpërtheu kundër të krishterëve të qytetit

R.SH. - Vatikan

Kalendari kishtar, më 9 shkurt, kujton Shën Apolloninë, e cila jetoi në shekullin e III duke iu kushtuar apostullatit. Apollonia është pajtore qiellore e dentistëve, sepse gjatë martirizimit, i qenë shkulur të gjithë dhëmbët e dhëmballët. Prandaj ikonografia, shumë e pasur, e paraqet me palmën e martirizimit në njërën dorë e me darën e dentistit në tjetrën.

Shën Apollonia u martirizua në vitin 249 pas Krishtit në Aleksandri të Egjiptit, gjatë persekutimit barbar që shpërtheu kundër të krishterëve të qytetit. Turma e tërbuar, pasi plaçkiti dhe shkretoi shtëpitë e besimtarëve dhe ndjekësve të Krishtit, e zvarriti Apolloninë jashtë qytetit. Aty u ndez një zjarr dhe vajza e krishterë u kërcënua se do të digjej e gjallë në se nuk do të pranonte të blasfemonte kundër Jezu Krishtit, nëse pra nuk pranonte të mohonte fenë në Krishtin Shpëtimtar.

Apollonia kërkoi ta linin të mendohej një çast të vetëm, e ndërsa ata prisnin mohimin e saj, Apollonia u hodh vullnetarisht ndërmjet flakëve dhe u shkrumbua ndër sytë e salvuesve të saj, që mbeten me gojë hapur nga guximi i vajzës së krishterë virgjër.  Mbylli kështu ditët e një jete kaluar me lutje e vepra bamirësie, duke u bërë pishtar për t’u ndriçuar të gjithë njerëzve rrugën që çon në mbretërinë qiellore. Fundi i saj pati ngjallur shumë diskutime teologjike, që kanë të bëjnë me qëndrimin ndaj vetëvrasjes, në se mund ta quajmë kështu vdekjen e Shenjtores, duke pasur parasysh se Kisha katolike nuk pranon që njeriu të vendosë mbi fatin e jetës së vet, sepse jeta është në dorë të Zotit.

09 shkurt 2024, 08:14