At Lorenc Mazreku, ofm, martir (foto nga Bashkësia Jonë) At Lorenc Mazreku, ofm, martir (foto nga Bashkësia Jonë)

At Lorenc Mazrreku, martir i fesë dhe i kombit, në përvjetorin e vrasjes

Atë Lorenc Mazrreku, ndonëse i “harruar” në historinë e shqiptarëve, hyn në radhën e figurave të ndritura të Rilindjes kombëtare, një nga personalitetet më të shquara të kombit e Kishës ndër shqiptarë. Në sajë të ndërmjetësisë së tij, në periudhën e tij në Kosovë shpëtuan nga djegia dy Kisha ortodokse: e Patriarkanës së Pejës dhe e Deçanit e, ajo që ka më tepër rëndësi, u shmang rreziku real i luftës vëllavrasëse ndërmjet myslimanëve e ortodoksëve; ndërmjet shqiptarëve e malazezëve dhe serbëve.

R.SH. - Vatikan

Kujtojmë sot më 15 shkurt At Lorenc Mazrrekun, françeskan, në përvjetorin e vrasjes. Martir i Fesë dhe i Kombit, At Lorenc Mazrreku (Mitroviç) lindi në Janjevë, në dioqezë të Shkupit e Prizrenit, më 5 mars 1872 në familjen e Antonit e Anastasisë Glasnoviq Si kreu kolegjin françeskan të Troshanit, shkoi në Bosnjë për të vijuar studimet për filozofi e teologji. Atje edhe u diplomua.

Zhgunin e Shën Françeskut e veshi më 28 gusht 1886; kushtet e përkohshme i bëri më 12 prill 1988, ndërsa Meshën e parë e kremtoi më 7 korrik 1894, për të filluar më 1895 shërbimin si famullitar në Pejë. Më 1897 e gjejmë në Zllakuqan, ku ndërtoi Kishën; më 1902 ndërtoi Kishën dhe selinë kishtare të Pejës. Pak kohë më pas e gjejmë në Shkodër, si i pari guardian shqiptar i Kuvendit të Françeskanëve në Gjuhadol. Këtu punoi shumë për të kryer punimet e Kishës françeskane të Gjuhadolit.

Në veprën me vlera të mëdha të At Donat Kurtit “Provinca Françeskane Shqiptare”1 për veprimtarinë e At Lorencit në ndërtimin e Kishës së Gjuhadolit, shkruhet: “Fretënt banë çmos për me mbledhë ndihmat e nevojshme. Lypej pare e madhe. Kjo punë i kje lanë kryekrejet P. Françesk Melchiorit, që tue pasë fitue dashuninë e nderimin prej popullit, thirrej vetëm me emnin “Pader Françeskja”. Ky, i ndihmuem prej P. Lorenc Mitroviqit, i cilli pat shkue n’ Hungari për me kërkue lëmoshë.

Kallëzohet se në këtë rasë P. Lorenci pat ble në nji antikuar një seri (gjashtë) fuguresh të vjetra të Zojës së Shkodrës tue ikë në Gjenacan. Këto fugure kjenë ruejtë në bibliotekë të Kuvendit të Gjuhadolit deri në vjetën 1946. Kjenë riprodhue në të përkohshmen ‘Zani i Shna Ndout”.

Në vijim, më 1906 qe sekretari i At Pal Dodajt, provincialit të parë shqiptar të Provincës Françeskane të Zojës Nunciatë. Si sekretar, At Lorenc Mazrreku hartoi nekrologun e provincës. Më 1909 u zgjodh Kustod i Provincës dhe famullitar i Bajzës, ku themeloi Urdhrin e Tretë të Shën Françeskut. Më 1920 shërbeu përsëri si famullitar në Pejë, ku, më 1942, themeloi Shoqninë Antoniane për edukimin e rinisë. Aty e gjetën edhe gjermanët kur, gjatë Luftës II Botërore, hynë në Pejë. Në sajë të ndërmjetësisë së tij, në këtë periudhë shpëtuan nga djegia dy Kisha ortodokse: ajo e Patriarkanës së Pejës dhe Kisha e Deçanit e, ajo që ka më tepër rëndësi, u shmang rreziku real i luftës ndërmjet myslimanëve e ortodoksëve; ndërmjet shqiptarëve dhe malazezëve e serbëve.

Edhe Shenjtorja e Shëna Ndout në Gjakovë u ndërtua nën kujdesin e tij. At Lorenc Mazrreku u dallua për zell e përkushtim fetar e kombëtar, për pasurimin e Kishave me shtatore të reja shenjtorësh e orendi të tjera. Kudo që shërbeu, u mësoi fëmijëve të shkruanin e të lexonin gjuhën shqipe. Si pasojë e një veprimtarie të tillë, fitoi dashurinë e respektin e popullit, të cilit i shërbente, e njëkohësisht urrejtjen e armiqve të Kishës e të Kombit.

At Lorenc Mazrreku u vra nga serbët, më 15 shkurt 1943, në rrugën ndërmjet Gjakovës e Pejës, në Prilep. (burimet nga At Donat Kurti, “Provinça Françeskane Shqiptare”, Botime françeskane Shkodër 2003, fq. 31.) .

 

Në vijim botojmë një shkrim nga Patër Aleksandër Tanushi, ofm:

PATËR LORENC MAZRREKU OFM”

martir fesë dhe atedhetarizmit

në 150-vjetorin e lindjes dhe 80-vjetorin e martirizimit

Vitet e fundit të shekullit XIX dhe fillimet e viteve të shekullit XX, na sjellin dy fakte të rëndësishme në historinë e popullit tonë, Rilindjen Kombëtare Shqiptare dhe Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, të cilat ndikuan në ngritjen e vetëdijeve kombëtare dhe kombëtare në popullin tonë. Mos harroni të mësoni më shumë për historinë që do të gjeni me kontributin dhe gomën tuaj, që të dini se për çfarë bëhet fjalë për martirin, që të mbani gjallë historinë e historianit. Në mesin e kësaj figurave gjendet edhe françeskani patër Lorenc Mazrreku.

Patër Lorenc Mazrreku lindi në Janjevë, me 5 mars të vitit 1872 nga prindërit Antoni dhe Ana. Pasi kreu shkollën fillore në vendlindje, dërgohet në kolegjin françeskanë në Troshan, afër Lezhës, dhe më pas do të dërgohet në provincën e françeskanëve të Bosnjës për të studiuar filozofinë e teologjinë.

Zhgunin françeskan e veshi më 28 gusht 1886 dhe u bë frat i Provincës françeskane shqiptare me seli në Shkodër, ndërsa Meshën e parë e kremtoi më 7 tetor 1894.

Si famullitar e gjejmë në shumë vende: më 1895 në Durrës, më 1897 në Zllakuqan, bashkë më patër Ejëll Paliq e patër Shtjefën Gjeçovin, të cilët pikërisht në këtë vit hapën edhe Shkollën e Parë Shqipe, e cila qe hapur dhjetë vjat pas Shkollës së Korçës, e njohur si shkolla dhe Mazrekut, Gjeçovit... kjo ishte shkolla e parë laike në Kosovë. Në vitin 1902 e gjejmë famullitar në Pejë.

Në vitin 903, eprorët françeskanë e emërojnë guardian në Kuvendin e Gjuhadolit, në Shkodër, tri vite më vonë, më 1906 emërohet sekretar i Provincës Françeskane Shqiptare, ndërsa më pas shërbeu në Bizë (Durrës) dhe Bajzë të Malësisë së Madhe.

Patër Lorenci prapë kthehet në Kosovë si famullitar në Pejë, ku një herë ndërton Kishën e shën Katarinës, e cila gjendet edhe sot e kësaj dite. Në 1930 do t’i besohet edhe kujdesi për Shejtnorën dhe shna Ndout në Gjakovë, ku edhe e ndërton këtë Shejtnore, me rastin e 700 vjetorit të vdekjes së shna Ndout.

Françeskanët Shqiptarë ashtu si të gjithë françeskanët e tjerë, kishin krijuar miqësi dhe lidhje me figura të kombit të tyre si, me Luigj Gurakuqin, Hasan Prishtinën, Isa Boletinin, Nikollë Kaçorrin e shumë të tjerë.

Ishte nismëtar i shumë veprimtarive kombëtare shqiptare në Pejë, Bajzë, Zllakuqan, Gjakovë dhe në çdo vend ku shërbeu, u la vend të tjerëve, me dëshirën për t’i motivuar në veprimtarinë kombëtare.

Kudo që shërbeu, u mësoj fëmijëve të shkruanin e të lexonin gjuhën shqipe, kështu që më 1942 në Pejë themeloi Shoqninë Antoniane për edukimin e rinisë.

Veprimtari atdhetare u ra në sy serbomëdhenjve dhe disa shqiptarëve të infektuat nga doktrina dhe proletarizmit dhe bashkim vëllaznimit me popuj sllav, në kurriz të popullit, dhe interesave nacionale të kombit tonë, të cilët ishin veshur me pëlhurën e kuqe komuniste që duan të dinë se për çfarë po flet populli për interesin kombëtar. Ata shpeshherë kishin përgatitur kurtha ndaj françeskanit, të cilin grupe të caktuara të armatosura dhe të jashtëligjshme e quanin të rrezikshëm e tradhtar, dhe gjithherë kërkonin çastin e volitshëm për likuidimin e tij.

Për këtë qëllim, shfrytëzuan momentin e një udhëtimi që Frati kishte bërë nga Gjakova për në Pejë.

I akuzuar si armik dhe kundërshtar i ideologjisë së kuqe, nxirret nga autobusi dhe pushkatohet në Prilep, afër Deçanit, më 15 shkurt 1943.

Më vrasjen e Patër Mazrrekut nuk mori fund ndjekja, persekutimi dhe likuidimi i elitës intelektuale të popullit shqiptar e posaçërisht i ajkës së saj, Etërve Françeskanë. Më parë patën likuiduar Pater Luigjin dhe Pater Gjeçovin por pas një kohe, po nga të njëjtit fat do të pësonte edhe Pater Bernard Llupi, ndërsa në shtetin amë, në Shqipëri, e njëjta ideologji do të fillonte gjuetinë më brutale ndaj kësaj klase të intelektualëve madhorë shqiptarë.

Pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore dhe ardhjes në pushtet të këtyre grupeve, Pater Lorenci u akuzua si tradhtar i Kosovës dhe interesave të saj.

Pyetja për ata akuzues, do të ishte se për cilat interesa e kishin fjalën? Po koha do të vërtetojë se Pater Lorenc Mazreku ishte dhe mbeti armik i interesave komuniste në Kosovë.

Sami Frashëri thotë: „Kalben njerëzit e ndershëm atje ku lartësohen krimi“. Kjo sigurisht i përshtatet fatit të protagonistit të këtij shkrimi, Pater Lorenc Mazrrekut. Trupi i këtij frati pushon në Kishën e shën Katarinës, në Pejë.

Patër Aleksandër Tanushi, ofm

15 shkurt 2024, 10:59