Protestë në favor të emigrantëve në SHBA Protestë në favor të emigrantëve në SHBA

Dita Botërore e Drejtësisë Shoqërore: pse jemi këtu, nëse jo për t’i shërbyer njerëzimit?

Në Ditën Botërore të Drejtësisë Shoqërore, Sekretarja e Përgjithshme e CIDSE-s, grupit të organizatave katolike për zhvillimin, me seli në Evropë dhe në Amerikën Veriore, kujton se çdo vendim që merret dhe çdo politikë e re që zbatohet ka ndikim në jetën e njerëzve. Krizat, me të cilat përballemi sot, janë të ndërlidhura

R.SH. – Vatikan

Drejtësi Shoqërore do të thotë barazi dhe dinjitet për të gjithë. Do të thotë që një sistem i caktuar shërben jo vetëm për t’i mbrojtur njerëzit, por për t’i ndihmuar në vendimet, që marrin dhe për t’u krijuar një ambient ku të ndihen të sigurt e u hap rrugë të reja në jetë.

Pikërisht, këtë dëshiron të kujtojë Dita Botërore e Drejtësisë Shoqërore, që kremtohet çdo vit më 20 shkurt, për t’i sensibilizuar të gjithë mbi nevojën për të ndërtuar shoqëri më të drejta.

Krizë e shumëfishtë

Sot, sfida kryesore me të cilën po përballemi, sipas Josaine Gauthier, Sekretare e Përgjithshme e CIDSE-s (Coopération Internationale pour le Développement et la Solidarité), është “një krizë e shumëfishtë”. Në vijën e parë të betejës për drejtësinë sociale, CIDSE është një familje ndërkombëtare organizatash katolike, që punojnë së bashku për drejtësinë shoqërore. Shumica e kanë selinë kryesore në Evropë dhe në Amerikën e Veriut. Zonja Gauthier shpjegon se “tashmë, e kemi kuptuar se krizat e shumta, me të cilat jemi përballuar në të kaluarën e vijojmë edhe sot, janë thellësisht të ndërlidhura”.

"Pavarësisht nëse kemi të bëjmë me probleme klimatike, varfëri të skajshme, dhunë, luftë dhe konflikte për lëndë të para, me pabarazi gjinore, sociale dhe racore", thekson ajo, të gjitha janë shkaktuar nga "çekuilibri në pushtet dhe kultura e hedhurinave, pra, lidhen me krizën e marrëdhënieve ndërmjet njerëzve dhe ndërmjet atyre e pjesës tjetër të Krijimit të Zotit”.

Thirrjet e Papës Françesku

"Kultura e hedhurinave" siç vëren zonja Gauthier, është një koncept i përdorur shpesh nga Papa Françesku, i cili i ka kushtuar asaj një pjesë të madhe të papnisë, për të luftuar indiferencën globale, që shkakton padrejtësi. Në veçanti, Papa bën thirrje vazhdimisht për mbrojtjen e shtëpisë sonë të përbashkët, që kërcënohet nga ndryshimet klimatike, për mbrojtjen dhe mirëpritjen e migrantëve dhe të refugjatëve, duke paralajmëruar për pasojat e "globalizimit të indiferencës" e duke u kërkuar vendeve më të pasura të ndërmarrin veprime konkrete për të ndihmuar të varfërit.

Duke folur për migracionin, zonja Gauthier vëren se kur njerëzit detyrohen të largohen nga vendi i tyre, sepse është i pabanueshëm dhe nuk u ofron të ardhme, "e gjithë bota përballet me krizën e moralit”. “Si mund të lejojmë që qenie njerëzore të ikin nga shtëpitë e tyre, për shkak të vendimeve tona politike dhe ekonomike, që ndikojnë tek ata, ndërsa, më pas, t’i përzëmë kur kalojnë kufirin dhe kanë nevojë për solidaritet?” ngre zërin ajo. “Është çështje drejtësie!”

“Një mundësi"

Zonja Gauthier i fton të gjithë ta shohin Ditën Botërore të Drejtësisë Shoqërore si mundësi unike për të reflektuar mbi trajtimin e të tjerëve, mbi mënyrën e krijimit të marrëdhënieve më të drejta me ta dhe me jetën në këtë planet, që është shtëpia jonë e përbashkët. Thirrja e Atit të Shenjtë për drejtësi shoqërore dhe për respektimin e të drejtave të njeriut, sipas zonjës Gauthier, "duhet të jetë mesazhi më i rëndësishëm për politikanët aktualë", pasi vendimet e tyre ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e njerëzve, çdo ditë. Së fundi sfida: “për çfarë tjetër jemi këtu, nëse jo për t'i shërbyer njerëzimit dhe për ta bërë botën një shtëpi mikpritëse dhe të drejtë për të gjithë?”

20 shkurt 2024, 11:53