Kërko

Catacombe di Priscilla, va Roma, Madre di Dio Catacombe di Priscilla, va Roma, Madre di Dio

Dita e Shtatë e Katakombeve: "Nga kujtesa, në lutje"

Më 2 mars, shtatë itinerare do të hapen për publikun me rastin e edicionit pranveror të ngjarjes vjetore. Tema e vitit 2024 frymëzohet nga dëshira e Papës Françesku për t'ia kushtuar Vitin lutjes, në përgatitje për kremtimin e Jubileut të vitit 2025. Komisioni Papnor për Arkeologjinë Kishtare promovon turne falas, me udhërrëfyes

R.SH. / Vatikan

Vizita në Katakombe dhe takimi me bashkësinë e parë të krishterë që e ofrojnë, është një mënyrë për t’i frymëzuar besimtarët t’i lartojnë lutje Zotit, por edhe Martirëve, të cilët dhuruan jetën për të dëshmuar fenë. Në një deklaratë, Komisioni Papnor për Arkeologjinë kishtare fton, nëpërmjet këtij reflektimi, për të marrë pjesë në Ditën e VII të Katakombeve - Edicioni i Pranverës, që do të mbahet më 2 mars në Romë, me temë "Nga kujtimi, në lutje” e që “radhitet në udhën përgatitore të Jubileut të vitit 2025”.

Ftesë, për t’u ndaluar në lutje

“Papa - lexojmë në deklaratë - dëshironte që ky vit t’i kushtohej lutjes, si përgatitje e përshtatshme e menjëhershme për kremtimin e ngjarjes jubilare. Vizita në katakombet e krishtera, duke na krijuar mundësinë të jetojmë një përvojë takimi me ngjarjet dhe dëshmitë e bashkësisë së parë të krishterë të Romës, na kujton njerëz, ngjarje dhe histori jashtëzakonisht domethënëse dhe të rëndësishme për të tashmen. Kjo kujtesë prekëse, e perceptuar dhe e përjetuar drejtpërdrejt, nuk mund të mos  nxisë një reflektim të thellë e, si rrjedhim, për besimtarët, edhe lutje; lutje drejtuar Zotit, Zotit të jetës dhe Shëlbuesit, por edhe Dëshmorëve, atyre që e dëshmuan fenë e tyre, shembulli dhe ndërmjetësimi i të cilëve na mbështet në këtë rrugëtim”. Ndërmjet shumë figurave të dukshme në katakombet, që lidhen me lutjen, deklarata citon atë të  njeriut që lutet "me krahët lartuar drejt qiellit për ta lavdëruar Zotin, për ta falënderuar, për të kërkuar ndihmë e mbështetje, çlirim dhe shpëtim". Figurë, kjo, e pranishme në "kubikulin e Velatës", në katakombet e Prishilës. Vende, që i ftojnë vizitorët të “ndalojnë për një çast në heshtje e në lutje”.

Ngjarjet e ditës

2 marsi do të krijojë mundësinë e hyrjes falas, derisa të plotësohet numri i vizitorëve, duke përfituar nga vizita me prijës në shtatë katakombet: të Prishilës, të Shën Anjezes, të Shën Kalistit, të Shën Sebastianit, të Domitilës, të Shenjtorëve Marçeli dhe Pietri e të Shën Pankracit.

Po në datën 2 mars, Komisioni Papnor për Arkeologjinë Kishtare informon se “në disa katakombe do të ketë edhe ngjarje të lidhura me këtë ditë, si vizita të posaçme dhe seminare për fëmijët. Për më tepër, të gjithë pjesëmarrësve në Ditën e Gjashtë të Katakombeve do t'u lëshohet një kupon i vlefshëm për dy hyrje me bileta të reduktuara në katakombet e Romës, të hapura për publikun, që do të mund të përdoren deri në fund të vitit 2024".

18 shkurt 2024, 16:45