Padre Anton Xanoni, gesuita albanese Padre Anton Xanoni, gesuita albanese

At Anton Xanoni, jezuit, në përvjetorin e vdekjes

At Anton Xanoni një ndër figurat e shquara të arsimit katolik gjatë periudhës së Rilindjes, dha kontributin e tij në fushën e gjuhës, letërsisë dhe botimeve të teksteve shkollore duke ushtruar një ndikim të dukshëm për të zhvilluar gegënishten në gjuhën shqipe

R.SH. - Vatikan

Me 16 shkurt kujtojm jezuitin shqiptar, At Anton Xanonin, në përvjetorin e vdekjes, në Shkodër më 16 shkurt 1915.

I njohur edhe me emrin Ndoc Xanoni, jezuiti shqiptar At Anton Xanoni (lindi në Durrës, 12 janar 1862 - vdiq në Shkodër më 16 shkurt 1915), është figurë e shquar e arsimit katolik gjatë periudhës së Rilindjes. Dha kontributin e tij në fushën e gjuhës, letërsisë, gramatologjisë dhe botimeve të teksteve shkollore duke ushtruar një ndikim të dukshëm për të zhvilluar gegënishten në gjuhën shqipe

At Anton Xanoni lindi në Durrës më 12 janar 1862, por që fëmijë u shpërngul në Shkodër, ku u rrit në gjirin e etërve jezuitë. Si kreu shkollën e mesme, duke parë talentin e tij, jezuitët e dërguan të kryente studimet e larta në Kuvendin Kartuzian Porta Coeli në veri të Valencies, në Spanjë (1883), në Kraljevicë (1884), në Kremonë të Italisë (1886) dhe në Kolegjin Gregorian në Krakovi të Polonisë (1890-1892).

Më 1892 u shugurua meshtar në Krakovi dhe dy vjet më pas në u kthye Shkodër për të kryer misionin meshtarak e për të dhënë gjuhë shqipe në Kolegjin Saverian, ku kishte kryer studimet edhe vetë, trembëdhjetë vjet më parë. Më 1896, para se të kthehej në Shqipëri, dha mësim një vit në kolegjin Gregorian në Kier, në juglindje të Torinos në Itali.

At Xanoni, së bashku me poetin e gjuhëtarin e shquar, dom Ndre Mjedjen (1866-1937) si dhe me të vëllain e tij, imzot Lazër Mjedjen, ishte anëtar aktiv i shoqërisë letrare Agimi, themeluar më 1901, e cila punonte për nxitjen e krijimeve letrare në gjuhën shqipe, duke përdorur edhe alfabetin e ri.

Ishte Atë Anton Xanoni ai që vendosi normat e retorikës dhe të stilit të shkrimit në dialektin verior të shqipes, në një shkollë me ndikim si Kolegji Saverian, norma që i parashtroi në Prîsi në lâmë të letratyrës, Shkodër 1911-1912. Ai mbante qëndrim purist në shkrimin e shqipes, ishte ithtar i zëvendësimit të shumë huazimeve nga italishtja, turqishtja dhe sllavishtja me rrënjë fjalësh më të lashta shqipe.

Si autor vjershash, prozash letrare, dramash e punimesh studimore në gjuhën shqipe, që shërbyen si frymëzim i vazhdueshëm për studentët dhe kolegët e tij shkrimtarë, ai nuk qe vetëm novator në gjuhë, por edhe stilist i shkëlqyer për kohën kur jetoi.

Nga viti 1908 bashkëpunoi rregullisht me periodikun jezuit 'Elçija e Zemers t'Jezu Krisctit' me artikuj për historinë, letërsinë, kulturën dhe politikën, por edhe me tregime të shkurtra e me vjersha apo përkthime, që pëlqeheshin shumë.

Mbeti në histori edhe për veprat 'Gramatika shqyp', Shkodër 1909, 'Shkurtorja e historis së moçme', 1910, e në veçanti për vjershën me frymën e Rilindjes Rrnoftë Shqypnia, kushtuar shpalljes së pavarësisë. Një pjesë e mirë e veprës së tij ka mbetur e pabotuar edhe sot e kësaj dite. At Xanoni vdiq në Shkodër më 16 shkurt 1915. Kujtohet si themelues i shkollës letrare të jezuitëve, si një veteran i arsimit e i kulturës shqiptare.

Krijimtaria e jezuitit Anton Xanonit

1. Tremdhjet t’martet e Sh’na Ndout;

2. Dheshkroja e Shqypniis;

3. Shkurtoja e historiis( bleni i I);

4. “_”_”_”_”_”_”_”_”_ ( bleni iII);

5. Muzhiktari i verbtë;

6. Priisi  n’ lamë t’letratyrës ;

7. Gramatika Shqyp;

8. Dotrina e madhe;

9. Gjenovefa  (rromanz );

10. Julia (rromanz );

11. Llagoret e mullinjve (dramë);

12. Këndime për shkollë t’ para t’shqypes;

13. Unjilli i Jezu Krishtit mas Sh’ M;

14. Jeta e Sh’Françesk Saverit ose “Apostulli i Hindit” (biografi )

15. Skënderbeu (dramë )

16. Prisi në lamë të Letratyrës (tekst pedagogjik )

 

At ANTON XANONI(1863-1915)

MINI (Miu)

Ishte n'katund nji mi,
Qi me shum paq' jetonte.
Me marr' nji tjeter shpi,
Kurr neper mend s'i shkonte.

Nji shok po i thot' nji ditë:
"Eja me mue n'qytet;
Katundi shum t'merzitë
E shpesh me hanger s'qet."

"Eja, po shkojm'" - tha mini;
E u nisen bashk', tue nga,
Por, tek sa i ngrati mbrrini,
Mbrenda nji kurthe ra.

At vend, ku mir' jeton,
N'e ndrrosh pa arsye, gabon.

 

Fili

Ecte “fili” n’për Pazar

Ishte veshun krejt me ar

Qen e lopë e dhen e dhi

Kur e panë me njaq stoli

Për me i bamun Fillit nder

Ulné kryet përnjëherë.

 

U kthy Fili njo ditë tjetër

Ishte veshe me rrobe t’vjetër

Qen e lopë e dhen e dhi

Ma me kry sia ban njajtij...

 

U kthy Fili edhe tha:

S’po kuktohen k’ta tashti

Jam njaj fil qi  atë ditë

Tan pazarin kam shetitë!

-Po- i tha mzati – bash njaj je,

Po njat rrobé me ar s’e ke!

(Mini – asht fjala për miun, dhe Fili – asht fjala për elefantin)

16 shkurt 2024, 08:19