Lindja e Mesme, Izraeli Hamasit: lironi pengjet ose përpara mbi Rafahun
R. SH. - Vatikan
Kurrfarë armëpushimi, operacioni tokësor do të vazhdojë derisa pengjet të kthehen në shtëpi: ky është ose/ose imponuar Hamasit nga Izraeli, i cili nuk do të ndalet as për Ramazanin Islamik, që do të fillojë në mes të marsit, por do të vazhdojë drejt Rafahut, qytetit në jug të Rripit, ku janë grumbulluar rreth një milion njerëz të zhvendosur. Këtë e konfirmoi ministri centrist i qeverisë izraelite, Benny Gantz, i cili saktësoi: “Do të veprojmë në lidhje me partnerët tanë, përfshirë Egjiptin, dhe popullsia civile do të drejtohet drejt zonave të mbrojtura”.
Thirrjet ndërkombëtare: rreziku i një katastrofe humanitare të paparë
“Jo, operacioneve ushtarake pa mbrojtje për civilët”- bën thirrje presidenti amerikan Joe Biden, i cili kërkon një plan evakuimi “të besueshëm dhe të zbatueshëm”. Kësaj i bëri jehonë edhe Përfaqësuesi i Lartë për Politikën e Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell i cili, nga Brukseli, shprehu shqetësimin e Evropës për planet e qeverisë izraelite dhe kërkoi që vendi të mos vazhdojë ta keqësojë më tej një situatë humanitare tashmë katastrofike. Ndërkaq Izraeli hodhi poshtë hamendjen e zgjidhjes së konfliktit me krijimin e dy shteteve:"Ne do të vazhdojmë ta kundërshtojmë njohjen e njëanshme të shtetit palestinez" - pohoi kryeministri Netanyahu, ndërsa vijojnë edhe polemikat me agjencinë e OKB-së për refugjatët palestinezë: sipas Ministrit izraelit të Mbrojtjes Gallant, 12% e 13,000 punonjësve janë të lidhur me Hamasin, ose me xhihadin islamik palestinez.
Të shtënat shtohen mbi Rripin e Gazës
Në terren, bastisjet e ushtrisë izraelite janë në rritje në qendër dhe në jug të Rripit të Gazës, veçanërisht në zonat Jabalya dhe Rafah, ku, sipas agjencisë palestineze Wafa, numërohen tetë të vdekur, ndërsa 12 viktima të tjera u regjistruan në një sulm, në kampin e refugjatëve Nuseirat. Për më tepër, rrethimi i spitalit Nasser në Khan Yunis, ku ushtria po kërkon pengje, vazhdon.
Fillon operacioni EU Aspides në Detin e Kuq
Të hënën pritet drita jeshile nga Brukseli për operacionin e mbrojtjes së trafikut detar në Detin e Kuq, quajtur Aspides. Do të jetë operacion i rrezikshëm, paralajmërohet, komanda strategjike e të cilit do të jetë në Greqi. Ndërkohë, sulmet e Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe vazhdojnë në rajonin e Hodeidah, në Jemen. Dje, më në fund, një cisternë nafte që mbante flamurin panamez u vu në shënjestër dhe pësoi disa dëmtime, por ekuipazhi fatmirësisht shpëtoi.