Kërko

Pesaro, Italia Pesaro, Italia

Më 17 shkurt kalendari kujton 7 shenjtorët themelues të Shërbëtorëve të Lumes Virgjërës Mari

Më 1888 Papa Leoni XIII shpalli shenjtër 7 etërit e parë të Urdhërit të Shërbëtorëve të së Lumes Virgjërës Mari, që janë varrosur në një varr të përbashkët në Malin Senario, aty ku patën jetuar së bashku

R.SH.  - Vatikan

Më 17 shkurt kalendari i Kishës katolike kremton Shtatë Themeluesit e Urdhrit të Shërbëtorëve të së Lumes Virgjërës Mari. Në Firencën e shekullit XIII, të pasur me kulturë e me para, udhëkryq idesh e luftërash ndërmjet guelfëve e bigelinëve, nuk munguan burra e gra që praktikonin jetën ungjillore.

Kështu, sipas traditës, rreth vitit 1233, kur Firence tronditej nga luftërat vëllavrasëse, shtatë tregtarë fiorentinë, anëtarë të një shoqërie ku bënin pjesë besimtarë të devotshëm të Virgjërës Mari, u tërhoqën në Malin Senario, pranë qytetit të tyre, duke iu përgjegjur thirrjes së Zotit për t’ia kushtuar plotësisht jetën.

Braktisën shtëpitë e nisën të jetonin në lutje e pendesë, sipas modelit të Virgjërës Mari. Të gjitha pasuritë që kishin, ua ndanë të varfërve. Ndërtuan një shtëpizë e një orator kushtuar Zojës së Bekuar. Nga kjo thirrje nisi lulëzimi i urdhrit të Shërbëtorëve të Marisë. Njëri nga të shtatët, Aleks Falkonieri, vdiq më 1310, por të tjerët vijuan veprën e tij. Kalonin një jetë të vështirë e vetmitare. Megjithatë nuk u largoheshin njerëzve që, të shtyrë nga ankthi e nga dyshimi, kërkonin prej tyre një fjalë ngushëlluese. Fama e shenjtërisë së maristëve u përhap aq shumë, sa me qindra vetë kërkonin të bashkoheshin me ta. Prandaj vendosën të themelonin një urdhër, kushtuar Virgjërës Mari, pasi e kishin quajtur veten shërbëtorë të Nënës së Krishtit. Përshtatën Rregullën e Shën Agostinit.

Më 1888 Papa Leoni XIII shpalli shenjtër 7 etërit e parë të Urdhërit të Shërbëtorëve të së Lumes Virgjërës Mari, që janë varrosur në një varr të përbashkët në Malin Senario, aty ku patën jetuar së bashku. Mbi rrasën e këtij varri të thjeshtë, si jeta e tyre, lexojmë shtatë emra: Shën Bonfiglio, Shën Bonagiunta, Shën Maneti, Shën Amadi, Shën Sostenjo, Shën Uguçione, Shën Aleksi – që në shqip tingëllojnë pak a shumë: Birmiri, Bashkimiri; Dorarti, Ndihmëtari, Barabarti... Maristët tashmë janë me mision edhe në Shqipëri e pikërisht në Vlorë.

17 shkurt 2024, 14:17