Mons Angelo Massafra, arcivescovo di Scutari, Albania Mons Angelo Massafra, arcivescovo di Scutari, Albania

Imzot Massafra: si katolikë në Shqipëri Zoti na dhënë dhurata të rëndësishme

Imzot Massafra: Koha te shenjtë e Kreshmës sjellë një ripërtëritje serioze shpirtërore të secilit dhe nxitë rritjen e bashkësive tona në frymën e Sinodit të Kishës, i cili vazhdon të na nxisë në bashkim, pjesëmarrje dhe mision. Kemi shembullin dhe ndërmjetësimin e Shenjtes Nënë Terezë dhe të 38 Martirëve të Kishës katolike të Shqipërisë

R.SH. - Vatikan

Letra porosi e kryeipeshkvit të Shkodër-Pultit e Presidentit të Konferencës Ipeshkvore Katolike të Shqipërisë në largim, imzot Angelo Massafra për Kohën liturgjike të Krezhmës drejtuar klerit, rregulltarëve e besimtarëve të Kishës së tij dioqezane. Në letër, imzot Massafra kujton, mes tjerash, se Koha e shenjtë e Kreshmës sjellë një ripërtëritje serioze shpirtërore të secilit dhe nxitë rritjen e bashkësive tona në frymën e Sinodit të Kishës, i cili vazhdon të na nxisë në bashkim, pjesëmarrje dhe mision. Nëtë udhë kemi shembullin dhe ndërmjetësimin e Shenjtes Nënë Terezë të Kalkutës dhe atë të 38 Martirëve të Kishës Katolike të Shqipërisë si një shembull i ndritshëm dashurie e bamirësie. Po më hollësisht të ndjekim njoftimin e zëdhënësit të Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, dom Mark Pashkja: 

dom Mark Pashkja

ARQIPESHKVIA METROPOLITANE SHKODER-PULT (ALBANIA)

Prot. nr. 24/2024

Shkodër, më 17/02/2024

 

Shumë të nderuara Shkëlqesi,

të nderuar Meshtarë,

Rregulltarë e Rregulltare,

shumë të dashur besimtarë të çdo dioqeze,

në fillim të Kohës të shenjtë të Kreshmës ju uroj të gjithëve një përvojë të frytshme feje, me qëllim që të sjellë një ripërtëritje serioze shpirtërore të secilit dhe të nxisë rritjen e bashkësive tona në frymën e Sinodit, i cili vazhdon të na nxisë në bashkim, pjesëmarrje dhe mision.

Shpesh, besimtarët dhe meshtarët më kanë pyetur: çfarë mund të bëjmë më shumë për një rifillim të jetës së krishterë të katolikëve në Shqipëri? Një pyetje legjitime nëse marrim parasysh si fenomenin e shpopullimit dhe rrjedhimisht largimin e katolikëve nga fshatrat dhe famullitë e tyre të origjinës, ashtu edhe pasojat psikologjike e shpirtërore që, duam apo jo, pandemia ka lënë te shumë prej nesh këto vitet e fundit.

Kisha Katolike në Shqipëri nuk është e varfër

Pikë sëpari, duhet të kujtojmë se ajo është Kisha e Krishtit: ne jemi të tijtë dhe nuk jemi vetëm. Thjesht prania e Tij është një pasuri që duhet ta vlerësojmë gjithnjë e më shumë si në adhurimin e të Shenjtërueshmit Sakrament, ashtu edhe në një dëgjim më të shpeshtë të Fjalës së tij. Në fakt, sipas mësimit të Shën Palit, njohja e Krishtit shkon paralelisht me vetëdijen e dinjitetit tonë si bij: “Hyji i Zotit tonë Jezu Krishtit, Ati i Lavdisë, t’ju japë Shpirtin e dijes e të zbulesës për ta njohur Atë; t’ju japë syve të mendjes (tuaj) dritë, që të mund ta kuptoni shpresën e madhe që të jep thirrja e tij, begatinë e pakufishme të trashëgimisë së tij ndër shenjtër” (Ef 1, 17-18).

Ne si katolikë në Shqipëri kemi dhurata të rëndësishme, që Zoti na ka dhënë dhe që janë mjete që na lejojnë të rritemi në fe, shpresë dhe dashuri/bamirësi:

1. Para së gjithash, shembullin dhe ndërmjetësimin e Shenjtes Nënë Terezë të Kalkutës: dashuria e saj për vendlindjen dhe Krishtin e adhuruar në të gjitha Kishat dhe të shërbyer te të varfërit mund dhe duhet të na hapë ndaj dimensionit të Dashurisë/Bamirësisë në kuptimin e saj më të gjerë. Nuk ka të bëjë vetëm me dhënien e lëmoshës një të varfri, por ka të bëjë me të qenit gra dhe burra dashurie/bamirësie; një dashuri/bamirësi e bazuar në dashurinë e Hyjit që na shtyn të jemi të vëmendshëm ndaj të afërmit tonë me gjeste mikpritëse, dashamirësie, “me plot përvujtëri, butësi e duresë” (Ef 4, 2), të cilat nuk lejojnë murmuritjen dhe denigrimin e një vëllai ose motre, sepse “dashuria është zemërgjerë, është e dhimbshme, dashuria, nuk ka smirë, nuk mbahet me të madh, nuk krenohet, nuk është e panjerëzishme, nuk kërkon interesin e vet, nuk hidhërohet, nuk e mban mend të keqen, nuk i kënaqet padrejtësisë, por i gëzohet të vërtetës. Arsyeton gjithçka, beson gjithçka, shpreson gjithçka, duron gjithçka” (1 Kor 13, 4-7).

2. Po ashtu, nuk duhet të harrojmë se 38 Martirët e Shqipërisë janë një shembull i ndritshëm bamirësie, të cilët e kanë lënë veten të frymëzohen nga dashuria e madhe me të cilën “Hyji aq fort e deshi botën sa që e dha një të vetmin Birin e tij” (Gjn 3, 16). Dhe ata kanë bërë të njëjtën gjë, duke ia dorëzuar jetën e tyre Zotit për rilindjen e fesë pas përndjekjes së ateizmit komunist të shekullit të kaluar; duke shpresuar për rilindjen e një Kishe të ripërtërirë, Mbreti i të cilës të ishte me të vërtetë Krishti, të një Kishe me një shije vërtet katolike (universale) dhe jo të hidhur si ajo e mbylljes sterile brenda kufijve të ngushtë nacionalistë: ata e dinin se të thoje “Kishë” nuk përkonte me një mendësi autoqefale.

Dhe, pikërisht për gjakun e derdhur nga Imzot Vinçenc Prennushi me 37 Shokë Martirë, kemi pasur dhuratën Ndjesës së Plotë nga Penitencieria e Vatikanit, e cila mund të fitohet me datën 5 të çdo muaji për shtatë vjet rresht, duke u ndalur përpara altarit kushtuar atyre në katedralen e Shkodrës. Tani jemi në vitin e dytë! Për çfarë mjetesh të tjera mund të kemi nevojë kur kemi Krishtin në Eukaristinë dhe në Fjalën e tij, të mishëruar nga figura shenjtërie kaq afër nesh, falë të cilave mund të marrim heqjen e mëkateve dhe të fajeve, që na mundësojnë të arrijmë më lehtë Parrizin? A nuk është ky qëllimi i jetës sonë të krishterë: shpëtimi ynë dhe ai i shpirtrave? Jashtë kësaj nuk ka programe baritore të frytshme.

Prandaj, vëllezër Ipeshkvij, meshtarë dhe të gjithë ju, vëllezër e motra në pagëzimin e përbashkët, ju bëj thirrje që ta vlerësoni këtë hir që na është ofruar nga Ndjesa e plotë lidhur me Martirët tanë të Lumë. T’i njohim dhe t’i duam: nga jeta e tyre mund të lindë një kontribut i çmuar për katekezën dhe jetën shpirtërore, edhe duke organizuar shtegtime; gjithmonë në marrëveshje me Famullitarin e Famullisë “Zoja e Shkodrës”, për të përfituar nga gatishmëria e tij dhe te meshtarëve për të dëgjuar rrëfimet. Ta shfrytëzojmë këtë hir “për ta gërmuar tokën” e ndërgjegjes sonë, për të rimarrë veten dhe për të dhënë dëshmi shprese e entuziazmi.

Kjo përsa i përket Kishës sonë në Shqipëri, por le t’i hedhim një sy edhe mundësive që na ofron Kisha universale:

3. Vetëdija se një mënyrë bajate e të qenit Kishë nuk prodhon më asgjë, çoi në botimin e Dokumentit të Dikasterit Selisë së Shenjtë për Familjen, “Familja në ecje katekumenale”, për një angazhim të ri e të ripërtërirë në formimin e familjeve të reja dhe për një mbështetje shpirtërore e biblike-ungjillore të të gjithë anëtarëve të familjes: prindër, fëmijë dhe të moshuar.

Vëllezër dhe motra, familja është fusha e ungjillëzimit që sot duhet lëruar. Është përgjegjësia e ne Ipeshkvijve, Meshtarëve, Rregulltarëve dhe Rregulltareve që ta kemi përzemër këtë fushë të kujdesit baritor familjar, e cila shtrihet në të gjitha fushat e tjera dhe brenda të cilës ekziston mundësia e takimit me të gjithë, nga më i vogli deri te më i madhi, si edhe me situatat e jetës që duhen ungjillëzuar dhe rrethanat e lumtura e të trishtuara që kalon çdo familje.

Të angazhohemi me dëshirë për këtë çështje dhe, uroj, që të gjithë laikët të na shoqërojnë me dëshirë në këtë angazhim baritor, secili sipas mundësive të veta; qoftë edhe vetëm duke pranuar udhëzime, reforma të modeleve të vjetra në fushën e sakramenteve, vendime që nuk mund të merren sipas qejfit, por si përgjigje ndaj nevojave të ripërtërira të lidhura me kohën në të cilën jetojmë.

4. Dhe në fund Jubileu i vitit 2025, me rastin e 1700-vjetorit të Këshillit të Nikesë, me temë: “Shtegtarët e shpresës”; ku termi “shtegtarë” nuk tregon aq formën e lashtë ku masa të tëra besimtarësh nxiteshin për të shkuar drejt shenjtëroreve të mëdha, sesa vetëdijen e ripërtërirë të të qenit “si të huajt dhe si shtegtarë” (krh. 1 Pjt 2, 11) me një Atdhe në Qiell, që duhet ta arrijmë përmes një udhëtimi në këtë tokë, në të cilin duhet t’i përfshijmë të gjithë vëllezërit dhe motrat tona, madje edhe të feve të tjera, duke u dhënë atyre “arsyen e shpresës” (1 Pjt 3, 15), që është në ne.

Do të jetë detyrë e Konferencës Ipeshkvnore që të ofrojë ide të vlefshme për krejt Kishën tonë në Shqipëri. Por edhe çdo Dioqezë, me siguri, do të marrë masa për t’i shfrytëzuar mundësitë që na ofrojnë këto dhurata me të cilat jemi të pasur dhe të cilat, si talentet ungjillore, nuk duhen varrosur, por duhen investuar që të japin fryte, me qëllim që ta dëgjojmë zërin e Zotit që na thotë: “Të lumtë, shërbëtor i mirë e besnik! ...hyr në gëzimin e zotërisë tënd” (krh. Mt 25, 21).

Kreshmë të mbarë të gjithëve ju.

† Angelo Massafra O.F.M.

Arqipeshkëv Metropolit Shkodër-Pult

President i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë

27 shkurt 2024, 10:30