Ministrja Gërvalla: mesazhet e rëndësishme të Papës për rininë dhe shoqërinë
R.SH. / Vatikan
Nga marrëdhëniet e Kosovës me Bashkimin Evropian, në rolin e bashkësive fetare e në kontributin e Kishës Katolike në veçanti, duke kaluar nëpër kuptimin e saktë të mesazheve të Papës Françesku. Përfshin një tematikë 360 gradësh, intervista që i dha zv.kryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, kryeredaktorit të programit shqip në Radio Vatikan / Vatican News, don David Xhuxhës.
Zonja Gërvalla-Schwarz merr pjesë në takimin ministror “Miqtë e Ballkanit Perëndimor” në Romë, me ftesë të zv.kryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme dhe të Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Republikës së Italisë, Antonio Tajani. Dy, temat në tryezën e bisedimeve, siç shpjegon vetë ministrja: përshpejtimi i integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, si edhe mundësitë e investimeve italiane në zonë.
Në qendër të intervistës, edhe marrëdhëniet e shtetit kosovar me bashkësitë fetare. “Shqiptarët – nënvizon zonja Gërvalla-Schwarz - janë shquar për bashkëjetesë fetare e jo thjesht për tolerancë. Është detyrim i shumicës të ofrojë mundësi për bashkëjetesë sa më të mirë”. Ajo shpjegon se Kosova ka propozuar edhe një ligj për formalizimin e statusit të bashkësive fetare. Përsa i përket Kishës Katolike, qeveria e Prishtinës pret që ajo të vazhdojë të jetë e hapur dhe konstruktive, duke përfaqësuar vlerat e mirëfillta të krishterimit e duke mbështetur interesat legjitime të Kosovës.
Janë lidhur marrëdhënie më të ngushta edhe me Selinë e Shenjtë. “Përpjekjet tona – njofton ministrja - do të manifestohen së shpejti me hapa konkretë”. Gjithashtu, mesazhet e Papës Françesku janë të rëndësishme për Kosovën, sidomos ato për të rinjtë, pasi vendi ka një moshë mesatare nën 30 vjeç. T'i kuptojmë saktë mesazhet e Papës për rininë e shoqërinë. Mesazhet e tij për ta, por edhe për gratë e për njerëzit, që nuk kanë shumë mundësi në jetë, duhen kuptuar saktë, nënvizon zonja Gërvalla-Schwarz.
Por le të dëgjojmë intervistën e plotë të saj me don David Xhuxhën…