Kërko

UKRAINE-RUSSIA-WAR-CONFLICT UKRAINE-RUSSIA-WAR-CONFLICT

Justitia et Pax Europa: vizitë solidariteti në Lviv. Populli ukrainas mbron Evropën e lirë

Justitia et Pax Europa - Drejtësi e Paqe në Evropë: vizitë solidariteti në Lviv. Populli ukrainas mbron idenë e Evropës së lirë dhe demokratike. "Me vizitën tonë ne kuptuam më mirë se populli ukrainas nuk mbron vetëm lirinë e tij. Flijohet për të mbrojtur edhe idenë e një Evrope të lirë e demokratike në tërësi”, deklaroi Imzot Hérouad

R.SH. / Vatikan

Presidentja e Justitia et Pax Europa, Maria Hammershoy dhe imzot Antoine Hérouard, së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm, Stefan Lunte, më 12-13 shkurt ishin në Lviv, Ukrainë, për një vizitë solidariteti. I ftuar - siç shpjegon një shënim - edhe Yuriy Pidlisny, president i Komisionit për Familjen dhe Shoqërinë pranë Kishës Katolike Greke të Ukrainës, anëtar i rrjetit të tridhjetë Komisioneve të Drejtësisë dhe Paqes në Evropë.

"Me vizitën tonë ne kuptuam më mirë se populli ukrainas nuk mbron vetëm lirinë e tij. Flijohet për të mbrojtur edhe idenë e një Evrope të lirë e demokratike në tërësi” - deklaroi Imzot Hérouad pas kthimit nga udhëtimi dyditor.

Ishin dy ditë plot me takime: me kryeipeshkvin greko-katolik Ihor Vozniak të Lvivit dhe ipeshkvin e tij ndihmës, Volodymyr Hrutsa; me At Bogdan Prach, rektor dhe nënkryetar i senatit akademik të Universitetit Katolik të Ukrainës, si dhe me presidenten e Caritas Ukraine, Tetiana Stawnychy. Delegacioni vizitoi disa varreza ushtarake dhe pa dëmet e shkaktuara në ndërtesat nga sulmet ruse me raketa. U kremtuan lutje dhe Meshë për viktimat e luftës.

"Të mbrosh jetën dhe dinjitetin e njeriut, ashtu si të ndash dhimbjen e luftës, është shqetësim i vazhdueshëm për mua" - pohoi Maria Hammershoy - duke nënvizuar se Kisha në Ukrainë po tregon "kujdes të jashtëzakonshëm për viktimat e luftës, duke i dëgjuar historitë e tyre dhe duke i mbështetur misionet e tyre kryesore”.

Vizitorët arritën në Lviv një ditë pas takimit evropian të sekretarëve të përgjithshëm të Komisioneve Kombëtare të Drejtësisë dhe Paqes (Berlin, 9-11 shkurt), dhe u shprehën për vazhdimin e  mbështetjes së popullit ukrainas.

Dy fjalë për Konferencën e Komisioneve Evropiane të Drejtësisë dhe Paqes.

Kujtojmë se Konferenca e Komisioneve Evropiane të Drejtësisë dhe Paqes është rrjet evropian prej 32 Komisionesh Kombëtare, me mandat nga Konferencat e Ipeshkvijve. Merret me luftën kundër varfërisë, me mbrojtjen e të drejtave të njeriut, paqen, pajtimin, zhvillimin dhe kujdesin për krijimin. Është rrjet drejtësie dhe paqeje në gjirin e Kishës Katolike.

16 shkurt 2024, 11:30