Rindërtimi i Kolosit të Kostandinit, nga iluzioni, në vizion

Pas ekspozitës në Milano, kopja e njërës nga shtatoret më të famshme të lashtësisë së vonë mbërriti në Romë, e u paraqit në oborrin e Villa Caffarelli, vendi i saj i kahmotshëm. Superintendenti Claudio Parisi Presicce pohon: "Është sfidë të kalosh nga kthimi virtual, në kthimin real". Analizat dhe studimet shkencore ofrojnë "elemente të mjaftueshme për të propozuar një rindërtim shumë besnik".

R. SH. - Vatikan

Vështrimi i kujtdo që hyn në oborrin e Palazzo dei Conservatori, në muzetë Capitoline, thithet menjëherë nga fragmentet e një shtatoreje vigane mashkullore. Janë mbetjet e kolosit legjendar, të Kostandinit, një nga shtatoret më të famshme të botës së vonë antike, 13 metra e gjatë, e dyta për nga madhësia pas shtatores së humbur të Neronit, e cila sipas burimeve antike, ishte rreth 30 metra.

Nga kolosi, i datuar pas fitores në Urën Milvio, ndërmjet viteve 313 dhe 324, mbetet vetëm koka - e rruar, me tipare të forta, ballë të ultë dhe hundë shqiponje - krahu i djathtë, kyçi i dorës, dora e djathtë, gjuri i djathtë, këmba e djathtë dhe shputat e të dyja këmbëve. Fragmentet e mermerit u gjetën, in situ, në absidën perëndimore të Bazilikës së Maksencit, në vitin 1486, nën papninë e Inocentit VIII.

Fragmentet origjinale të shtatores kolosale të Kostandinit, në oborrin e Palazzo dei Conservatori, Muzetë Capitoline
Fragmentet origjinale të shtatores kolosale të Kostandinit, në oborrin e Palazzo dei Conservatori, Muzetë Capitoline

Rindërtimi i skulpturës u paraqit në Romë, ashtu siç duhet të jetë dukur në tërësinë e saj origjinale. Folën kryetari i bashkisë, Roberto Gualtieri dhe këshilltari i Romës për kulturën, Miguel Gotor, përfaqësuesit që promovojnë projektin: mbikëqyrësi i trashëgimisë kulturore Claudio Parisi Presicce për Superintendencën Capitoline; Salvatore Settis, për Fondacionin Prada dhe Adam Lowe për Fondacionin Factum për Teknologjinë Dixhitale në Ruajtje. Shtatorja ishte ekspozuar vitin e kaluar në Milano, me rastin e ekspozitës "Bukuria e riciklimit" nën kujdesin e  Salvatore Settis dhe Anna Anguissola me Denise La Monica, por sot  gjendet në Romë, në zonën ku dikur ishte tempulli Kapitolin, në oborrin e Villa Caffarelli.

Pamja e ekspozitës “Riciklimi i Bukurisë”, Fondazione Prada, Milano, Foto Roberto Marossi, kortezi e Fondacionit Prada
Pamja e ekspozitës “Riciklimi i Bukurisë”, Fondazione Prada, Milano, Foto Roberto Marossi, kortezi e Fondacionit Prada

Claudio Parisi Presicce foli me Radio Vatikanin - Vatican News për disa aspekte të projektit dhe rëndësinë simbolike, që luajti shtatorja në histori.

Duke kujtuar se destinacioni i saj ka qenë që në fillim te muzetë Kapitoline, mbikëqyrësi nënvizon se është vepër që vjen nga larg, e paraprirë nga analiza e fragmenteve të veçanta. “Rasti i ekspozitës – shpjegon ai – na lejoi të pranojmë një sfidë: kalimin nga kthimi virtual, në kthimin real”. Studime të ndryshme shkencore, përfshirë ato të vetë Parisi Presicce, bënë të mundur ofrimin e “elementeve të mjaftueshme për të propozuar një rindërtim shumë besnik. Nuk ka elemente pasigurie në ikonografi, në modelin referues dhe në pozicionin e dhjetë fragmenteve”- vijon Parisi Presicce. "Rezultati është sigurisht i dobishëm për t'u ofruar vizitorëve perceptimin e marrëdhënies, që duhet të ketë ekzistuar në kohët e lashta ndërmjet nështetasve dhe pamjes së perandorit". Krahasimet me shtatoren e madhe janë specifike, për shembull të një tipi numizmatik, siç është një medalion bronzi i Kostandinit, i datës 326 pas Krishtit, në të cilin perandori i ngjet Jupiterit, ose shtatores së vetë Jupiterit, si ajo në Ermitazhin e Shën Petersburgut, nga koha Flaviane (69-96 pas Krishtit).

Jupiteri a Jovi i tipit Zeus Olympik, nga Olimpia e Phidias, h. 3.47 m, Muzeu Ermitage, Shën Petersburg
Jupiteri a Jovi i tipit Zeus Olympik, nga Olimpia e Phidias, h. 3.47 m, Muzeu Ermitage, Shën Petersburg

Jemi para ngjasimit të vërtetë të perëndisë më të rëndësishme të Olimpit, me perandorin. “Çasti në të cilin Kostandini mposht kundërshtarin e tij Maksencin, në betejën e urës Milvio, në vitin 312, bëhet - nënvizon superintendenti - kufi ndërmjet botës së re dhe asaj të shkuar. Perandori, me Ediktin e Milanos, pranoi zyrtarisht fenë e re të krishterë, por në të njëjtën kohë ishte trashëgimtar i një tradite të gjatë perandorake - tre shekuj - dhe për këtë arsye, ka shumë mundësi të ketë ndjekur gjurmët e perandorëve e mëparshëm në pamje, si paraardhësit e tjerë, duke zgjedhur Jupiterin si model referimi për të thelluar përkimin e tij me botën hyjnore dhe jo me atë të njerëzve. Dhe gjigantizmi i statujës është një nga mjetet e përdorura për ta rritur këtë distancë". Paraqitja e replikës, e bërë në të njëjtën shkallë dhe me të njëjtat përmasa si origjinali, bën përshtypje të madhe edhe sot.

 Një seksion i Kolosit të Konstandinit rindërtuar në punëtorinë e Fondacionit Factum, © Fondacioni Otto Lowe Factum
Një seksion i Kolosit të Konstandinit rindërtuar në punëtorinë e Fondacionit Factum, © Fondacioni Otto Lowe Factum

Ripërdorimi i një shtatoreje më të vjetër

Edhe Konstandini ripërdori një shtatore më të vjetër, ndoshta pikërisht atë të Jovit a të Jupiterit, dëmtuar nga zjarri në vitin 80 pas Krishtit, dhe më pas zëvendësuar me atë, që deri atëherë mbahej në tempullin kushtuar Triadës Kapitoline: busti i zhveshur duket i mbështjellë me pëlhurë të artë. Sytë, sot të zbrazët, mund të kenë pasur dikur bebëzat vezulluese të mbushura me gurë, por kjo nuk prish punë: Perandori i lashtë duket edhe më i ri e më i tmerrshëm edhe sot e kësaj dite! Në njërën dorë mban skeptrin me shkop të gjatë, në tjetrën globin, simbolet e pushtetit perandorak. Për më tepër, gjuri i ekspozuar nxjerr në pah ftesën për gjeste përkushtimi, nga ana e besimtarëve në rastin e Jupiterit dhe e nënshtetasve për perandorin. Koka ka shenja të qarta ripërpunimi të mëvonshëm: fillimisht kishte mjekër dhe balli ishte më i lartë. Sipas të gjitha dëshmive, tiparet e fytyrës dhe flokëve u ndryshuan për t'u shndërruar në fizionominë e njohur të Kostandinit.

Një kopje besnike edhe në detaje

Është një akrolit: koka, busti dhe gjymtyrët në mermer dhe pjesa tjetër në  bronz ose gips të praruar. Rindërtimi, megjithatë, thekson Parisi Presicce, “u bë me një rrëshirë që ka brenda pluhura, të cilat e bëjnë sipërfaqen e këtyre fragmenteve individuale të riprodhuara sa më të ngjashme me origjinalet. Madje janë ripropozuar shenjat e kohës, të shkaktuara nga ekspozimi shekullor në oborrin e Palazzo dei Conservatori, pikërisht për të dhënë sa më shumë ndjesinë që të bind se ke përpara veprën e vërtetë, origjinalen! Pëlhurat dhe pjesët e praruara të bronzit ishin prej polistireni të patinuara me rrëshirë dhe pluhur bronzi, mbi të cilin u vendosën fletë ari.

Përpunim në 3D i Kolosit të Kostandinit, © Irene Gaumè Factum Foundation

Një kohë, që ndryshon në mënyrë të pandalshme

Kolosi i Kostandinit është shtatorja e fundit kolosale në historinë romake. Çelësi, i zgjedhur për të legjitimuar ngritjen e perandorit në pushtet, ndjek dhe ripërdor simbolin par excellence të pushtetit shtetëror, Jovin Kapitolin ose Optimus Maximus. Kostandini merr formën e perëndisë, të cilit ai vetë kishte refuzuar t'i bënte homazhe në çastin e kurorëzimit, por është  tipologji statutare që nuk do të përsëritej kurrë më. E njëjta gjë ka lidhje me vendndodhjen e saj në monumentin e fundit arkitekturor publik të natyrës civile, të ndërtuar në Romën e lashtë, në Bazilikën e Maxentius në Via Sacra, tipologjia planimetrike e së cilës do të gjendej dhe do të përhapej, por tani në kishat e krishtera.

Përfaqësues të Fondacionit Factum, Superintendenca Kapitoline dhe Fondacioni Prada në seminarin e Fondacionit Factum, © Otto Lowe Factum Foundation
Përfaqësues të Fondacionit Factum, Superintendenca Kapitoline dhe Fondacioni Prada në seminarin e Fondacionit Factum, © Otto Lowe Factum Foundation

Simbole të reja, që ndryshojnë kohët

Në këto çaste kyçe, dhe statuja është  simbol i fortë i ndryshimit të madh. Dhuna, shtypja e pushtetit, siç e përcaktoi Salvatore Settis atë pamje epifanike, është në të vërtetë njoftim që tregon se bota po ndryshonte dhe se asgjë nuk do të ishte si më parë. Ndoshta edhe përfaqësim i një konfuzioni ndërmjet një bote të vjetër dhe një të ardhmeje të afërt që po vinte, duke ia ndryshuar krejtësisht natyrën. Në Kolosin e Kostandinit pasqyrohet pikërisht kontradikta e asaj kohe. Së shpejti do të zëvendësohej me një tjetër kontradiktë: zemërbutësia e Kryqit. E rolin kryesor e luajti nëna e Kostandinit, Helena, e cila solli reliket e mundimeve të Krishtit nga Toka e Shenjtë, në Romë.

07 shkurt 2024, 17:15